PARIMET DELFIKE – Τrashëgimia e madhe e urtësisë greke për njerëzimin.
Parimet Delfike janë një grup frazash urtësie (aforizma) të gdhendura në Delfi, Greqi. Fillimisht, ato thuhej se ishin dhënë nga Orakulli i Apollonit në Delfi dhe për këtë arsye i atribuohen vetë Apollonit.
Parimet besohet gjithashtu se kanë ardhur nga Shtatë Dijetarët e Greqisë antike:
1) Thalesi i Miletit (rreth 624 - rreth 546 pr.e.s) ishte filozof, matematikan dhe astronomi i parë i njohur. Këshilla e tij, "Njih veten", ishte gdhendur në ballin e përparmë të tempullit të Apollonit në Delfi. Ndoshta ky është parimi më i famshëm.
2) Pitaku i Mytilenës (rreth 640 - 568 pr.e.s) qeverisi Mytilenën (Lesbos). Ai u përpoq të zvogëlonte pushtetin e fisnikërisë dhe ishte në gjendje të qeveriste me mbështetjen e popullit, të cilin e favorizonte.
3) Biasi i Prienës (rreth shek. VI pr.e.s) ishte një politikan dhe ligjvënës i shekullit të 6 pr.e.s.
4) Soloni i Athinës (rreth 638 - 558 pr.e.s) ishte një ligjvënës dhe reformator i njohur nga Athina, i cili krijoi ligjet që formësuan demokracinë athinase.
5 dhe 6) Ekzistojnë mendime të ndryshme rreth dijetarit të pestë dhe të gjashtë: Kleobulos, tiran i Lindosit (rreth 600 pr.es.), i raportuar si gjyshi ose vjehrri i Thalesit; Perianderi i Korinthit (rreth 634 pr.e.s -585 pr.e.s); Mysoni i Khenaes (shek. 6 pr.e.s); Anakharsis Skithiani (shek. 6 pr.e.s).
7) Khiloni i Spartës (rreth 555 pr.e.s) ishte një politikan spartan të cilit i atribuohej militarizimi i shoqërisë spartane.
Në rrënojat e qytetit helenistik të Ai-Khanoum (ish mbretëria greko-bakteriane, dhe Afganistani modern), në një monument përkujtimor, i identifikuar në greqisht si varri i Kineasit (i përshkruar edhe si themelues i kolonive helene aty pas pushtimeve të Aleksandrit) dhe që daton nga 300-250 pr.e.s, është gjetur një mbishkrim që përshkruan një pjesë të parimeve delfike.
Më poshtë janë renditur shumica e parimeve të shkruara në Delfi.
Parimet e Apollonit
1.Ἕπου θεῷ = Ndiq perëndinë (Apollon).
2. Νόμῳ πείθου = Bindju ligjit.
3. Θεούς σέβου = Respekto perënditë.
4. Γονεῖς αἰδοῦ = Respekto prindërit tuaj.
5. Ἡττῶ ὑπὸ δικαίου = Bëj çfarë është e drejtë.
6. Γνῶθι μαθών = Mbaj mend ato që ke mësuar.
7. Ἀκούσας νόει = Kupto çfarë ke dëgjuar.
8. Γνώθι σαυτόν = Njih vetveten
9. Γαμεῖν μέλλε = Planifiko për t’u martuar.
10. Καιρὸν γνῶθι = Njih mundësitë që ke.
11. Φρόνει θνητά = mendo si njeri i vdekshëm.
12. Ξένος ὢν ἴσθι = Nëse je i huaj vepro si i tillë.
13. Ἑστίαν τίμα = Ndero shtëpinë.
14. Φίλοις βοήθει = Ndihmo miqtë.
15. Θυμοῦ κράτει = Kontrollo zemërimin tënd.
16. Φρόνησιν ἄσκει = Bëj kujdes.
17. Πρόνοιαν τίμα = Ndero perëndinë
18. Ὅρκῳ μὴ χρῶ = Mos u beto.
19. Φιλίαν ἀγάπα = duaj miqësinë.
20. Παιδείας ἀντέχου = përqendrohu te edukimi yt.
21. Σοφίαν ζήλου = digju për dituri
22. Καλὸν εὖ λέγε = Lëvdo perëndinë (Apollon)
23. Ψέγε μηδένα = Mos fajëso askënd.
24. Φίλοις εὐνόει = bëju nder miqve.
25. Ἐχθροὺς ἀμύνου = Mbrohu nga armiqtë.
26. Εὐγένειαν ἄσκει = tregohu fisnik.
27. Κακίας ἀπέχου = Shmang të keqen.
28. Κοινὸς γίνου = Ji i shoqërueshëm.
29. Ἴδια φύλαττε = Ruaj çka është e jotja.
30. Αλλοτρίων ἀπέχου = Shmang gjërat e të tjerëve.
31. Ἄκουε πάντα = Dëgjo çdo gjë.
32. Εὔφημος ἴσθι = Njihu për mirë.
33. Μηδὲν ἄγαν = Mos e tepro me asgjë.
34. Χρόνου φείδου = Mos e kalo kohën kot.
35. Ὕβριν μίσει = Përbuze paturpësinë.
36. Ἱκέτας αἰδοῦ = Respekto ata që të luten.
37. Πᾶσιν ἁρμόζου = Mos ia prish qejfin kujt.
38. Υἱοὺς παίδευε = Εduko fëmijët.
39. Ἔχων χαρίζου = Kur ke, jep.
40. Δόλον φοβοῦ = Friksoju mashtrimit.
41. Εὐλόγει πάντας = Fol mirë për gjithëkënd.
42. Φιλόσοφος γίνου = Ji kërkues i dijes.
