Astrologjia kineze
Astrologjia kineze është shumë e vjetër. Dokumentat më të hershme të saj datojnë në vitin 2357 p.e.s, kur perandori Yao urdhëroi astrologët e oborrit të bënin një kalendar, në të cilin, në sintoni të plotë me lëvizjen e trupave qiellorë të përcaktohej influenca e tyre pozitive dhe negative, kohët më të përshtatshme për kurbane, sakrificat dhe ritet do të kremtoheshin me rastin e festave dhe zive kombëtare si dhe parashikimi i kohës dhe formulat magjike që do të përdoreshin për të neutralizuar shpirtrat e këqinj.
Treqind vjet më vonë, perandori Huang Ti që kishte përpiluar një sistem për të matur kohën, të bazuar në ciklin planetar të Jupiterit, ua imponoi atë shtetasve të tij duke nxjerrë të parin “Almanak Perandorak” dhe viti në të cilin ai doli u bë për Kinën ora zero, orë prej së cilës filloi të matej koha zyrtarisht dhe që mbeti në fuqi për 4000 vjet, deri ne 1911 kur Kina u shpall republikë.
Në Hong-Kong ekziston tendenca konservatore e mentalitetit kinez: manualët e vjetër astrologjikë, botimi i të cilëve ishte 4000 vjet rresht monopol i perandorit, vazhdonin të botoheshin dhe të shpërndaheshin nga shumë shtëpi botuese duke rregulluar edhe sot me saktësinë më të madhe astrologjike jetën e një pjese të madhe të popullsisë së Lindjes së Largët. Me kalimin e kohës, Astrologjia e Oborrit për të cilën punonin një numër i madh studiuesish (Marko Polo gjeti vetëm në qytetin Kambalu 5000 astrologë të njohur), u sfumua dhe u eklipsua nga astrologjia popullore, më pak shkencore dhe e rafinuar, por më e kuptueshme dhe praktike.
Astrologjia popullore u përhap me shpejtësi në të gjithë Lindjen e Largët. Konsultimi me astrologët u bë atëherë i padiskutueshëm, për çdo rast dhe për çdo problem kërkohej keshilla e tyre. Luftrat, komplotet politike, vendosja e mandarineve në postet e tyre të larta, nuk bëheshin kurrë pa fjalën e astrologut. Po kështu astrologu të thoshte a do të ishte e mbarë korrja, a do të bënte thatësirë vitin e ardhshëm, çfarë emri t’i vije djalit të porsalindur, kur duhet të udhëtoje dhe kur jo, kur duhet të martoheshe, kur duhet të ndërtoje një pallat etj.
Njohja me rrënjë e këtij arti që gëzonte respekt te masat bëhej larg nga sytë e njerëzve. Edhe sot është shumë e vështirë të shtiesh në dorë tekstet antike të astrologjisë të shpëtuara të paprekura nga shkatërrimi i bibliotekave perandorake.
Rrënjët e astrologjisë kineze gjenden në historinë e lashtë të njerëzimit.
Legjenda thotë se Buda i kishte ftuar të gjitha kafshët që ta vizitonin për Vitin e Ri, por vetëm 12 kafshë i ishin përgjigjur ftesës së tij dhe ato ishin: miu, bualli, tigri, kali, dhia (delja), gjeli, lepuri, dragoi, gjarpri, majmuni, qeni dhe derri.
Në shenjë mirënjohjeje, Buda kishte urdhëruar që secili vit të identifikohej me ndonjërën nga këto shtazë, ndërkaq tiparet e kësaj shtaze të zotëronin atë vit.
Kjo legjendë është bartur nga gjenerata në gjeneratë, ndërkaq astrologjia kineze sot është një prej astrologjive më të famshme në botë.
Kjo astrologji përbëhet nga 5 elementet e filozofisë kineze: druri, zjarri, toka, metali dhe uji, si dhe 12 shtazëve simbolike, që përfaqësojnë nga një vit të caktuar.
Horoskopi kinez paraqet një interpretim të ndërlikuar të ciklit 10-vjeçar të diellit dhe të hënës, që është hartuar në bazë të kalendarit të vjetër kinez.
Në këtë astrologji ndikon edhe fuqia kozmike pozitive mashkullore dhe ajo negative femërore, të cilat i paraqet principi Jang-Jin; një shprehje për baraspeshën dhe harmoninë universale.
Astrologjia kineze është më shumë e njohur si shkencë që jua mundëson t'i mësoni karakteret e personave që ju rrethojnë, por njëkohësisht edhe ta njihni fuqinë tuaj personale dhe të metat tuaja.
Viti i Ri kinez nis gjithmonë me Hënën e dytë të Re pas solsticit të dimrit dhe bie gjithnjë ndërmjet 21 janarit dhe 19 shkurtit të kalendarit tonë
Më poshtë kemi dhënë vetëm datat kur nis shenja dhe secila shenjë e horoskopit kinez mbaron aty ku fillon tjetra: