TEOGONIA E HESIODIT
Theogonia
Theogonia, nga greqishtja, “gjenealogjia apo lindja e perëndive”, është një poemë e shkruar nga autori grek Hesiodi (rreth shekullit 8-7 pr.e.s) e cila përshkruan origjinën dhe gjenealogjinë (prejardhjen) e perëndive greke. Kjo vepër është kompozuar rreth vitit 700 pr.e.s, dhe është shkruar në një dialekt të greqishtes homerike.
Përshkrimet
Theogonia e Hesiodit është një sintezë e një shkalle të gjerë e një llojshmërie të madhe të traditave vendase greke lidhur me perënditë, organizuar si një tregim (rrëfenjë) që na tregon se si ato kanë ardhur për të vendosur kontroll të përhershëm në kozmos (botë). Është kozmogonia e parë mitike greke. Gjendja fillestare e universit është kaosi, një bollshllëk i pacaktuar i konsideruar si një gjendje hyjnore fillestare nga e cila u krijua gjithçka. Theogonitë janë një pjesë e mitologjisë greke e cila personifikon dëshirën për të lidhur realitetin si një i vetëm. Ndonëse është përdorur shpesh si një burim për mitologjinë greke, Theogonia është njëkohësisht më shumë dhe më pak se kaq. Është e nevojshme ta shohim Theogoninë jo si një burim përfundimtar të mitologjisë greke, por më shumë si një fotografi çasti të një tradite dinamike që ndodhi të qartësohej kur Hesiodi formuloi mitet që njihte – dhe të mos harrojmë që traditat (gojëdhënat) kanë vazhduar të evoluojnë që nga ajo kohë. Hesiodi ndoshta është ndikuar nga disa gojëdhëna të Lindjes së Afërt (Azisë së Vogël), siç është ‘Dinastia e Dunumit’ babilonase, e cila ishte përzier me gojëdhëna vendase, por që mund ta kenë origjinën më shumë nga gojëdhënat mikenase sesa nga kontaktet orientale në kohën e Hesiodit.
Miti Serial
Një nga përbërësit kryesorë të Theogonisë është prezantimi i “Mitit Serial”. Ai na tregon se si Kronosi rrëzoi nga froni Uranin, dhe se si Zeusi nga ana e tij rrëzoi Kronosin dhe shokët e tij titanë, dhe se si Zeusi u vendos përfundimisht si një sundimtar përfundimtar dhe i përhershëm i Kozmosit (Botës).
Urani ishte shumë pjellor dhe krijoi shumë fëmijë me gruan e tij Gjean (Titanët, ciklopët, dhe Njëqind-duarshit), por duke i urryer, ai i fshihte ata diku brenda Gjeas (Tokës). Shumë e zemëruar dhe e shqetësuar, Gjea (Gaia) formoi një drapër prej diamanti dhe nxiti fëmijët e saj të ndeshkonin babain e tyre. Vetëm i biri Kronos, titani më i ri, ishte i gatshëm ta bënte këtë. Prandaj Gjea e fshehu Kronosin “në pritë”, i dha atij draprin prej diamanti, dhe kur Urani erdhi për të fjetur me Gjean, Kronosi nxori draprin dhe i preu organet gjenitale babait të tij që të mos krijonte fëmijë të tjerë meqënëse i urrente.
Kronosi, duke marrë kontroll mbi Kozmosin, donte të sigurohej që ai po ruante pushtetin. Urani dhe Gjea i parashikuan atij që një nga fëmijët do ta rrëzonte atë nga froni, prandaj ai kur u martua me Rean, u garantua që do të gëlltiste secilin prej fëmijëve që Rea do të sillte në jetë: Hestian, Dimitrën, Herën, Hadin, Poseidonin dhe Zeusin (sipas këtij rendi). Mirëpo, kur Rea mbeti shtatëzënë me fëmijën e fundit, Zeusin, iu lut prindërve të saj Uranit dhe Gjeas ta ndihmonin për të shpëtuar atë. Prandaj ata e dërguan Rean në ishullin e Kretës për të lindur Zeusin dhe Gjea e mori të sapolindurin Zeus për ta rritur, duke e fshehur atë në një shpellë të thellë nën Malet Egjeane. Dhe Rea në vend të tij i dha Kronosit një gur të madh mbështjellur me pelenat e foshnjes të cilin ai e gëlltiti duke menduar se ishte foshnja e sapolindur.