43. Γνοὺς πρᾶττε = Vepro me mirë-informim.
44. Φόνου ἀπέχου = Shmang Vrasjen.
45. Εὔχου δυνατά = Lutu me gjithë fuqinë që ke.
46. Σοφοῖς χρῶ = Shoqërohu/ konsultohu me të mençur.
47. Λαβὼν ἀπόδος = Kthe çfarë ke marrë.
48. Ὑφορῶ μηδένα = Mos nënvlerëso askënd.
49. Τέχνῃ χρῶ = Përdor aftësitë që ke.
50. Ὃ μέλλεις, δός = Bëj atë që mendon.
51. Εὐεργεσίας τίμα = Vlerëso një nder që të bëhet.
52. Φθόνει μηδενί = Mos ki zili askënd.
53. Φυλακῇ πρόσεχε = Ruaj veten.
54. Ἐλπίδα αἴνει = Shpreso gjithmonë.
55. Διαβολὴν μίσει = Përçmo shpifjet/ përgojimet.
56. Δικαίως κτῶ = Merre diçka në zotërim me drejtësi.
57. Ἀγαθοὺς τίμα = Ndero njerëzit e mirë.
58. Γάμους κράτει = Ndero martesën tënde.
59. Τύχην νόμιζε = Prano fatin tend.
60. Ἁπλῶς διαλέγου = Fol qartë/ thjeshtë
61. Δαπανῶν ἄρχου = kontrollo shpenzimet.
62. Κτώμενος ἥδου = Ji i lumtur me çfarë ke.
63. Εὐτυχίαν εὔχου = Lutu për lumturi.
64. Ἀκούων ὅρα = kur dëgjon, vrojto.
65. Ἐργάζου κτητά = Puno për atë që ia vlen të fitosh.
66. Ἔριν μίσει = Përçmo grindjen.
67. Γλῶτταν ἴσχε = Freno gjuhën.
68. Χρῶ χρήμασιν = Përdor çfarë ke.
69. Ἀδωροδόκητος δίκαζε = Gjyko pa u korruptuar.
70. Λέγε εἰδώς = Fol kur di.
71. Βίας μὴ ἔχου = Mos dhuno.
72. Ὁμίλει πράως = Fol sjellshëm.
73. Πέρας ἐπιτέλει μὴ ἀποδειλιών = mbaro çfarë ke nisur.
74. Υἱοῖς μὴ καταρῶ = Mos mallko fëmijët tuaj.
75. Ἀποκρίνου ἐν καιρῷ = Jepe përgjigjen në kohë.
76. Πόνει μετ’ εὐκλείας = Lufto me lavdi.
77. Πρᾶττε ἀμετανοήτως = Vepro pa u penduar.
78. Ἁμαρτάνων μετανόει = Pendohu për mëkatet.
79. Πρᾶττε συντόμως = Vepro shpejt.
80. Φιλίαν φύλαττε = Ruaj miqësinë.
81. Εὐγνώμων γίνου = Ji mirënjohës.
82. Ὁμόνοιαν δίωκε = Ndiq harmoninë.
83. Ἄρρητον κρύπτε = Ruaj sekretet.
84. Τὸ κρατοῦν φοβοῦ = Friksoju pushtetarëve.
85. Τὸ συμφέρον θηρῶ = Ndiq atë që është e dobishme.
86. Καιρὸν προσδέχου = Prano kohën që kalon.
87. Ἔχθρας διάλυε = Shmangni armiqësitë/ urrejtjen.
88. Γῆρας προσδέχου = Prano plakjen.
89. Ἐπὶ ῥώμῃ μὴ καυχῶ = Mos u mburr për fuqinë që ke.
90. Πλούτει δικαίως = Vë pasuri në mënyrë të drejtë.
91. Κινδύνευε φρονίμως = Rreziko me kujdes.
92. Μανθάνων μὴ κάμνε = Mos u lodh së mësuari.
93. Χρησμοὺς θαύμαζε = Admiro orakujt (profetët).
94. Ἀπόντι μὴ μάχου = Mos iu kundërve atij që mungon.
95. Πρεσβύτερον αἰδοῦ = Respekto të moshuarit.
96. Νεώτερον δίδασκε = Mëso më të vegjlit.
97. Πλούτῳ ἀπίστει = Mos i beso pasurisë.
98. Σεαυτὸν αἰδοῦ = Respekto vetveten.
99. Μὴ ἄρχε ὑβρίζειν = mos qeveris me arrogancë.
100. Προγόνους στεφάνου = Ndero paraardhësit.
101. Θνῆσκε ὑπὲρ πατρίδος = Vdis për vendin tënd.
102. Τῷ βίῳ μὴ ἄχθου = Mos ji i pakënaqur nga jeta.
103. Ἐπὶ νεκρῷ μὴ γέλα = Mos tall të vdekurin.
104. Ἀτυχοῦντι συνάχθου = Ndihmo fatkeqin.
105. Χαρίζου ἀβλαβῶς = Kënaqu pa dëmtuar (askënd).
106. Ἐπαγγέλλου μηδενί = Mos i premto askujt.
107. Φθιμένους μὴ ἀδίκει = Mos fajëso të vdekurin.
108. Παῖς ὢν κόσμιος ἴσθι = Kur je fëmijë sillu mirë.
109. Ἡβῶν ἐγκρατής = Kur je i ri disiplino (kontrollo) veten.
100. Μέσος δίκαιος = Kur je në moshë mesatare ji i drejtë.
111. Πρεσβύτης εὔλογος = Kur je plak ji i ndjeshëm.
112. Τελευτῶν ἄλυπος = Kur të afrojë vdekja mos u hidhëro.