VENDLINDJA DHE GJUHËT IRANIANE
Nga mesi i gjithë kombeve, të cilat në valën e parë të zgjerimit të botës islame pranuan fenë islame, Iranianët ishin të vetmit që ruajtën gjuhën, kulturën dhe identitetin e tyre. Kombet e tjera, përreth Arabisë Saudite deri në luginën e Nilit si dhe në Afrikë, që kishin një histori të pasur qytetërimi dhe kulture të lashtë, bashkarisht me fenë islame pranuan dhe gjuhën arabe, por të detyruar. Sot këto shtete quhen “Vendet arabe”, ose “Bota arabe”, dhe shumë prej këtyre vendeve janë bërë më arabë se vetë Arabët.
Në vitin 1872, në takimin e letrarëve dhe gjuhëtarëve europianë në Berlin, gjuhë të tilla si greqishtja e vjetër, persishtja, latinishtja dhe sanskritishtja, u zgjodhen si gjuhët klasike të botës. Një gjuhë mund të quhet klasike duke përmbushur këto kritere: së pari, të jetë një gjuhë antike; së dyti, të ketë një letërsi të hapur, dhe, së treti, në mijëvjeçarin e fundit të jetës së saj të ketë pësuar fare pak ndryshime. Gjuha perse është njërave prej shtyllave të identitetit individual dhe social të iranianëve. Shqipja ka huazuar një numër të konsiderueshëm fjalësh perse nëpërmjet turqishtes, vetëm se kjo e fundit, ndryshe nga shqipja e persishtja nuk e dallon gjininë e emrave.
HISTORIKU I GJUHËVE IRANIANE
Deri në kohën kur Arianët, pra paraardhësit e Iranianëve të sotëm, jetonin në vendin e parë të tyre së bashku me fise të tjera të së njëjtës racë indoeuropiane, kishin një gjuhë të njëjtë dhe të përbashkët, e cila zakonisht përmendet si gjuha indoeuropiane. Arianët, pasi u ndanë nga njerëzit e tjerë të së njëjtës racë në mijëveçarin e tretë para erës së re, jetuan për shumë shekuj në Azinë Qendrore. Më vonë ky fis, pas një jetë të përbashkët disashekullore u ndanë në dy grupe: Indo-arianët dhe Iranianët. Një pjesë e grupit indo-arian në mijëvjeçarin e dytë pr.e.s., kaluan Iranin e sotëm dhe vendosen në Azinë e Vogël dhe në pjesën veriore të Mesopotamisë, kurse pjesa tjetër, në periudhën kohore rreth viteve 1700-1200 pr.e.s u vendos në pjesën veriperëndimore të Indisë. Ndërkohë fiset iraniano-ariane emigruan në territorin Iranian në fundin e mijëvjeçarit të dytë pr.e.s. Një pjesë e këtyre fiseve u vendos në lindje, kurse pjesa tjetër në perëndim të Iranit.
Në bazë të dokumenteve të sigurta mësohet se familjet e fiseve emigruese në territoret indo-persiane deri vonë kanë komunikuar në gjuhën e nënës, të cilën e kishin sjellë me vete nga atdheu i tyre. Vlen për t’u theksuar se gjuha jonë, ashtu sikurse sumë të tjera, ka ndryshuar me kalimin e kohës, si rrjedhim ajo është pasuruar më tepër.
Gjuhët iraniane konsiderohen si degë të gjuhëve ariane dhe nga gjuhët më të lashta të famijes së madhe indoeuropiane. Gjuha ariane në filim, pas ndarjes së Indianëve dhe Iranianëve, u nda në dy degë: gjuha e lashtë indiane dhe gjuha e lashtë iraniane. Secila prej këtyre gjuhëve mori drejtim të ndryshëm. Megjithëse sot gjuha midis këtyre dy popujve ka ndryshime shumë të mëdha, ngjashmëritë janë aq të shumta e të dukshme, saqë fare lehtë mund të vërtetosh origjinën e njëjtë të tyre. Përveç kësaj të dy popujt, indianë dhe iranianë, e konsiderojnë veten e tyre si pasardhës të Arianëve.
Menjëherë pas ndarjes së gjuhës së fisit Arian në dy gjuhë, indiane dhe iraniane, dega e gjuhës iraniane filloi të evoluonte me shpejtësi. Kjo gjuhë u shtri në territore shumë të gjera, që nga lumenjtë Sejhun dhe Xhejhun dhe deri në Azinë e Vogël dhe në rrethinat e Sirisë.
Gjuhët iraniane, ashtu sikurse edhe gjuhët e tjera, kanë kaluar në tri etapa: Antikiteti, Koha e Mesme dhe Periudha Bashkëkohore.
Nga gjuhët e lashta iraniane kanë mbetur dy gjuhë të shkruara: persishtja e vjetër dhe gjuha e Avestës, ndërsa ka fare pak gjurmë nga gjuhët e tjera të kësaj periudhe.
1. PERSISHTJA E VJETËR
Persishtja e vjetër ishte gjuha e fisit Pars, i cili u vendos në jugperëndim të Iranit (Sot provinca Fars). Parsët, pasi rrëzuan dinastinë Made, themeluan Perandorinë e madhe Khahameneshi. Në kohën e mbretërimit të Kuroshit të Dytë (I njohur ndryshe si Kiri i Madh), filloi të shpikej shkrimi në trajtë kunjore (kuneiform), i cili u përdor gjerësisht në kohën e mbretërimit të Dariusit të Parë (486-522).
Shkrimi i lashtë kunjor i persishtes, i cili u përdor vetëm në shkrimet e mbretërve Khahameneshi, shkruhet nga e djathta në të majtë, Ky shkrim përbëhej nga 36 simbole alfabetike. Flitet se shumë nga koordinatat ideologjike dhe traditat kulturore dhe morale si dhe zakonet fisnore të stërgjyshërve tanë u janë transmetuar breznive të mëvonshme nëpërmjet gjuhës së lashtë perse.
2. GJUHA E AVESTËS
Gjuha e Avestës është gjuha në të cilën është shkruar libri i shenjtë i Zarathustrës. Pjesa më e vjetër e këtij libri, e quajtur “Gahan”, përbëhet nga këngë kushtuar Zarathustrës, profet i Iranit të lashtë, i cili, sipas të dhënave, ka jetuar në gjysmën e parë të mjëvjeçarit të parë pr.e.s në rajonin Khorazm.
Ndjekësit e fesë së Zarathustrës besojnë se në kohën e Perandorisë Khahameneshi, libri Avesta ishte shkruar me flori në 12 mijë lëkurë lope. Ky libër u zhduk pas sulmit të Aleksandrit të Maqedonisë, që rrëzoi Perandorinë Khahameneshi. Studimet e fundit tregojnë se Avesta, deri në periudhën e dinastisë Sasanide transmetohej gojë më gojë, dhe ka gjasa që në periudhën e mbretërimit të Shapurit të Dytë (309-379 e.s) u shpik një shkrim për ta shkruar atë. Shkrimi avestan, i cili në kuptim terminologjik quhet shkrim fetar, ka 53 simbole alfabetike dhe shkruhet nga e djathta në të majtë. Në këtë shkrim çdo fjalë pararendëse ndahet nga një pike me fjalën pasardhëse.
3. GJUHËT E TJERA IRANIANE TË ANTIKITETIT
Nga dy gjuhët e tjera iraniane, pra, nga gjuha made (në perëndim dhe veriperëndim) dhe nga gjuha e lashtë seke (në dy anët e detit Kaspik, dhe fushat jugore të Rusisë) kanë mbetur vetëm disa fjalë, që janë emra të përveçëm, të gjetur në dorëshkrimet e gurëve të varreve të mbretërve Khahameneshi ose në shkrime të historianëve grekë. Gjuhë të tjera të lashta iraniane, të cilat kanë humbur pa gjurmë janë: gjuha e lashtë parte, gjuha e lashtë sogdi, gjuha e lashtë khorazmi dhe gjuha e lashtë balkhi.
Gjuhët iraniane, të cilat vazhduan të përdoren në shumë rajone të shpërbërjes së Perandorisë Khahameneshi (330 pr.e.s) edhe disa shekuj pas shpërbërjes së Sasanidëve (651 e.s), quhen gjuhët iraniane të mesme. Këto gjuhë ndahen në dy degë: perëndimore dhe lindore. Në degën perëndimore bën pjesë dhe gjuha parte. Kjo gjuhë i përkiste fisit Part, që jetonte në një rajon të quajtur Part në veri të Horasanit të sotëm në Iran si dhe në një pjesë të Turkmenistanit. Një nga fiset më të mëdha i quajtur Ashk ose Arshak, rreth vitit 247 pr.e.s themeloi dinastinë Ashkaniane. Dokumenti më i fundit i mbetur nga gjuha parte i përket shekullit IX të erës sonë. Ndërsa persishtja e mesme ishte gjuha zyrtare e mbretërve Sasanidë (224-651 e.s). Ajo ishte një evoluim i persishtes së vjetër.
Gjuhët e reja iranine janë ato gjuhë që filluan gradualisht të lindnin në rajone të ndryshme të Iranit pas pushtimit të tij nga myslimanët. Sot, qendra e gjuhëve të reja iraniane janë Irani, Afganistani dhe Taxhikistani. Por gjjthsesi disa prej këtyre gjuhëve përdoren edhe në Republikat e Azisë Qendrore, në Turkestanin kinez, në Turqi, në vendet që kufizohen nga Gjiri Persik, në Siri, në Gadishullin Indian, në Irak, në rrafshnaltat e Pamirit dhe në Kaukaz.
Gjuha më e rëndësishme e re iranine është gjuha dari, edhe pse pas hyrjes së islamit, arabishtja ka ndikuar shumë mbi të. Gjuha perse dari shkruhet me alfabet arab, por deri në shekullin X ajo shkruhej edhe me alfabetin Manui. Gjuha dari daton 1400 vjet më parë dhe ka mbërritur e përsorur deri në ditët tona.
Burimi: “Persizmat në gjuhën shqipe dhe studimi i tyre” – Tahir N. Dizdari – Botim i janarit 2010.