AstroN
 
AstroN
AstroN  
  Mirë se vini në ASTRO-MITOLOGJI
  Fakulteti i Studimeve Astrologjike
  Horoskopi në vargje
  Aforizma astrologjike
  ASTROLOGJIA
  HISTORIA E ASTROLOGJISË
  E ëma dhe e bija
  NDARJA E ZODIAKUT
  12 SHENJAT ZODIAKALE
  HOROSKOPI
  Parashikimi i vitit 2025
  HARTA QIELLORE E LINDJES
  ASHENDENTI – SHENJA NË NGRITJE
  Bukuria fizike
  SHTËPITË ZODIAKALE
  FAZAT E HËNËS
  Dielli në astrologji dhe astronomi
  NDIKIMI I PLANETËVE
  Efemeridet dhe Retrogradët 2025
  ASPEKTET PLANETARE
  ASTRO-EROTIKA
  SINASTRIA
  VENUSI - AFRODITA
  Divorci dhe Tradhëtia
  TRANZITET PLANETARE
  REVOLUCIONI DIELLOR
  Mespikat
  ASTRO-MJEKËSIA
  Vdekja dhe aksidentet
  ASTROLOGJI TË TJERA
  ASTROLOGJIA INDIANE
  HOROSKOPI KINEZ
  ASTROLOGËT DHE KONTRIBUESIT
  Fjalor astrologjik
  KALENDARI
  Kalendari Pagan Helen
  DITËT E JAVËS
  Festat pagane
  ASTRO-MITOLOGJI
  Apolloni - hyjnia e Diellit
  MITOLOGJIA GREKE
  ZEUSI - Mbreti i perëndive
  Mitologjia ilire
  Kokino - Observatori ilir
  Brigët dhe Frigjia
  PERËNDESHAT MITOLOGJIKE
  Kurorat me gjethe
  Trëndafili dhe lulet
  Ulliri në kulturën e lashtë greke
  Simbolizmi i kalit
  Simbolizmi i helmetave me brirë
  Shqiponja dhe përkrenarja e Skëndërbeut
  TEMPUJ DHE FALTORE
  Delfi - Orakulli më i famshëm
  Parimet Delfike
  Ishulli Rodos
  Orfeu
  KUPTIMI I EMRAVE
  Kuptimi i fjalës grek, helen dhe barbar
  KULTI I DIELLIT
  Dita e Verës - festa e Diellit
  Syri që sheh gjithçka
  ASTRO-TEOLOGJIA
  Fjala "Amen"
  Shpirti
  NUMEROLOGJIA
  METODA TË NDRYSHME PARASHIKIMI
  Orakulli kinez
  Leximi i dorës - Kiromancia
  Domethënia e lemzës dhe oreve fikse
  Zaret e dashurisë
  Domethënia e ngjyrave
  GJUMI DHE ËNDRRAT
  KARRIERA DHE PROFESIONI
  Vendet dhe Udhëtimet
  HISTORI ANTIKE
  Libra astrologjik
  HISTORI GJUHE
  => Historik i gjuhës Greke
  => Hieroglifet Egjiptiane
  => Mbishkrimet më të lashta në botë
  => Gjuha Sanskrite
  => Gjuha Sumere
  => Origjina lindore e plisit
  => Mbishkrimi i Lemnosit
  => Gjuha pellazge dhe etruske
  => Përkthim i greqishtes së lashtë
  => Kuptimi i mbiemrave shqiptarë
  => Gjuhët iraniane (persiane)
AstroN
Origjina lindore e plisit

PLISI NUK ËSHTË SHQIPTAR, POR I BËRË I TILLË MË VONË

Së pari duhet të shpjegojmë që në përkthimin shqip të fjalës latine "pileus", apo asaj greke "pilos", fjala korresponduese shqipe është thjesht kësulë, dhe jo qeleshe. Emërtimi "plis" është futur më shumë nga propagandat nacionaliste, veçanërisht nga ata kosovarë. Vetë autori i Mesjetës që ka bërë fjalorin e parë latinisht-shqip, Frang Bardhi (1635) fjalën pileus e përkthen thjesht kësulë. Sipas të dhënave që kam hasur, me emrin pileus (plis) njihej çdo lloj kësule e përbërë nga shajaku, qoftë formë qelesheje, qoftë kapelë me strehë, me maje, formë konike etj. Ndërsa qeleshe, apo qylaf, quhet pikërisht kësula e bardhë që sot shqiptarët e kanë bërë traditë. Dhe në fakt të paktën në zonën e veriut ne qeleshes i kemi thënë vetëm kësulë e bardhë dhe kurrë plis. 
Qeleshja, me sa kam vënë re, nuk është traditë e lashtë shqiptare, por me sa duket është bërë e tillë pas pushtimit osman, ashtu si edhe feja myslimane. Osmanët kanë hyrë në Shqipëri fillimisht në vitin 1385 me ftesë të fisnikut shqiptar Karl Topia për të shtypur forcat e Balshajve në betejën e Savrës. Sanxhaku osman i Shqipërisë u vendos në vitin 1417 dhe kontrollonte pjesën më të madhe të Shqipërisë së mesme. Gjithsesi sundimi osman u konsolidua pas rënies së Shkodrës në 1479. Ndërsa qeleshja shqiptare shfaqet nëpër piktura më shumë 300 vitet e fundit. Kësula e njohur me termin [pileus epiroticus] shfaqet jo më herët se në vitin 1585, në një fjalor latin, pra rreth 200 vjet pas ardhjes së osmanëve, mirëpo kjo nuk e përshkruan formën e saj si qeleshja e sotme, por në formë konike dhe me maje (një shkop), njësoj si priftërinjtë romakë Salii apo Flaminët të kultit të Jupiterit dhe Marsit. Sqarojmë se me krijimin e Epirit të Ri nga romakët, i cili shtrihej nga Vlora (Llogaraja) deri në Lezhë, shqiptarët janë quajtur edhe epirotë, përveçse albanë.
Piktori Edward Lear ka bërë piktura të popullit shqiptar kudo në qytetet shqiptare të shekullit XIX dhe krahas plisit të bardhë, ai i paraqet ato edhe me një kësulë të kuqe pak a shumë si ajo e arvanitasve. Pra kjo kësulë, u përdor në këtë shekull po aq masivisht sa qeleshja nga shqiptarët, prandaj nuk është e arsyeshme të themi që qeleshja ka qenë simbol i lashtë shqiptar (shikoni pikturën më poshtë që tregon banorët e Krujës). Edhe në fotot e vjetra të zonën së Korçës kësulat tradicionale janë ndryshe nga qeleshja e bardhë. 


Nuk ka asnjë provë bindëse që kësula prej shajaku e quajtur qeleshe (apo plis, siç e quajnë nacionalistët) është përdorur në trojet e sotme shqiptare para shekullit 16, përveç një statujze të vogël të Hermes Krioforos, por edhe ky i përkiste kolonive helene të Epidamnosit (shek.3 pr.e.s). Nuk ka asnjë pikturë tjetër, reliev, skulpturë, monedhë apo diçka tjetër të gjetur në vendin tonë që tregon perdorimin e qeleshes nga të parët tanë iliro-dardanë. Edhe nëse është gjetur ndonjë figurë e tillë e hershme, kjo nuk do të thotë që është domosdosmerisht qeleshe, pasi në piktura e skuptura nuk dallohet përbërja apo ngjyra e materialit.
 
Murgu irlandez Simon Fitzsimons kur viziton Arbërinë bën për veshjet shqiptare në vitin 1323, thotë që shqiptarët, ashtu si grekët, rrallë herë mbanin kësulë, por nganjëherë paraqiten me një kësulë të bardhë, që studiuesi Robert Elsie e interpreton si qeleshe, por nuk është e tillë, pasi ai thotë se kësula ishte thuajse e rrafshët në pjesën përpara dhe e ngritur në pjesën e prapme. Kjo nuk përputhet me qeleshen shqiptare pasi ajo është njësoj nga të gjitha anët.