I mashtruar nga Gjea (Theogonia nuk e tregon me detaje se si), Kronosi i nxori nga goja pesë fëmijët e tij. Më pas Zeusi çliroi xhaxhallarët e tij ciklopët, të cilët e pajisën Zeusin me armët e tij të mëdha, vetëtimat. Një luftë e madhe nisi, ndërmjet Zeusit e shokëve të tij olimpianë dhe titanëve, për kontrollin e Botës. Dhe në vitin e dhjetë të luftës, duke ndjekur këshillën e Gjeas, Zeusi çliroi Njëqind-Duarshit, të cilët u bashkuan në luftë kundra titanëve, duke i mundësuar Zeusit të fitonte anën e sipërme të botës. Zeusi me tërbim i hodhi vetëtimat e tij mbi titanët, duke i mposhtur dhe duke i hedhur ata në Tartarus (Humnerë e thellë). Zeusi më vonë luftoi me Tifonin, një nga djemtë e Gjeas dhe Tartarit, dhe fitoi përsëri, dhe Tiftoni, u burgos gjithashtu në Tartarus.
Zeusi, me këshillën e Gjeas, u përzgjodh mbret i perëndive, duke falenderuar dhe perënditë e tjera. Zeusi më pas u martua më gruan e tij të parë Metisën, por kur ai mori vesh që Metisa ishte paracaktuar të krijonte një fëmijë që mund t’i merrte pushtetin, me këshillën e Gjeas dhe Uranit, Zeusi e gëlltiti Metisën (kur ajo ishte shtatëzënë me Athinën). Prandaj Zeusi arriti t’i jepte fund ciklit serial dhe të siguronte sundimin e tij të përjetshëm në botë.
Perënditë e para
Bota nisi me gjeneratën e vetvetishme (të paplanifikuar) të katër qenieve: në fillim u shfaq Kaosi (Boshllëku); më pas erdhi Gjea (Toka), “baza e sigurtë e gjithçkaje”; dhe Tartari “i errët” (Humnera), në thellësi të Tokës; dhe Erosi (Dëshira) “më i drejti nga të gjithë perënditë e pavdekshme”. Nga Kaosi erdhi Erebi (Errësira e thellë) dhe Niks (Nata). Dhe Niksi “nga bashkimi me dashuri” me Erebin krijuan Eterin (Dritën) dhe Imerën (Ditën). Nga Gjea erdhi Urani (Qielli), dhe Ourea (Malet), dhe Pontos (Deti).
Fëmijët e Gjeas dhe Uranit
Urani u çiftua me Gjean për të krijuar dymbëdhjetë titanët: Oqeanin, Koeusin, Kriusin, Hiperionin, Japetin, Theian, Rean, Themisën, Mnemosinën, Foebën, Tetisën, dhe Kronosin; ciklopët: Brontin, Steropin, dhe Argesin dhe Njëqind-duarshit: Kotusin, Briareon, dhe Gigesin.
Fëmijët e Gjeas dhe gjakut të Uranit, dhe gjenitaleve të Uranit.
Kur Kronosi i preu organet gjenitale Uranit, nga gjaku i tij që spërkati tokën u krijuan Erinitë (Furitë), Gjigantët dhe Meliejtë (nimfat e frashërit). Organet gjenitale të Uranit ranë në det, nga të cilat u formua një shkumë prej të cilës u formua perëndesha Afrodita (në greqisht: afros = shkumë).
