SHKRIMET HIEROGLIFE
Fjala “Hieroglif” vjen nga greqishtja ‘hieros’ (i shenjtë) dhe ‘glifos’ (fjalë apo shenja), me kuptimin ‘shkrimet e shenjta’ dhe është përdorur për herë të parë nga Klementi i Aleksandrisë (rr.150-230 e.s). Egjiptianët i quanin ato 'mdju netjer ose "fjalët e perëndive". Modeli i parë i njohur i shkrimit hieroglif është zbuluar në materialet prej kocke dhe fildishi, në enët prej qeramike dhe vulat prej argjileje të zbuluara në një varr predinastik në Abidos. Depozitimet datojnë ndërmjet 3400 dhe 3200 pr.e.s. Modeli i fundit është nga tempulli i Filaes, dhe daton rreth vitit 394 e.s. Njohuria e shkrimit hieroglif kishte humbur deri në fillim të shekullit XIX, kur Jean-Francois Champollion (1790-1832) përdori Gurin e Rozetës për të deshifruar shkrimin e shenjtë.
Dimë shumë pak për zhvillimin e hershëm të hieroglifeve egjiptiane. Shenjat e para të gjetura në Abidos përfshijnë faza të shkurtra dhe asnjë shenjë nuk është zbuluar më herët. Ka mundësi që kishte vetëm një fazë të shkurtër zhvilluese para shfaqjes së gjuhës me të drejta të plota, por disa kanë shfrytëzuar mungesën e informacionit për të argumentuar që Egjiptianët e Lashtë e mësuan shkrimin nga një qytetërim i humbur apo nga alienët. Studiuesit më të arsyeshëm japin mendimin që egjiptianët e lashtë e huazuan mendimin e të shkruajturit (por jo formën) nga Mesopotamia. Sidoqoftë, duke nisur që nga mbretërimi i Mbretit Akrep (afërsisht 3400 pr.e.s) ka nga ata që mendojnë se hieroglifet egjiptiane ekzistojnë më përpara se shkrimet mesopotamiane.
Sistemi mesopotamian i shkrimit është zhviluar për një periudhë të gjatë kohe. Logogramet (ku një pikturë përfaqëson një fjalë) janë zhvilluar që në vitet 8000 pr.e.s por një sistem i njohur shkrimi logogramesh dhe fonetik nuk është zhvilluar deri në rreth 3200 - 3100 pr.e.s. Sidoqoftë, shkrimi i hershëm hieroglif i gjetur në Abidos tashmë përfshinte faza të shkurtra (ndonëse nuk mund të përkthehen plotësisht domethëniet e tyre), kështuqë është zhvilluar në mënyrë relative. Simbolet e para që paraqesin shenja hieroglifesh të njohura shfaqen në qeramikën e hershme (për shembull, vijat zigzage që nënkuptojnë ujin) dhe disa nga standartet dhe konventat e një shkrimi plotësisht të zhvilluar duken tashmë në paletën e Narmerit. Ndërsa ka një evolucion të qartë ndërmjet këtij shkrimi të hershëm dhe atij të hieroglifeve të plota të teksteve të piramidave të dinastisë së pestë, nuk ka ndonjë provë për faza më të hershme zhvillimi.
Një lidhje e drejtëpërdrejtë ndërmjet shkrimit mesopotamian dhe hieroglifeve nuk ka mundësi të jetë për shkak të ndryshimeve në gjuhën e shkruar, por ka mundësi që egjiptianët thjesht kanë vendosur të zhvillojnë sistemin e tyre kur panë sesa e dobishme ishte kjo shpikje. Ka një dëshmi të ndikimit mesopotamian në kulturën predinastike egjiptiane (siç është përdorimi i vulave cilindrike dhe kafshëve mitike në paletën e Narmerit), por nuk ka asnjë provë të ndikimit egjiptian në Mesopotami në atë kohë. Gjithashtu, ka mundësi që zhvillimi i secilit shkrim ishte relativisht i pavarur dhe që ishte zhvillimi i tregtisë dhe qëndrueshmëia e vendbanimeve që nxiti zhvillimin e secilit shkrim.
Hieroglifet kërkojnë shumë kohë dhe aftësi për t’u formuar, prandaj vetëm në periudhën e hershme ne gjejmë hieroglife të shkruara në çdo lloj materiali dhe për çdo qëllim. Rreth dinastisë së parë (rreth 2900 pr.e.s) egjiptianët zhvilluan një shkrim kursiv të thjeshtëzuar të njohur si “hieratik” (i kastës së priftërinjve). Shkrimi bazohej në hieroglife, por shenjat ishin thjeshtëzuar shumë prandaj ishin më të përshtatshme për të shkruar në letër papirusi. Hierogllifet vazhdonin të përdoreshin në ndërtesa fetare dhe monumentale, por shkrimi hieratik u shfaq për tekste fetare në papiruse dhe mbajtës-shënimesh. Gjatë shekullit të shtatë pr.e.s egjiptianët filluan ta përdornin shkrimin “demotik” (shkrim kursiv i përdorur dhe nga populli, i cili ishte akoma më i thjeshtë sesa shkrimi hieratik) për punë dhe tekste letrare.
Gjatë periudhës Ptolemeike (305-30 pr.e.s) Egjipti sundohej nga dinastia greke e prejardhur nga Ptolemeu (gjeneral i Aleksandrit të Madh). Pjesa e parë e dinastisë pa një rilindje të qytetërimit egjiptian kur Aleksandria u bë qyteti i vetëm në botën e lashtë që ishte rival i fuqisë dhe lavdisë së Romës. Libraria e Madhe u ndërtua nga Ptolemeu I pjesërisht sepse ai besonte me gjithë zemër që kultura greke ishte më e madhja në botë dhe ai dëshironte të mbushte kulturën egjptiane me ideale greke. Përzierja e kulturave solli si rezultat zhvillimin e shumë shenjave të reja hieroglife saqë priftërinjtë eksploronin gjuhën misterioze dhe komplekse, shpesh duke krijuar kode komplekse dhe lojra fjalësh kuptimi i të cilave njihej vetëm prej pak prej tyre.
Sidoqoftë, dinastria mbeti jopopullore me egjiptianë më shumë tradicionalë dhe rreth 206 pr.e.s Egjipti i Epërm doli në kryengritje. Kur fuqia e dinastisë u dobësua, ata u mbështetën gjithnjë e më shumë te Roma për të ruajtur kontrollin e vendit. Kjo strategji funksionoi mjaft mirë, derisa Kleopatra i ra në shkelm fatit të saj dhe Egjipti u pushtua nga Oktaviani (Perandori August) në vitin 30 pr.e.s. Sundimi romak ishte shumë i ashpër. Romakët lakmitarë vendosën taksa të larta dhe i dhanë Egjiptit më pak autonomi sesa provincave të tjera. Më vonë në vitin 391 Perandori Theodosius urdhëroi që të gjithë tempujt paganë duhej të mbylleshin. Kjo para së gjithash shkatërroi gjuhën hieroglife (e cila në atë kohë përdorej vetëm në ndërtesat monumentale dhe nëpër tempuj). Mbishkrimi i fundit me hieroglife i përket vitit 394.