Historia dhe origjina e astrologjisë
Njerëzit e parë mbi tokë të quajtur homosapiens kishin frikë nga të gjitha fenomenet natyrore që shikonin. Në në vërtetë, shtërngatat, stuhitë, vetëtimat, tërmetet, vullkanet, eklipset, Dielli, Hëna, yjet, kometat etj. ishin dukuri që ata nuk i kuptonin. Këto dukuri (fenomene) që ata nuk kuptonin dhe që nuk dinin se si t’i kontrollonin (mposhtnin) u kthyen në forca të mbinatyrshme, në perëndi. Qielli që për ata ishte i paarritshëm, ishte vendbanimi i zotave. Pra, që prej mijëra vitesh, njerëzit kanë vëzhguar qiellin për të kuptuar mesazhet e perëndive (zotave).
Dokumentat më të lashta që njihen deri sot e kanë burimin nga Mesopotamia rreth 3.800 vjet pr.e.s. Janë gjetur tabela të pozicioneve planetare nga Egjipti i lashtë që janë shumë të vjetra dhe që mund të datojnë pak a shumë në të njëjtën epokë si tabletat e argjilit të Mesopotamisë. Sfinksi lidhet (përshtatet) me lindjen e Diellit në yllësinë e Luanit dhe ndoshta nuk ka qënë ndërtuar nga egjiptianët, por vetëm i rimodeluar prej tyre, mendohet që Sfinksi ka një moshë 12 000 vjeçare. Nëse kjo datë është e saktë astrologjia është akoma më e vjetër nga sa mendohet. Piramida e Keopsit është orientuar drejt njëfarë kulmi të Siriusit dhe disa kulmeve të yjeve të mëdhenj të Orionit. Gjithashtu mund të shohim simbole astrologjike te varri i faraonit Ramsesi II (1304- 1234 pr.e.s).
Në Europë, gjejmë gjurmë të astrologjisë në Angli “Stonehenge” dhe në Francë “Carnac” (2000 pr.e.s). Në shekullin e tretë pr.e.s në Kinë, astrologët këshillonin perandorin sipas cikleve hënore. Gjejmë gjithashtu gjurmë të astrologjisë në civilizimet parakolombiane pikërisht tek aztekët, në Indi, në Kinë etj.
Historia e astrologjisë
Nga të gjitha astrologjitë e lashta, ajo që i ngjan më shumë astrologjisë sonë perëndimore është ajo e bërë nga priftërinjtë në Mesopotami. Mund të gjeni dokumentacione mbi këtë vend në këtë epokë në librin e Georges Roux “La Mésopotamie édition Le Seuil, Paris, 1985”. Priftërinjtë përshkruanin të gjitha vëzhgimet e qiellit, yjet fikse dhe planetët e dukshëm të cilët konsideroheshin si yje endacakë. Të gjitha këto vëzhgime janë shkruar në tableta prej argjili. Mbi disa nga këto tableta, gjejmë lëvizjet e Diellit dhe të Hënës me një saktësi të mahnitshme. Janë gjetur katalogje yjesh që datojnë më shumë se 2000 vjet pr.e.s. Në Elba, është gjetur një mbishkrim që daton që prej 2400 vjet pr.e.s. që flet për Plejadat.
Në këtë epokë mendohej që Toka ishte qendra e gjithçkaje dhe që të gjithë trupat qiellorë sillen rreth saj. Yjet silleshin përreth Tokës por qëndronin të fiksuar në një drejtim përveç 5 trupave qiellorë që dukeshin sikur lëviznin përpara apo ktheheshin mbrapa por gjithmonë në të njëjtën trajektore (rrugë). Këta 5 trupa qiellorë që konsideroheshin si yje endacakë nuk ishin tjetër veçse pesë planetët që shiheshin me sy të lirë, Merkuri, Venusi, Marsi, Jupiteri dhe Saturni.
Në Mesopotami, astrologjia praktikohej nga priftërinjtë të cilët vëzhgonin qiellin për të kuptuar mesazhet e perëndive në mënyrë që të mbronin familjen mbretërore dhe vendin. Këta zota nuk premtojnë shpëtimin, parajsën, merren me jetën në tokë dhe me situatat aktuale, marrëdhëniet me fatin, raportet me forcat e natyrës. Mesopotamët nuk kanë besuar kurrë që yjet (planetët) duke qënë të tillë mund të ushtronin një ndikim mbi jetën njerëzore.
Forcat e natyrës qeverisen nga perënditë dhe perënditë janë planetët. Për mesopotamët qielli ishte tregues i vullnetit hyjnor. Shembuj të teksit të gjetur:
Nëse Venusi shfaqet në Lindje në muajin Airu dhe nëse Binjakët e Mëdhenj dhe të Vegjël e rrethojnë të katërt, dhe nëse është i zymtë, atëherë mbreti i Elamit do të bjerë i sëmurë dhe do të vdesë.
Ja eklipsi i Diellit, vendi i princit do të shkatërrohet dhe do të bëhet gjëma, mbreti do të vdesë, perënditë do të zemërohen, gratë shtatëzëna do ta humbasin fëmijën e tyre, do të ketë tornado shkatërrues, prindërit do të shesin fëmijët e tyre për parà.
Nëse Venusi ndodhet nga lindja e Diellit në zonën e Virgjëreshës, domethënia e tij është po njësoj si te Peshqit kur afrohen me yllin në veprim, korrjet do të jenë me bollëk dhe bagëtitë do të rrinë nëpër fusha.
Kur Merkuri bën retrogradë në qiell, apo nëse Merkuri është përkrah Marsit, do të shtohen hajdutët në vend.
Kur priftërinjtë astrologë shikonin në qiell shenja të këqija (për shembull një eklips), ata krijonin figura të mbinatyrshme dhe rituale, bënin sakrifica për të pasur përkrahjen e zotave. Nëse kishte rrezik për mbretin, ata bënin sakrifica zëvendësimi. Dikush do të trajtohej si mbret gjatë një periudhe kohe (maksimumi 100 ditë), pastaj ai do të flijohej. Gjatë kësaj kohe, mbreti do të quhej ‘kultivues’. Pas kësaj sacrifice mbreti merrte përsëri vendin e tij. Kështu ata çliroheshin nga eklipsi (shpirti i keq).
Në Mesopotaminë e lashtë, është vënë re që pothuajse e gjithë simbolika e planetëve është tashmë aty, megjithëse me ndryshime të mëdha. Hëna ka më shumë rëndësi se Dielli, e quanin frut që ha vetveten, është ylli i kohës, është sidomos raporti i saj me rritjen dhe me bimësinë që vihet më shumë në dukje. Dielli konsiderohej gjykatës i qiellit dhe i tokës, është e kundërta e vdekjes, armiku i errësirës. Ai që mbretëron në mitologjinë babilonase, është Venusi (Ishtar). Venusi perëndesha e pjellorisë, por dhe perëndeshë luftëtare, është një planet i rëndësishëm në astrologji. Ka njëfarë fuqie, njëfarë dhune.
Kjo na tregon që me kohën, çdo kulturë ka futur brenda vetes elementë të simbolizmit të astrologjisë. Gjëja më misterioze në rrafshin e teorisë së astrologjisë përsa i përket Mesopotamisë së lashtë, është teoria e ngritjeve (planetët në ngritje). Kjo teori e ngritjeve ka kaluar në çdo epokë dhe në Mesjetë, derisa thuhej që Saturni në ngritje te Peshorja ishte më i fortë se Venusi në shtëpinë e tij në Peshore. Kjo teoria e ngritjeve ka mbetur shumë e rëndësishme.
1000 vjet pr.e.s.
Datë e përafërt me teksin e Mul-Apinit me hartën e 66 yllësive të shpërndara në 3 udhët paralele me ekuatorin. Çdo grup (konfigurim) është konsideruar si rruga e një perëndie që hyn nga portat e vendosura në horizont.
