Mitologjia e ilire njihet vetëm përmes përmendjes së hyjnive ilire në monumentet periudhës romake, disa me interpretim romak (Interpretatio Romana). Duket sikur nuk ka pasur ndonjë perëndi që mbahet si më i rëndësishmi tek ilirët dhe do të ketë pasur shumë ndryshime ndërmjet fiseve të ndryshme ilire. Ilirët nuk kanë zhvilluar një kozmologji të njëtrajtshme në të cilën ata të përqendronin praktikat e tyre fetare.
Disa hyjni njihen vetëm nga gadishuli Istria, siç është Eia, Malesokus, Boria dhe Iria. Në Liburni, Anzotika identifikohet me Venusin (Afërditën). Teonime të tjera vendase përfshijnë hyjnitë Latra, Sentona dhe Ika. Bindi, identifikuar me Neptunin, adhurohej tek fisi i Japodëve. Më në veri, burimet e ngrohta të Topuskos i dedikoheshin Vidasusit dhe Thanës, të identifikuar me Silvanin dhe Dianën. Nga Ballkani lindor, kulti i kalorësve thrakë u përhap në Iliri gjatë shekujve të parë të erës sonë. I përshkruar si një luftëtar mbi kalë që mbante një shtizë, Medaurus ishte mbrojtësi i qytetit të ilir Rhizion. I vendosur në gjirin e Kotorrit në Malin e Zi të sotëm, ky vendbanim ilir u shndërrua në një qytet romak. Gjatë Luftërave Ilire Rhizioni ishte kryeqyteti i perandorisë së Mbretëreshës Teuta. Pavarësisht se është i njohur si mbrojtësi i Rhizionit, nuk ka asnjë dëshmi të adhurimit të Medaurit të gjetur atje. Në fakt, referenca e vetme për të ishte një përkushtim brenda tempullit të Asklepit në rrënojat e fortesës Lambaesis (Algjeri) në Afrikën Veriore Romake. Ky përkushtim nuk u bë nga një ilir, por nga një senator romak, kështu që ka të ngjarë që romakët i konsideronin cilësitë mbrojtëse të Medaurit si ekuivalente të natyrës shëruese të Asklepit. Disa të tjerë e konsiderojnë si perëndi lufte ekulivalente e hyjnisë Mars. Mbishkrimi përmban një lutje ndaj perëndisë që të ruante tempullin pavarësisht largësisë së tij nga atdheu i tij, diçka e ndjerë fort nga garnizoni romak i vendosur aty pranë.
Gjithsesi këtu mund të ketë një ngatërresë sepse në lashtësi pranë Lambaesit (Algjeri) ekzistonte një qytet romako-berber me emrin Medauros dhe kjo mbase gabimisht ka bërë të mendohet sikur ky është një emër i ndonjë perëndie ilire. Qyteti Medauros ishte një koloni romake e themeluar nga perandori Nerva në vitin 97 të erës sonë. Mbase ky qytet mban dhe emrin e perëndisë Medauros, gjithsesi kjo kërkon një studim të mëtejshëm. Epi-daurus dhe Me-daurus mund të kenë lidhje si etimologji.
Dalmatët kishin Armatusin si perëndinë e luftës. Edhe perëndia En adhurohej nga ilirët. Eni u ul në pozitën e demonëve pas ardhjes së Krishtërimit në Iliri, dhe vazhdon të përdoret në gjuhën shqipe në emërtimin e ditës së Enjte.
Gramatikani grek i shekujve 5-6, Hesikiosi i Aleksandrisë shënon që ilirët besonin në krijesa të ngjashme me satyrët të quajtur Deudai.
Përveç këtyre që u përmendën më sipër, te shqiptarët (pasardhës të ilirëve apo jo, ose pjesërisht), ka shenja të theksuara të kultit të Diellit.
Kulti i Diellit tek ilirët apo arbërit e Mesjetës së hermshme vërtetohet me simbolet diellore në varret e ashtuquajtura ilire në Mal të Zi si edhe në betimet e ruajtura edhe sot që permendin Diellin. Por le të njihemi më në detaje me disa perendi të konsideruara ilire, edhe pse ato mund të jenë lënë trashëgim në këto troje nga pushtuesit e huaj si romakët, thrakët, keltët, paonët, etj.
DEIVA PATYROS: ishte një nga perënditë kryesore te Epirit (qe sipas studiuesve ishte territor i perzier greko-ilir). Në rasën kallëzore thuhet Dei Patyrus që përkthehet “Ati Qiell” dhe ngjan me shume si emertim grek pasi Patera i thone Atit edhe sot greket. Mendohet të jetë analog i Zeusit grek, apo Jupiterit romak. Zeusi në gjuhën hitite quhej Dzius. Sipas Hesikut të Aleksandrisë, Deiva Patyrus vazhdonte të adhurohej kryesisht nga fisi epiriot i timfejve (Tymphaei) deri nga fundi i shekullit të pestë. Mendoj se nga kjo ka ardhur dhe fjala Divine – deiva-diva (hyjnor, qiellor).
ENI (ENJI): Fillimisht ky është gjetur në mbishkrime mesape në Italinë e Jugut. Mendohet të jetë sinonim i Deiva Patyros. Sipas autorëve ky është emri i një perëndie të lashtë ilire, që ka mbijetuar deri në ditët tona në emërtimin e ditës së enjte. Ai ka pasur funksione të ngjashme me të Jupiterit (Zeusit).
MEDAURI: Karl Patsch dhe Moikom Zeqo e kanë konsideruar këtë si perëndinë ilire të luftës, duke u mbështetur në një mbishkrim, ndërsa të tjerë e bazazvlerësojnë me Asklepin. Medauri është konsideruar perëndia mbrojtëse e qytetit bregdetar ilir Risinium,në grykën e Kotorrit. Këtë emër mbante dhe një anije liburne. Në mitologjinë romake ai ngjason me Marsin dhe në atë greke me Aresin.
ANDINUS: është një teonim (emër perëndie) i përdorur në Perandorinë Romake për t’iu referuar një perendie të adhuruar në zonën e Kaçanikut të sotëm, dikur pjesë e Moesias së epërme në Dardani. Mund të lidhet me emrin Andis (Andi). Ky teonim është klasifikuar si hyjni kelte por gjithashtu edhe si nje nga emrat e hyjnive ilire. Sidoqoftë, dëshmitë epigrafike për këtë emër perendie janë zbuluar në zonën e fiseve të Dardanisë së lashtë. Emri mund të ketë origjinë vendase në Dardani, gjatë periudhës së perandorit romak Trajani. Ndoshta ka dhe elementë thrakë apo panonianë.
PRENA (PREMTJA): perëndeshë ilire e cila më vonë është ndërruar në shenjtore e krishterë për shqiptarët. Sipas autorëve ajo konsiderohej si perëndesha e dashurisë dhe e pjellorisë prandaj identifikohet me Afroditën greke dhe Venerën romake, në disa versione edhe me Perëndeshën Tokë (me atributin e pjellorisë). Prej saj rrjedh dhe dita e premte (që në veri thuhet e Prene), ashtu si tek romakët Venerdi (nga Venera). Në Shqipëri gjenden kisha dhe vende me emrin ShnaPremte. Shpesh besimtarët ditës së premte i referohen si Zoja e Premte. Ajo njihet gjithashtu si Zonja e Bukurisë. Një tjetër perëndeshë ilire e identifikuar me Afroditën është Anzotika e gjetur në Dalmaci. Ekziston edhe një hyjneshë romake apo etruske me emrin Anna Perenna, festa e së cilës kremtohej në idet e Marsit (15 mars).
LOGETI: perëndi iliro-mesape. Ai konsiderohet si perëndi e të vdekurve nga i cili rrjedh dhe fjala ‘lugat’. Në mitologjinë greke përshtatet me Hadesi dhe atë romake me Plutonin.
THANA: perëndeshë ilire e gjuetisë dhe e Hënës, emri i së cilës është gjetur në disa altare në Kroaci dhe Bonsje. Ajo mund të krahasohet me perëndeshën latine Diana. Sipas E.Çabejit, nga kjo fjalë mendohet të ketë prejardhjen edhe fjala ‘zana’ e shqipes apo dhe Hana (Hëna). Gjithashtu emri femëror shqiptar Tana dhe emri mashkullor Thanas e kanë burimin prej kësaj perëndeshe.
BINDI: është identifikuar si perëndi ilire e ujrave të rrjedhshme e dëshmuar në trojet e japodëve, liburnëve dhe dalmatëve deri në Panoni e madje dhe në kolonitë ilire në Daki. Ai përputhet me Poseidonin grek dhe me Neptunin romak, pasi si Bindus Neptunus, ai del në kolonitë e minatorëve ilirë në Dakinë e lashtë. Në Bosnje janë gjetur katër altare kushtuar këtij perëndie.
VIDASI: perëndi ilire e kullotave, e ngjashme me Apollonin greko-romak. Ai del i shoqëruar shpesh me Thanën (motrën e tij).
TADENI: perëndi tjetër ilire e ngjashme me Apollonin.
REDONI: perëndi ilire i cili shfaqet në monedha antike, kryesisht tek ardianët, ai identifikohet me Hermesin grek apo Merkurin romak.
DIALOS: perëndi e Paionëve ilirë me funksionet e Dionisit të panteonit grek. Ai shfaqet në mbishkrimet e Dalmacisë me emrin latin Liber. Kulti i Dialosit është dëshmuar deri në Maqedoninë juglindore. Ai përmendet edhe nga Hesiku në shekullin e pestë të erës sonë.
IRIA: Perëndeshë ilire e gjetur në mbishkrime në Flanona në Dalmaci. Mendohet që të jetë e ngjashme me Herën greke.
GJARPRI: Në lashtësi gjarpri ka qënë kafsha totem e ilirëve dhe ishte simbol i Kultit te Tokes, me ane te tij adhurohej nena apo perendesha Toke. Kjo vertetohet me mitin e Delfit (Greqi), ku me perpara thuhej qe, para se aty te ishte Tempulli i Apollonit, Delfi ishte nje vend i shenjte ne te cilin banonte perendesha Toke, Gjea (Gaia), dhe qe ruhej nga djali i saj gjarper, Pitoni. Gjarpri shfaqet gjithashtu në mitin e Kadmit dhe Harmonisë, të cilët linden një djalë me emrin ilir, dhe vet u shndërruan në gjarpërinj. Prandaj sipas një versioni mitologjik thuhet se ilirët kanë prejardhje nga gjarpri. Gjarpri lidhet dhe me pjellorine: le të kujtojmë dhe faktin që Olimpia epiriote (e ëma e Aleksandrit të Madh) pëlqente dhe mbante gjarpërinj si simbol të pjellorise. Ajo thoshte se Aleksandrin e kishte krijuar me Zeusin që i ishte shfaqur në formë gjarpri.
Εdhe pse Τeuta ishte një mbretëreshë ilire, emri i saj ka origjinë kelte. Sipas mitologjisë, ilirët, keltët dhe galët kanë një prejardhje. Përveç kësaj, galët dhe keltët pushtuan disa zona të Ilirisë në shekullin IV dhe III pr.e.s. Τeutati është një hyjni kelte që adhurohej në Gali dhe Britani. Duke u bazuar në etimologjinë e emrit të tij, ai është interpretuar gjerësisht si një mbrojtës fisnor. Εmri Τeutat vjen nga rrënja teuta- që ka kuptimin “popull” apo “fis”. Sipas studiuesve Τeutati (apo Τoutati) identifikohet me Mërkurin romak, apo Hermesin grek. Nga ana e tij Hermesi identifikohet me Τhotin egjiptian që sipas zonave të ndryshme njihej edhe si Τeut. Në gjuhën greke të sotme emri Τeuta lexohet Τefta.