KURORAT DHE LIDHJA E TYRE ME PERENDITË
Kurorat me lule, gjethe apo degë pemësh lidhen ngusht me paganizmin dhe përdoreshin shumë nëpër festa të lashta pagane, sidomos nga priftërinjtë dhe fituesit e garave, veçanërisht kurora me degë ulliri dhe ajo me degë dafine. Sipas mitologjisë, ishte perëndesha Nike ajo që lidhej me garat dhe mbante kurorën në dorë për t’ua vendosur në kokë fituesve. Vetë fjala “niko” në greqisht ka kuptimin “fitoj”. Në mitologjinë romake ajo njihet me emrin Viktoria. Por le të njihemi më thellë me kurorat e ndryshme, simbolikën e tyre dhe lidhjen e tyre me perënditë.
1) Kurora me gjethe lisi është simbol i Zeusit, mbretit të perëndive. Lisi simbolizon forcë, jetëgjatësi, ai tërheq vetëtimat që lidhen ngusht me atin qiellor, Zeusin. Përmes gjetheve të lisave të shenjtë në Dodonë jepeshin profeci në Orakullin e Zeusit. Lloje të ndryshme lisash rriten në Greqi: lisi gjetherënës i ashtuquatur real, lisi gjithnjë i gjelbëruar, dhe lisi i shenjtë. Në varrin e Filipit II, mbretit të Maqedonisë së lashtë, është gjetur kurora e tij e cila përbëhet nga degë të argjendta lisi. Kurora qytetare (Corona Civica) ishte përbëhej nga tre lloje të ndryshme lisash. Në disa statuja perandori romak Klaudius paraqitet me kurorë me ndërthurje të ndryshe degësh lisi. Kurora etruske (Corona Etrusca) imitonte gjethet e lisit, por ishte e përbërë prej ari, shumë e zbukuruar me gurë të çmuar, shirita. Këto përshkrime na vijnë nga shkrimtari romak Plini.
2) Kurora me degë dafine është simbol i dashurisë së Apollonit, perëndisë së Diellit. Thuhet se tempulli i parë i Apollonit u bë prej dafine. Sipas mitit, Dafina ishte e bija e perëndisë së lumit. Apolloni e dashuronte, por ajo nuk i përgjigjej dashurisë së tij. Një ditë Apolloni e ndjek. Dafina vrapon për t'i shpetuar atij dhe mbërrin deri në grykën e Panormit (Palermos). Përballë shtrihej deti dhe lartësia ishte shumë e madhe. Për të mos rënë në duart e Apollonit, ajo iu lut perëndeshës-Tokë që ta shndërronte në dafinë. Pikërisht në këtë vend gjenden shumë dafina dhe po në këtë vend derdhet përroi i quajtur “Përroi i Dafinës”. Që prej asaj kohe Dafina lidhet me Apollonin e cila nga të krishterët njihet dhe me emrin Lari. Dafina rritej brenda faltores së Delfit, dhe gjethet e saj përdoreshin në profecitë e Orakullit. Kurorat me gjethe dafine u jepeshin fituesve në lojrat pitiane, si dhe poetëve. Që nga koha e Augustit shohim monedha me perandorë që mbajnë mbi kokë kurora me gjethe dafine, si simbol të Apollonit (mishërim i Diellit). Agripina e cila shfaqet duke kurorëzuar perandorin Neron me kurorë dafine, në shekullin e parë, paraqitet në një skulpturë në Muzeumin Afrodisias në Turqi. Mbretër dhe perandorë të ndryshëm kanë mbajtur dy lloje kurorash që lidheshin ne Apollonin i cili ishte personifikim i Diellit, simbol i pushtetit: kurora me maja dhe kurora të argjendta me gjethe dafine.
3) Pema e ullirit zakonisht është simbol i perëndeshës Athena, e cila i dha emrin kryeqytetit të Greqisë. Ishte kjo perëndeshë që kishte mbjellë ullirin e parë në Greqi, Akropol, dhe që prej asaj kohe u bë simbol i saj. Kurora me degë ulliri ishte çmimi që i jepej fituesit në lojrat e lashta olimpike. Ishte një degë nga pema e një ulliri të egër që rritej në Olimpia (Peloponez), e ndërthurur në formë rrethi. Degët e ullirit të shenjtë pranë tempullit të Zeusit këputeshin nga një fëmijë (i cili i kishte të dy prindërit gjallë) me një palë gërshërë të artë. Më pas ai i çonte në tempullin e Herës (gruas së Zeusit) dhe i vendoste ato në një tryezë të artë të fildishtë. Prej aty vlerësuesit e Lojrave Olimpike do t’i merrnin, për t’i bërë kurora e për t’ua vendosur në kokë fituesve të garave. Sipas Pausanias ky simbol është futur nga Herkuli si një çmim për fituesin e garave të vrapimit për nder të Zeusit. Në lojrat e hershme olimpike nuk kishte medalje ari, argjendi apo bronzi. Kishte vetëm një fitues i cili kurorëzohej me kurorën prej degëve të një ulliri të egër që merrej nga pema e shenjtë pranë tempullit të Zeusit në qytetin e Olimpias. Kurora ulliri janë shpërndarë dhe në vitin 2004, si pjesë e traditës, kur Lojrat Olimpike u mbajtën në Greqi.
4) Kurora me gjethe dredhke apo hardhie lidhet me Dionisin i cili ishte perëndia e dëfrimit dhe ringjalljes së Natyrës. Dredhka është simbol i vdekjes, ringjalljes dhe jetëgjatësisë sepse gjelbërimi i saj i përhershëm simbolizon jetëgjatësinë dhe jetën e përjetshme. Kurorat me dredhka apo gjethe hardhie viheshin në festat e Dionist. Vetë Dionisi paraqitet i kurorëzuar me dredhka apo gjethe hardhie.
5) Mërsina (Myrtale) simbolizon pavdekshmërinë dhe lidhet me perëndeshën Afrodita (Venus). Kurora me degë mërsine mbahej zakonisht nga sportistët grekë, por kryesisht dhe nga femrat. Kurorat e argjendta me gjethe mersine mbaheshin zakonisht nga mbretëreshat, një kurorë e tillë është gjetur në varrin e gruas së dytë të Filipit II, mbretit të Maqedonisë antike. Para se të martohej, Olimpia, nëna e Aleksandrit të Madh, thuhet se quhej Myrtale që në shqip përkthehet mërsinë. Kurora aromatike me lule mersine përdoreshin gjithashtu në dasma (martesa) për shkak të lidhjes së saj me Afërditën, perëndeshën e dashurisë dhe martesave. Martesa me kurorë të tillë origjinale thuhej se merrte bekimin e vetë perëndeshës.
Më poshtë keni një emision mbi kurorat me gjethe, lulet dhe shën Gjergjin që lidhet me to ku i ftuar është mitologu Nikolas Herceku
www.youtube.com/watch