Venusi në mitologji, astrologji dhe astronomi
1. Venusi në mitologji:
Në mitologjinë greke Venusi njihet si Afrodita, (në greqishten e lashtë: Aphrodite), ndërsa te romakët njihet si Venere. Afrodita ishte perëndesha e dashurisë, bukurisë, paqes, martesave dhe harmonisë. Në skutat e fshehta të tempullit të Afroditës, në botën antike, kishte vënde ku adhuruesit e saj mund të bënin dashuri. Sipas mitologjisë klasike thuhej se Afrodita lindi nga shkuma e detit (në greqisht: afros = shkumë) pasi, Kronosi për të shfronësuar babain, Uranin, hodhi organet e tij gjenitale në det ku prej farës së tyre u krijua Afrodita e bukur. Sipas Homerit, Afrodita ishte bijë e Zeusit dhe Diones. Afrodita është gjithashtu perëndesha e artit dhe kënaqësisë epshndjellëse dhe bën që të lulëzojnë fushat (prandaj sundon mesin e pranverës, Demin). Kur ajo erdhi në Olimp, të gjithë perënditë e admiruan atë. Shpesh ajo paraqitet si e dashura e Aresit (Marsit) dhe është lidhur me anën femërore. Edhe Remi dhe Romuli, dy binjakët e mitit të themelimit të Romës thuhet se janë fëmijët e Venerës dhe Marsit. Data 1 prill festohet si dita e lindjes së Afroditës (Venerës). Te shqipëtarët e krishterë është Shna Premtja (Prenda) ajo që i përgjigjet Afroditës. Pra, ajo nuk është një shenjtore që ka ekzistuar, por thjesht është një kopjim i mitologjisë pagane i konvertuar në të krishterë. Kjo dallohet qartë edhe tek ditët e javës, ku për nder të Shna Premtes kemi ditën e premte, ashtu si te romakët e premtja quhet Venerdi në nderim të Venerës. Gjatë viteve emri Afrodite, tek shqiptarët, është shndërruar në Afërditë.
2. Venusi në astronomi:
Venusi është planeti më i afërt me Tokën (pas Hënës), edhe masa e tij është pothuajse e njëjtë me atë të Tokës, është vetëm 258 milion km larg nga ne maksimumi, dhe minimumi 41 milion km. Me Diellin shkon rreth 108 milion km larg tij. Venusi nuk shkon asnjëherë më shumë se 48 gradë larg nga Dielli në zodiak dhe kryen një rrotullim të plotë rreth tij për pothuajse 225 ditë. Dita në Venus është 10 herë më e gjatë se në Tokë.
Venusi është planet i mbuluar me re (që duken si një vello e bardhë), prandaj u quajt si perëndesha e bukurisë. Ylli që shndrit më shumë natën ose në mëngjes, nuk është tjetër veçse Venusi. Një planet me atmosferë të dëndur dhe më i shndritshëm nga të gjithë planetet, ashtu si Merkuri, Venusi nuk ka asnjë satelit dhe është një planet inferior. Ai mund të shikohet me sy të lirë madje edhe ditën. Temperatura në sipërfaqen e tij arrin deri në 480 gradë celsius. Ai rrotullohet nga ana e akrepave të sahatit (e djathta).
3. Venusi në astrologji:
Në astrologji, Venusi përfaqëson dashurinë, bukurinë, ndjenjat, paqen, harmoninë, martesat, bashkimin, artin, lumturinë, kënaqësinë, romancën, epshin, ngrohtësinë, joshjen, vlerat, afeksionin, lidhjet dashurore, paratë, mundësitë e fitimit, kontratat, magnetizmin, simpatinë, ëmbëlsinë, qetësinë, pushimin, hijeshinë, nurin, estetikën, shijet, sharmin, rafinesën, elegancën, ekuilibrin, shoqërimin, dhembshurinë, bashkëpunimin, bashkëpunëtorët, gjërat e bukura, pajtimet, dëfrimet (e kohës së lirë), modën, erotizmin. Por ka edhe anët negative, si: përtacia, dembelizmi (përtimi), plogështia, pasiviteti, kapriçot, moskokëçarja, shkujdesja, lakmia (në të ngrënë), epshi (sensualiteti), mëndjelehtësia, nazet, dëshira për t’u dukur, llastimi.Venusi ka lidhje me punët që kanë të bëjnë me artin, bukurinë, modën, zbukurimet, diplomacinë, marrëdhëniet publike dhe shoqërore. Venusi Lidhet me anën femërore të njeriut. Ky planet përfaqëson tipin e femrës ideale (për burrat) në dashuri, martesën, të dashurën (miken e zemrës).
Pasaporta astrologjike e Venusit
Numri që sundon: 6 (gjashtë)
Ngjyra që i përket: Jeshile/e gjelbërt
Metali: bakri
Mosha që drejton: 18 – 25 vjeç ( mosha kur njeriu është më i bukur se kurrë/
periudha kur shpërthen dashuria dhe ndjenjat)
Pjesët e trupit: Goja, buzët, veshkat, sistemi urinar, vezoret, qafa, fyti, zëri, lëkura, tiroidet, beli, fshika, faqet, organet seksuale femërore, hormonet.
Lidhja me shenjat: Demi dhe Peshorja - në ngritje te Peshqit –
Në rënie te Virgjëresha – në mërgim te Dashi dhe Akrepi.
Analogjia: Shtepia e dytë dhe e shtatë zodiakale, Demi dhe Peshorja
Dita që sundon: E Premte
Fjala kyçe: “Unë dashuroj”
Revolucioni zodiakal: 225 ditë
Elementi: Ajri, i lagësht
Qëndrimi në një shenjë: 20 ditë - 3 muaj