Pasardhësit e Niksit (Natës)
Ndërkaq, Niks (Nata) krejt e vetme krijoi fëmijët e saj të cilët janë: Moros (fatkeqësia), Ker (Fati), Thanatos (Vdekja), Hipnos (Gjumi), Oniri (ëndrrat), Momus (Faji), Oizis (Dhimbja), Hesperidat (të bijat e Natës), Moirea (E ardhmja), Kerat (Fatet), Nemesis (Ndëshkimi), Apate (Mashtrimi), Filota (Dashamirësia), Geras (Pleqëria), dhe Eris (Mosmarrëveshja).
Dhe vetëm nga Eris, erdhi Ponos (Mundimi), Lethe (Harresa), Limos (vdekja nga uria), Algea (vuajtja), Hisminai (Betejat), Makhai (luftrat), Fonoi (Vrasjet), Androktasiai (vrasjet e burrave), Neikea (Grindjet), Pseudea (Gënjeshtrat), Logoi (Historitë) Amfilogiai (Konfliktet), Dismonia (Konfuzioni), Ate (Rrënimi) dhe Horkos (Betimet).
Pasardhësit e Gjeas dhe Pontosit
Pas tredhjes së Uranit, Gjea u çiftua me djalin e saj Pontosin (Detin) duke prodhuar një varg pasardhësish të përbërë kryesisht nga hyjnitë e detit, nimfat e detit, dhe përbindëshat hibridë. Fëmija i tyre i parë Nereus (Plaku i Detit) u martua me Dorisën, një nga bijat e titanit Oqean dhe Tetisën, dhe krijuan Nereidat, pesëdhjetë nimfat detare, që përfshinin Amfitritën, Thetisën, dhe Psamathen dhe Neritin të vetmin djalë. Fëmija i tyre i dytë Thaumas, u martua me Elektrën, një tjetër bijë e Oqeanit, dhe pasardhësi i tyre ishte Irisa (Ylberi) dhe dy Harpitë: Aello dhe Osipeta.
Fëmija i tretë dhe i katërt i Gjeas dhe Pontosit, Forcis dhe Keto, u martuan me njëri-tjetrin dhe krijuan dy Graie: Pemfredon dhe Enion, dhe tre Gorgonë: Stenon, Eurialen, dhe Meduzën. Poseidoni u çiftua me Meduzën dhe linden dy pasardhës, kali me flatra Pagasus dhe Krisaori luftëtar, më vonë heroi Perseu i preu kokën Meduzës. Kriasori u martua me Kalirhoen, një vajzë tjetër e Oqeanit, dhe krijuan Gerionin me tre-koka. Më pas vjen Eshidna gjysëm-nimfë e gjysëm-gjarpër (e ëma është e paqartë, ndoshta Keto, apo ndoshta Kalirhoe). Pasardhësi i fundit i Ketos dhe Forcisit ishte një gjarpër (pa emër në Theogoni, por i quajtur Ladon më vonë, nga Apollodori) i cili ruan mollët e arta.
Pasardhësit e Eshidnas dhe Tifonit
Gjea u çiftua me Tartarin për të prodhuar Tifonin, i cili u martua me Eshidnën, duke krijuar disa përbindsha si pasardhës. Tre pasardhësit e tyre të parë ishin Orthus, Cerberus, dhe Hidra. Pastaj vjen Shimera (nëna e së cilës është e paqartë, Eshidna ose Hidra). Më në fund Orthus (i biri i Eshidnës ose Hidrës) krijoi dy pasardhës Sfinksin dhe Luanin e Nemeas.
Pasardhësit e Titanëve
Titanët, Oqeani, Hiperioni, Koeus, dh Kronos u martuan me motrat e tyre Tetisën, Theian, Foebën dhe Rean, dhe Krius u martua me gjysëm-motrën Euribian, të bijën e Gjeas dhe Pontosit. Nga Oqeani dhe Tetisa erdhën tremijë perëndi deti (duke përfshirë Nilin, Alfeun, dhe Skamanderin) dhe tremijë nimfa lumi Oqeanide (përfshirë Dorisën, Elektrën, Kalirhoen, Stiksin, Klimenën, Metisën, Eurinomen, Persen dhe Idian). Nga Theia dhe Hiperioi lindi Helios (Dielli), Selena (Hëna), dhe Eos (Agimi), dhe nga Krius dhe Euribia erdhën Astraios, Pallas, dhe Perses. Nga Eos dhe Astraios erdhën erërat: Zefirus, Boreas, dhe Notos, Eosforos (Ylli i Mëngjesit), dhe Yjet. Nga Pallas dhe Stiksi Oqeanid erdhi Zelus (Lakmia), Nike (Fitorja), Kratos (Pushteti), dhe Bia (Forca).
Nga Koeus dhe Foeba erdhën Letona (Leto) dhe Asteria, të cilat u martuan me Persesin, duke krijuar Hekaten, dhe nga Kronosi dhe Rea erdhën Hestia, Demetra (Dhimitra), Hera, Poseidoni, Hadi dhe Zeusi. Titani Japet u martua me Klimenën Oqeanide dhe krijuan Atlasin, Monoetiusin, Prometeun dhe Epimetheusin.
Fëmijët e Zeusit dhe të shtatë grave të tij
Zeusi u martua me shtatë gra. Gruaja e tij e parë ishte Metisa Oqeanide, me të cilën ai krijoi Athinën, më pas, me këshillën e Gjeas dhe Urani, ai gëlltiti Metisën në mënyrë që asnjë fëmijë i saj të mos i merrte pushtetin, siç i ishte parathënë, por Athina lindi më pas nga koka e Zeusit. Gruaja e dytë e Zeusit ishte halla e tij Titanesha Themis, e cila solli në jetë tre Horae (Stinët): Eunomia (Ligjshmëria), Dike (Drejtësia), Eirena (Paqja); dhe tre Moirai (Fatet): Klotho (Flutura), Lakesis (Shpërndarësi i tokës), dhe Atropos (i papërkulshmi). Zeusi më pas u martua me gruan e tij të tretë, një tjetër bijë e Oqeanit, Eurinoma, e cila solli në jetë tre Karite (hijeshitë): Aglaea (Shkëlqimi), e cila u martua me Hefestin, Eufrosina (Gëzimi), dhe Thalia (Festimi).
Gruaja e katërt e Zeusit ishte motra e tij, Dimitra, e cila lindi Persefonën. Gruaja e pestë e Zeusit ishte një tjetër hallë e tij, Titanesha Mnemosina, nga e cila erdhën nëntë Muzat: Klio, Euterpa, Thalia, Melpomena, Terpsikora, Erato, Polimnia, Urania dhe Kaliopa. Gruaja e tij e gjashtë ishte një hallë tjetër e tretë, titanesha Leto (Letona), e cila solli në jetë Apollonin dhe Artemisën. Gruaja e shtatë dhe përfundimtare e Zeusit ishte motra e tij Hera (greqisht: Ira), e cila me Zeusin lindi Heben, Aresin, dhe Eilithian.
Kur Zeusi “lindi” vetë Athinën, nga koka e tij, kjo e zemëroi Herën aq shumë saqë ajo krijoi, vetvetiu, djalin e saj personal Hefestin, perëndinë e zjarrit dhe farkëtarëve.
Zeusi gjithashtu krijoi gruan e parë njerëzore, Pandorën.
Pasardhës të tjerë me prindër hyjnorë
Nga Poseidoni dhe Nereida Amfitrite lindi Tritoni, dhe nga Aresi dhe Afrodita erdhi Fobos (Frika), Deimos (Tmerri), dhe Harmonia. Zeusi, me Majën të bijën e Atlasit, krijuan Hermesin, dhe me Alkmenën njerëzore, ai krijoi Herkulin (Herakliun), i cili u martua me Heben. Zeusi dhe Semela njerëzore, e bija e Harmonisë dhe Kadmusit, themeluesit dhe mbretit të parë të Tebës, krijuan Dionisin, i cili u martua me Ariadnen, të bijën e Minosit, mbretit të Kretës. Helios (Ilios) dhe Persea Oqeanide krijuan Kirçen, Aitisin, i cili u bë mbret i Kolkisit dhe u martua me Idian Oqeanide, duke krijuar Medean.
Fëmijë të nënave hyjnore me baballarë njerëzorë
Perëndesha Dhimitra (Demetra) u bashkua me Jasionin njerëzor për të prodhuar Plutosin. Përveç Semelës, perëndesha Harmonia dhe Kadmusi njerëzor krijuan gjithashtu Inon, Agaven, Autonoen dhe Polidorin. Eos (perëndesha e agimit) me Tithonin njerëzor, krijuan heroin Memnon, dhe Emathionin, dhe me Kefalin, prodhuan Faitonin. Medea me Jasonin njerëzor, prodhuan Mediusin, Nereida Psamathe me Aiakusin njerëzor, krijuan Fokusin, Nereida Thetis, me Peleun krijuan heroin trojan Enean. Me heroin Odisé, Kirçe do të lindte Agriun dhe Latinin, dhe Kalipso e bija e Atlasit do t’i lindte Odiseut dy djem, Nausitosin dhe Nausinousin.
Influenca në filozofinë më të hershme greke
Në Teogoni, origjina (arke, nga ku vjen arkeologjia) është Kaosi i quajtur gjithashtu uji. Në gjuhën e periudhës arkaike (shekujt 8-6 pr.e.s), arke përcakton burimin, origjinën, apo rrënjën e gjërave që ekzistojnë.
Në filozofinë e vjetër greke, arke është elementi apo burimi i parë i gjithçkaje, një natyrë e përhershme apo substancë që është ruajtur në breza nga pjesa e saj. Nga kjo rrjedh gjithçka. Thales (shek. 7-6 pr.e.s), filozofi i parë grek, ka deklaruar që burimi i parë i gjithçkaje është uji.
Nga ana tjetër, në kozmogoninë orfike Kronosi i pavjetrueshëm prodhoi Eterin dhe Kaosin dhe prodhoi një vezë të argjendtë në Eterin hyjnor. Prej sa doli perëndia hermafrodit Fani, identifikuar nga orfikët si Erosi, i cili u bë krijuesi i botës.
Disa ide të ngjashme shfaqen në kozmologjitë vedike dhe hindu. Në kozmologjinë vedike (indiane) universi u krijua nga asgjëja nga me anë të nxehtësisë së madhe. Në kozmologjinë hindu, në fillim nuk kishte asgjë në univers përveç errësirës dhe thelbit hyjnor që largoi errësirën dhe krijoi ujrat fillestare. Fara e tij prodhoi embrionin universal, nga i cili erdhi gjithçka tjetër.
Në historinë babilonase të krijimit Enuma Elish universi ishte në një gjendje të paformë dhe përshkruhej si një kaos ujor. Prej kësaj dolën dy perënditë e para, mashkulli Apsu dhe femra Tiamat, dhe një perëndi i tretë që është bërësi Mummu me fuqinë e tij për fillimin e lindjes kozmike.
Në Zanafillë, bota në gjendjen e saj fillestare pas krijimit të saj përshkruhet si “e paformë dhe bosh”. Elohim urdhëroi që të bëhet dritë, ndërsa shpirti i Elohimit lëvizte në sipërfaqen e ujrave.
Edhe mitologjia nordike e përshkruan Ginnungagapin si një humnerë fillestare nga e cila dolën krijesat e para të gjalla, duke përfshirë gjigantin Ymir trupi i të cilit u bë përfundimisht bota, gjaku i të cilit u bë det, dhe kështu me radhë; një tjetër version përshkruan origjinën e botës si rezultat i pjesëve të zjarrta dhe të ftohta të Helit që përplasen.
Mitologjia krahasuese
Disa studiues janë marrë me lidhjet linguistike ndërmjet miteve dhe kulturave të ndryshme. Për shembull, ngjashmëritë ndërmjet emrave të perëndive në kultura të ndryshme. Një shembull veçanërisht i suksesshëm i këtij trajtimi është studimi i mitologjisë indoeuropiane. Studiuesit kanë gjetur ngjashmëri të habitshme ndërmjet termave mitologjike dhe fetare të përdorura në kultura të ndryshme të Europës dhe Indisë. Për shembull, perëndia greke e qiellit, Zeusi Pater (ati Zeus), prëndia romake e qiellit Ju-Piter dhe perëndia indiane (vedike) e qiellit Dyaus Piter kanë emra të njëjtë nga ana linguistike.