Helmeta formë-plisi ishte bërë prej bronzi në të njëjtën formë si qeleshja që, me sa duket, nganjeherë vishej nën helmetë për rehati, duke i dhënë kështu helmetës formë konike. Perdorimi i parë i helmetës formë-plisi ka ndodhur në Spartë rreth fund-shekullit V pr.e.s. Kjo formë helmete formë-plisi na paraqitet dhe në statuja vikinge.

Sipas të dhënave më të besueshme që na paraqiten ishin osmanët (turqit) nga Anadolli ata që na sollën qeleshen 'persiane', qoftë edhe në formë tregtie nga banorët me origjinë iraniane. Turqit nuk kanë sjellë vetëm përpunimin e qeleshes, por bashkë me të edhe veshjet popullore të disa krahinave shqiptare, të përdorura edhe në zona të ndryshme ballkanike. Ata kanë imponuar shprehjet apo fjalët e shumta dialektore, toponime; objekte të ndryshme si: sofra, lahuta, çiftelia; ushqimet si: kafja turke, shërbeti, bakllavaja dhe hallva; të ulurit këmbëkryq, si dhe shume zakone të tjera që tashmë janë bërë traditë shqiptare (por që nuk ishin arbërore). Edhe modeli i musteqeve tek shqiptaret tradicional është tipik turk. Duke qënë se turqit (osmanët) na kanë lënë shumë gjëra, nuk ka si të bëjë përjashtim as qeleshja. Por, turqit vetë qeleshen bashkë me shumë elemente të tjera tradicionale i kanë të trashëguara nga Lindja e Mesme apo nga Perandoria Perse. Kjo perandori në shkullin V pr.e.s ishte me e madhja e botës dhe territoret e saj perfshinin gjithë Lindjen e Mesme e Azinë e Vogël, qendra e saj ishte Irani i sotëm. Prandaj qeleshen e hasim në disa popuj, siç është Lorestani (zonë e Iranit), Kurdistani, Turqia, Iraku, Izraeli, etj.

Gjatë shekullit V pr.e.s Perandoria Perse e ka shtrirë territorin e saj deri në zemër të Greqisë, sidomos në brigjet e Jonisë, e madje deri në Maqedoninë e lashtë, prandaj ndodh të gjejmë disa figura mitologjike greke me qeleshe, që mund të jenë ndikuar nga kultura perse, por dhe këto janë shume të pakta: Odiseu, Hefesti, Kastori, Poluksi dhe Helena (e Trojës). Megjithatë, këta tre te fundit nuk kanë qeleshe, por 'kësula' e tyre interpretohet si e tillë gabimisht. Këtë na e shpjegon miti i saj:

Sipas mitologjisë, Zeusi e shndërroi veten në një mjellmë dhe joshi bukuroshen me emrin Leda (e cila ishte njeri, jo hyjneshë). Nga bashkimi i tyre, Leda prodhoi dy vezë mjellme. Nga njëra vezë dolën një vëlla e motër hyjnorë, Poluksi dhe Helena, ndërsa nga tjetra një vëlla e motër njerëzorë, Kastori dhe Klitemnestra, të cilët paraqiten shpesh me gjysëm-lëvozhgën e vezës nga e cila dolën.

Pra “kësula” e tyre nuk ka asgjë të bëjë me qeleshen shqiptare, por thjesht tregon se të tre këta duke pasur nje levozhgë veze mbi kokë, rrjedhin nga të njëjtët prindër, ku njëri prej tyre ishte mjellmë. Këtë teori e mbeshtesin autorët e fjalorit  “Greek-English Lexicon”, Henry George Liddell dhe Robert Scot.


Qeleshja tek grekët e Anadollit apo më gjerë, ndonëse paraqitet shumë rrallë, mund të jetë ndikuar nga veshjet persiane, meqenëse Perandoria Perse ka zaptuar për një kohë të mirë dhe shumë territore greke, por dhe shumë grekë mund ta kenë pasur origjinën prej andej. Tregtia me persianët ka bërë gjithashtu punën e vet. Vendet fqinjë kanë marrë dhe dhënë nga njëri-tjetri. Megjithëse në statujat apo pikturat e ndryshme Odiseu dhe Hefesti, apo ndonjë tjetër paraqiten me “plis”, kush na garanton për përbërjen e këtyre kësulave nëse ato janë prej shajaku (leshit) apo prej ndonjë materiali tjeter? Në statuja dhe piktura është e vështirë të dallohet përberja e një materiali. Ka shumë edhe helmeta bronzi të ngjashme me plis, por helmeta është tjeter gjë, ndërsa plisi ynë sot është ajo që quhet qeleshe dhe bëhet prej leshi. Nga ana tjetër, kësula të tilla te personazhe mitike si Odiseu (i njohur te romakët si Uliksi), Hefesti, janë thjesht edhe për të dalluar një personazh nga një tjetër, prandaj shërbejnë si mjet identifikues dhe nuk do të thotë se këtë kësulë e mbanin gjithë populli i tyre.

Theksojmë se nuk ka asnjë personazh të njohur historik (jo mitik) të lashtësisë, grek, ilir, apo romak që paraqitet me qeleshe nëpër statuja antike, relieve apo piktura. Te vetmit janë vetëm këto pak ‘perëndi greke’ apo disa personazhe nga Iliada e Osideja. Këto personazhe mitologjike për herë të parë janë përshkruar nga Homeri, i cili ka jetuar në Anadoll dhe është normale që ai t’i ketë paraqitur ato me veshjet e vendit të tij, të imponuara nga persët. Mirëpo statujat e gjetura me "plis" me këto katër figura mitologjike jane gjetur kryesisht në Itali dhe ruhen në muzeumet e Vatikanit, Romës, etj. Skulptorët romakë mund të jenë frymëzuar nga figurat e gjetura nëpër vazot greke, por vazot tregojnë formën e helmetës apo kësulës, por jo përbërjen e saj. Edhe në varrezat e Vuksanlekajve në Malësi paraqitja e qeleshës në disa figura të varreve nuk është më e lashtë sesa 200 apo 300 vjet, sipas albanologut të shquar Robert Elsie.

Sipas 'nacionalistëve' të sotëm (asnjë anëtar akademie),  fjala "plis", apo ajo latine "pileus", rrjedh nga gjuha shqipe (pi= prej, leus = lesh), pra me kuptimin “prej leshi”. Ajo që ata nuk kuptojnë është se mbaresa “–eus” është e zakonshme te shume emra në latinisht, dhe është thjesht një mbaresë për të treguar gjinine mashkullore tek emrat latinë, pra s’ka aspak lidhje me fjalen “lesh”. Këtë mbaresë e gjejmë te shumë emra të latinizuar si: Odysseus, Mateus, Euristeus, Prometheus etj. Por duke qenë se shumica prej ketyre “studiuesve” nuk janë specializuar për gjuhësi nuk dallojnë dot mbaresat apo prapashtesat nga rrënja.

Sa për dijeni, fjala "plis" mund të ketë hyrë te shqiptarët nëpërmjet italishtes venedikase. Vetë forma latine Pilus (Pileus) apo ajo greke Pilos vijnë nga rrënja indoeuropiane "pilo", që ka kuptimin e leshit. Prej fjalës latine "pilus" vjen dhe fjala "capillus" (flokë). Këto fjalë latine në italishte janë bërë "peli" (qime) dhe cappelli (flokë, leshi i kokës). Edhe fjala peliçe apo pëllush rrjedhin nga e njëjta rrënjë.  
Ndërkohë që edhe fjala 'qeleshe', sipas fjalorit etimologjik të Akademisë së Shkencave, ka origjinë osmane. Orientalisti T. Dizdari në librin e tij 'Persizmat në gjuhën shqipe', e nxjerr fjalën qeleshe (kelesh) me origjinë persiane, nga rrënja 'kel' që ka kuptimin qeros, dhe vërtetë kur vë plisin njeriu nga larg duket si pa flokë (tullac).
Grekët me fjalën pileo, apo pilos nuk njihnin vetëm kësulën në formë e përbërje të tillë, por çdo lloj rrobe, mbulese apo shtrese prej shajaku (leshi të ngjeshur).




Një tekst latin i vitit 1536, që përshkruan kësulën e shqiptarëve, është ky që shikoni lart në foto, që thotë pikërisht kështu:

"Ndoshta galerus nuk ishte i ngjashëm me kapelen, të cilën grekët, që ne zakonisht i quajmë albanë, janë mësuar ta mbajnë me një strehë të gjatë."

Teksti përshkruan kësula të ndryshme si Tiara, Galerus, Petasos etj, dhe të gjitha njihen si lloje të plisave (të njohur si pileus, pileolo, në latinisht), dhe në këtë rast edhe kësula e shqiptarëve të kohës përshkruhet me strehë, e jo si qeleshja e sotme. Ky përshkrim përkon edhe me pikturën e Onufrit që shikoni më lart, i cili ka përshkruar fshatarin e kohës në zonën e Beratit. Piktura i përket të njëjtit shekull kur është shkruar edhe ky teksti latin. Fjalia kur thotë "të cilën grekët, që ne zakonisht i quajmë albanë", e ka fjalën që territoret shqiptare të asaj kohe vazhdonin të njiheshin te autorët latinë si pjesë e perandorisë Bizantine që ata e quanin greke. (Kjo dëshmohet te Barleti gjithashtu). 

 Megjithatë, qeleshja, edhe pse traditë e disa popujve në lashtësi, nuk ka pasur ndonjë rëndësi apo simbolizëm të veçantë, por thjesht ka qënë një mjet i zakonshëm jetese, njësoj si çorapet e leshta.


Në Shqipërinë e kohës osmane, me sa duket, kësula e bardhë (qeleshja) përdorej më shumë nga shtresat e varfra të shoqërisë, dhe popujt barinj, ndërsa kësula e kuqe (që duket e zezë nga fotot pa ngjyra), apo fezi turk, te cilin e mbanin shumë shqiptarë, ishte për njerëzit e ngritur. Këtë të fundit e kanë mbajtur intelektualë apo prijës si Ismail Qemali, Pashko Vasa, kapedani i Mirditës (Preng Bib Doda), pashallarët, bejlerët, etj. Kjo kësulë e quajtur fez ka qënë e pranishme deri ne fund të periudhës së mbretit Zog. Ishte regjimi komunist ai që e eleminoi nga përdorimi. Pra sipas këtyre të dhënave, qeleshja e bardhë rezulton vetëm te shtresa më e ulët, që do të thotë se mbajtja e kësaj kesule na bën popull inferior dhe të prapambetur, barij delesh që s’dimë të përpunojnë gjë tjetër përveç leshit të deles. Madje çorapet me lesh delesh janë edhe sot në shoqerinë shqiptare, dhe kjo ndodh tek familjet e varfra me shumë.

Qeleshja shqiptare paraqitet në dy forma: gjysmë-veze, por dhe formë të shtypur. Plisi në formë gjysmë-veze është perhapur më shumë sot si formë identifikuese e shqiptarëve imponuar nga nacionalistët, por përdorim të shpeshtë në Shqipëri ka pasur qeleshja e shtypur e bardhë dhe e zezë. Madje dhe mirditorët e perdornin shpesh (shikoni foton lart, "Burra te Mirditës"), për të mos thënë që qeleshja e shtypur mbahej me shumë nga myslimanet si imponim turk. Qeleshja gjysmë-sferike është mbajtur me shumë në Kosovë dhe janë pikërisht nacionalistët kosovarë që e kanë përhapur sot si simbol kombëtar shqiptar, madje duke shpikur dhe 'Ditën e Plisit'. Pjesa tjetër e Shqipërisë mbante lloje të ndryshme kësulash. Disa nacionalistë sajonë gjëra që asnjë autorë i lashtë nuk i ka thënë, duke deklaruar se plisi përfaqëson 'vezën kozmike'. Po të kishte vërtetë këtë simbolikë, nuk do të ekzistonin qeleshet e shypura apo me maje, si në zonën e Gjirokastrës.

Figurat më të hershme shqiptare të paraqitur në piktura, dokumente etj, janë arvanitasit, arbëreshët dhe vet Skenderbeu, por asnjëri prej tyre nuk paraqitet me qeleshën e bardhë. Ali Pashë Tepelena gjjithashtu nuk paraqitet kurrë me qeleshe, por as mbretërit ilirë. Arvanitasit paraqiten me fustanella dhe me kesulë të kuqe në kokë. Ndërsa Skenderbeu në pikturën më të hershme, përveçse me përkrenare, paraqitet me një lloj kësule të kuqe, të ngjashme me arvanitasit. Paraqitja e Skenderbeut me qeleshe në film nuk mbeshtetet në asnjë dokument, por vetëm ne hamendesime. Edhe figurës së Lekë Dukagjinit i është sajuar plisi nga piktori i parë që e ka përfytyruar. Kemi të dhëna që shqiptarët deri në vitet 1600 mbanin një kësulë të quajtur Capelet (kësulë apo kapele e gjatë). Këtu në link kemi një studim të mirë akademik për këtë:
akad.gov.al/wp-content/uploads/2024/02/2009StudiaAlbanica12.pdf


Dhe vetë mirditorët apo malësorët e tjerë katolikë, që mbahen sikur nuk janë ndikuar nga turqit, kanë përvetësuar zakonet e hershme osmane, fjalët turke, objekte dhe elemente të kulturës osmane, etj. Ata kane ruajtur vetëm fenë e krishterë, emrat dhe disa nga ritualet, ndërsa gjithçka tjetër duket se e kanë si turqit e Mesjetës, ashtu si pjesa tjetër e shqiptarëve. Kafja turke, ashtu si qeleshja është tashmë traditë e hershme mirditore. Kur vijnë miq, mirditorët apo malësorët i mirëpresin me fjalën “bujrum” (fjale turke). Sofra, që është bërë traditë e hershme mirditore prej shekujsh është fjale turke dhe traditë osmane, çiftelia, lahuta dhe sharkia po ashtu; qilimat dhe qendisjet e ndryshme; dasmat me shume krushq dhe këngët e dasmave: ‘Sa bukur na ka dalë nusja, mashallah, mashallah” është një nga frazat e këngës me të përdorur në Mirditë në raste dasme. Mirditorët u ndanë në 12 bajrake. Fjala “bajrak” eshte fjale turke, qe ka kuptimin “flamur”, pra bajraktar do te thotë “flamurtar”. 
Deri vonë qeleshën pleqtë e vjetër e shoqëronin me çallma (një shami e mbeshtjellë përreth kësules), që është tipike orientale. Ajo paraqitet shumë në fotografitë dhe pikturat më të hershme shqiptare shoqëruar me qeleshen e bardhë. Shqiptarët mbajnë edhe një qemer (tip ushkuri) përreth brezit, njësoj si turqit. Qeleshja e shoqëruar me çallmë nuk paraqitet në asnjë vend në figurat e lashta greko-romake të permendura më lart. Bie fjala, nëse qeleshja na qenka traditë e hershme iliro-shqiptare, ateherë pse shqiptarët e shekullit 18-19 e shoqërojnë atë me çallmen orientale? Kjo do të thotë që të dyja janë imponim osman. Çallma eshte eleminuar vetëm kohët e fundit. Qeleshe rrethuar me çallmë gjejmë edhe sot në fisin Barak të provincës Gaziantep të Turqisë (në kufi me Sirinë), ku ka dhe shumë kurdë. Edhe një foto nga një lagje turke në Kretë, i paraqet banorët e saj me qeleshe të bardhë.


Jo shumë larg nga provinca Gaziantep, pranë varrit te mbretit Antiok, pranë një mali të quajtur Nemrut, janë gjetur disa statuja të hershme që mbajnë kësula të gjata formë plisi. Njëra mendohet se është koka e një perendie vendase të barazvlefshme me Zeusin. Kjo provincë është zonë e Kurdistanit, ku dhe sot gjejmë kësula të tilla tek banorët e këtij vendi.


Një kësulë e ngjashme me qeleshen është dhe Pileolusi, kësula e papës dhe klerikëve të tjerë të krishterë. Kjo kësulë u shfaq kryesisht gjatë Rilindjes (shekujt 14-17), veçanërisht në Itali. Kësula klerike e njohur në italisht si ‘zucchetto’ mbahet edhe sot nga papa i Vatikanit, mirëpo ajo nuk ka pasur domosdomerisht ngjyrë të bardhë gjatë historisë, por dhe të kuqe, etj. Kjo kësulë e ka origjinën nga një lloj kapeleje e quajtur ‘beret’, e cila përdorej për të mbajtur ngrohtë kokën e klerikëve. Kësula e papës përbëhet zakonisht nga mëndafshi ose nga poliesteri. Sipas këtij përshkrimi kësula e papës, pra, nuk ka lidhje me plisin e sotëm shqiptar.

Në Romën e lashtë qeleshja apo plisi i bardhë lidhej veçanërisht me çlirimin e njerëzve nga skllavëria. Skllevërit, pasi fitonin lirinë, e vinin atë në vend të flokëve, pasi ata zakonisht qetheshin tullac.
Kjo monedhë romake, i përket kohës pas Jul Çezarit. Mbishkrimi EID-MAR ka kuptimin “Idet e Marsit”, pra datën 15 mars kur u vra Jul Çezari me ato thikat në imazh. Ndërsa plisi në mes përfaqëson çlirimin nga tirania e tij.


Gjatë shekujve 18 dhe 19 kësula e çlirimit u ngatërrua me kësulen frigjiane (një kësulë e ngjashme formë-koni por me maje më të butë dhe të përkulur përpara). Në festën e Saturnalisë, tek romakët, plisi vishej nga kushdo, përfshirë dhe skllevërit, por me ngjyra të ndryshme. Kësula frigjiane përdorej më shumë në Europën lindore dhe në Anadoll, duke përfshirë Frigjinë, Dacinë, dhe Ballkanin. Në Europën moderne ajo do të nënkuptonte çlirimin dhe kërkimin e lirisë duke u ngatërruar kështu me plisin i cili simbolizonte lirinë e skllevërve në Romën e lashtë. Sipas kësaj, kësula frigjiane quhet nganjëherë kësula e çlirimit (lirisë); në paraqitjet artistike ajo nënkupton çlirimin dhe kërkimin e lirisë.


Qeleshja na paraqitet edhe në këtë statujë të Ertugrulit të vogël, babait te Osmanit (themeluesit të Perandorise Osmane), i cili është në prehrin e nënës së tij. Kjo pamje i përket shekullit 13, kur osmanët nuk kishin akoma asnjë lidhje me shqiptarët. Madje dhe duvaku që mban e ëma e Ertugrulit ngjan me veshjet tradicionale të grave mirditore dhe kësula të tilla të grave janë gjetur edhe në Armeni, Siri, Azerbaxhan, Bosnje, Bullgari etj. Këto elemente paraqiten edhe në filmin e tij “Ertugrul”. Disa fise osmane paraqiten në film me qeleshet që sot mbajnë shqiptarët shoqëruar me çallmat përreth. Qeleshen vërtetë mund ta kenë sjellë osmanët nga Anadolli, dhe fakti që sot nuk shihet në popujt e asaj zonë, nuk do të thotë qe s'ka qënë i pranishëm më përpara. Edhe Jezu Krishti thuhet se lindi ne Izrael, mirëpo qendra me e madhe e adhurimit të tij është Vatikani. Edhe xhinset i kanë shpikur amerikanët, por sot përdoren më shumë në Europë.
Qeleshja shihet edhe te komuniteti i sektit mysliman sufistë. Gjithashtu në një foto të disa punëtorëve në Siri të një fabrike këpucësh, në shekullin 19. Të gjithë punëtoret brenda fabrikës janë me qeleshe të bardhë. Hapni linkun më poshtë për këtë
www.loc.gov/resource/ppmsca.13709/

Një statujë tjetër me ‘plis’ është dhe ajo e dijetarit iranian të shekullit 11, Omar Khayyá, si dhe relieve të tjera që ndodhen në Iran. Kemi gjithashtu një imazh të Moisiut (profetit) i cili paraqitet me një kesulë të tillë.


Pra, deri tani pamë që plisi ka forma të ndryshme, ka ngjyra të ndryshme, përbëhet nga materiale të ndryshme dhe mbahej nga popuj të ndryshëm, dhe s’ka lidhje me origjinen ilire më shumë sesa atë persiane të Anadollit. 