Kjo sugjeron që grekët, romakët dhe indianët e kanë origjinën nga një kulturë e lashtë e përbashkët, dhe emrat Zeus, Jupiter, Dyaus, dhe Tiu gjerman (nga ku rrjedh Tues-day) kanë evoluar nga një emër i vjetër, Dyaus Piter (Ju-Piter) të cilët i referohen perëndisë apo atit qiell (Dyeus = Qiell, Piter=atë) në një religjion para-indo-iranian.
Kemi gjithashtu mitin e përmbytjes së madhe. Në disa raste, përmbytja lë vetëm një mbijetues apo grup mbijetuesish. Për shembull, si Poema Epike banilonase e Gilgameshit ashtu edhe Bibla hebraike na tregojnë për një përmbytje globale që zhduku njerëzimin dhe një njeri i cili shpëtoi speciet e Tokës duke i marrë ato mbi një varkë. Histori të ngjashme me vetëm një mbijetues të përmbytjes shfaqet në mitologjinë hindu si edhe në mitologjinë greke dhe azteke.
Perëndi që vdesin dhe ringjallen
Shumë mite paraqesin një perëndi që vdes dhe shpesh kthehet në jetë. Mite të tilla janë veçanërisht të zakonshëm në mitologjitë e Lindjes së Afërt. Antropologu Sir James Frazer i krahasoi këto mite me “perëndi që vdesin” në veprën e tij shumë voluminoze Dega e Artë. Perëndia egjiptiane Osiris dhe perëndia mesopotamiane Tamuz janë shembuj të “perëndisë që vdes”, ndërsa mitet greke të Adonisit (njerëzor) janë krahasuar shpesh me Osirin dhe miti i Dionisit gjithashtu paraqet vdekje dhe rilindje. Disa studiues kanë vënë re ngjashmëri ndërmjet historive politeiste të “perëndive që vdesin” dhe historisë kristiane të Jezusit të Nazaretit.
Axis mundi (aksi i botës)
Shumë mitologji përmendin një vend që vendos qendrën e botës dhe vepron si një pikë kontakti ndërmjet niveleve të ndryshme të universit. Ky “axis mundi” është shënuar shpesh nga një pemë e shenjtë apo tjetër objekt mitik. Për shembull, shumë mite përshkruajnë një pemë të madhe apo një shtyllë që lidhet me qiellin, tokën dhe botën e nëndheshme. India vedike, Kina e lashtë, dhe gjermanët e lashtë të gjithë kanë pasur mitet që paraqesin një “Pemë Kozmike” degët e të cilit arrijnë qiellin dhe rrënjët arrijnë ferrin.
Titanomacia
Shumë kultura kanë një mit krijimi në të cilin një grup perëndish të reja, më të cilvilizuara mundin apo luftojnë kundra një grupi më të vjetër perëndish të cilët përfaqësojnë forcat e kaosit.
Në mitologjinë hindu, perënditë (devas) e reja luftojnë me demonët (asuras) e vjetër, ndonëse të dyja palët kanë lindur nga i njëjti baba, Kashyap, nipi i Brahmas.
Në mitin grek të Titanomacisë, perënditë e Olimpit mundin titanët, një racë të vjetër hyjnore më të hershme, dhe vendosin rregullin botëror. Po kështu, perënditë kelte të jetës dhe dritës luftojnë kundra Fomorianëve, perëndi të hershme të vdekjes dhe errësirës.
Ky mit i perëndive që mundin demonët – dhe rregulli që mund kaosin (rrëmujën) – është i zakonshëm veçanërisht në mitologjitë indoeuropiane. Disa studiues sugjerojnë që miti pasqyron pushtimin e lashtë indoeuropian të vendasve gjatë shtrirjes së tyre në Europë dhe Indi.
Përktheu dhe përshtati N. Herceku (astro-mitolog)