Arsyeja se pse shqiptarët e kanë ruajtur qeleshen si traditë është se ata mendojnë që ajo është shqiptare, por edhe për nevojë. Duke qënë historikisht analfabet dhe të pashkolluar, ata nuk e dinin origjinën e këtyre traditave dhe veshjeve. Ashtu siç kanë ruajtur dhe gjëra të tjera turke si bakllavaja, kafja, çaji, besimin mysliman etj, po në të njëjtën mënyrë është ruajtur dhe kësula e bardhë (qeleshja). Shqiptarët e lenë të prapambetur në historinë e tyre nuk kanë pasur as kushte për të prodhuar diçka të re në jetën e tyre. Shqiptarët kanë mbetur me të njëjtin stil jetese për 500 vjet me radhë për shkak të pushtimit të gjatë osman. Dhe 500 vjet nuk janë pak për të përvetësuar një traditë, një zakon që tashmë është bërë i yni.

Siç e thamë dhe më lart, turqit jo vetëm na kanë lënë disa nga veshjet popullore, por dhe shumë fjalë të tyre. Pothuajse të gjitha fjalët shqipe që fillojnë apo kanë në brendësi shkronjat (tingujt) Ç dhe XH janë me origjine turke. Ndër to mund të përmendim:
Ç = çantë, çezme, çehre, çarçaf, çaj, çakall, çakmak ,çadër, çati, çel, çelik, çengel, çerek, çiban, çibuk, çiflig, çift, çifteli, çimento, çizme,çoban,çorap, çorbe, çekiç, reçel, etj,.
XH = xham - oxhak - xhezve - xhevahir - xhami - xhaxha - xhakete - xhelat - xhep - xhind - xhuxh - borxh - panxhar - penxhere - xhandar - gonxhe - hoxhe - xhenet – axhë, etj.
Të gjitha këto fjalë i gjen në fjalorin e turqishtes. Shkronjat Xh dhe Ç janë shumë të theksuara në të folurën e përditshme të turqve. Kjo bie shumë në sy, njësoj siç bie në sy tingulli ZH te francezët, dhe përdorimi i shpeshtë i shkronjës S te grekët dhe spanjollët. Përveç kësaj, prapashtesat –çi apo –xhi që u vihen kryesisht disa emrave që tregojnë zanat apo mbiemrave të panyjshëm janë tipike me origjinë osmane (turke), si për shembull tek fjalët rrëmujaxhi, drogaxhi, batakçi, jabanxhi etj. Kemi disa zanate apo profesione në turqisht me këto prapashtesa: Këngëtar = sharkixhi; Këpucar = kunduraxhi; Pastrues =temizlejixhi; Furrtar = firinxhi; Shitës =satixhi; Zdrukthtar =dogramaxhi; Folës = konushmaxhi; Lajmëtar =haberxhi; Përkthyes = çeverixhi; Historian = tarihçi; orëndreqës=Saatçi etj.
Të vjen për të qeshur që historiani i madh Arif Mati, i cili nuk ia ka idenë fare shkencës së gjuhësisë, merr përsipër të na shpjegojë fjalën ‘Pellazgë’ e shumë si kjo. Në librat e tij ai na thotë se emri ‘Pellasgoi’ ka kuptimin shqip “shpellagji” (Shpellaxhi). Pra ai nuk ia ka idenë se prapashtesa –xhi ka origjinë osmane, siç bëra në dukje më sipër. Me interpretime të tilla jo profesionale (shpesh herë qesharake), jo vetëm ky, por janë shumë “studiues” që kanë shkruar libra. 

Me poshtë keni foto dhe video që paraqesin banorët e sotëm të Lorestanit iranian me plis në kokë (edhe këta kanë të drejtë të pretendojnë se janë pasardhës të Odiseut, ashtu si ne). Pra duket që plisi e ka origjinën nga Lindja e Mesme, ku me vonë është shfaqur në Anadoll e më pas ne Ballkan, kryesisht në Shqipëri.



fise të Amerikës latine me "plis"


Fise të zonës së Lorestanit në Iran Komunitetit i sektit mysliman sufist me plis
 
  POZICIONI AKTUAL PLANETAR

HËNA SONTE:




 
Facebook 'Like' Button  
 
 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free