Teksti i Mul-Apinit tregon shumë gjëra:
1. Datën e ngritjeve heliake;
2. Lindjen, kalimin në zenit dhe perëndimin e yjeve;
3. Përshkrimin e udhës së Hënës;
4. Të dhëna mbi planetët;
5. Si të përshtasim vitet hënore me vitet diellore?
6. Një tabelë që jep ndryshimet e orës (hijes diellore) gjatë gjithë vitit;
7. Udhëzime për të përdorur një sahat prej uji;
8. Një listë e ogurëve (shenjave).
Ky tekst na flet për 18 yjësi në të cilat gjejmë tashmë edhe shenjat e zodiakut
1. Argati (Dashi)
2. Yjet (Plejadat)
3. Demi i qiellit (Demi)
4. Bariu besnik i Anusë (Orioni)
5. Plaku (Perseu)
6. Shkopi i thyer (Karrocieri)
7. Binjakët e mëdhenj (Binjakët)
8. Gaforrja
9. Luani
10. Kalliri i elbit (Virgjëresha)
11. Peshorja
12. Akrepi
13. Pabilsagu (Shigjetari)
14. Dhia-peshk (Bricjapi)
15. Gjiganti (Ujori)
16. Bishtat (Peshqit)
17. Dallëndyshja (Peshqit Jug-perëndimor)
18. Anunitu (Peshqit Veri-lindor)
900 vjet pr.e.s
Datë e përafërt me shumë rëndësi për listën e ogurëve. Përbëhet nga 70 tableta të gdhëndura që mbledhin 7000 ogure të grumbulluara që prej mijëvjeçarit të dytë. Gjatë shekujve që ndiqnin babilonasit sipas listave (të ngjarjeve të vërtetuara më parë) dhe cikleve planetare arriten të parashikonin pozicionin e një planeti në të ardhmen.
Janë gjetur tabela të lëvizjeve planetare (efemeridet) që kaldeasit kishin formuar nën mbretërimin e mbretit Asurbanipal të Asirisë në shekullin VII pr.e.s. Babilonasit ishin të parët që e ndanë vitin duke ndjekur 12 shenjat e zodiakut. Ky zodiak është formuar sipas pozicionit të yjeve, pra është një zodiak sideral. Në atë epokë shënohej çdo gjë që ndodhte në qiell më shumë sesa shikoheshin fenomenet e rralla. Van Der Waerden e përcakton këtë epokë ndërmjet 630 dhe 450 pr.e.s.
570- 490 pr.e.s.
Pitagora, filozof dhe matematicien grek, i lindur në ishullin e Samosit, u stërvit (arsimua) në moshën 20 vjeçare në Egjipt, kaloi gjithashtu shumë kohë në Kretë, thuhet që ai ka takuar druidë, jogis, që ka shkuar në Lindjen e Mesme dhe në Krotonë (koloni greke në Italinë e Jugut) dhe ka themeluar shkollën filozofike nën emrin e pitagorizmit. Pitagoristët thonin që lëvizja e sferave është burimi i një tingulli muzikor, “harmonia e sferave”. Kjo ide do të përshtatej dhe do të përshkonte astrologjinë.
420 pr.e.s
Data e temave më të vjetra individuale të gjetura në Kaldé. Kemi parë që këto fillime të astrologjisë lidheshin me punët e shtetit dhe ngjarjet e mëdha të vendit (thatësirat, përmbytjet, luftrat, etj). pas vendosjes së zodiakut, u shfaq astrologjia e aplikuar për individët. Fëmijëve të porsalindur u bënin përcaktime (ogure) sipas shenjës astrologjike, planetëve dhe yjeve që shfaqeshin në qiell direkt pas lindjes së tij (tashmë dihet që ajo që shfaqej direkt pas lindjes, është në shtëpinë e parë në hartën e lindjes) etj.
Në tekstet e vjetra gjenden parashikime që janë bërë nga kaldeasit të cilat rezultojnë jashtëzakonisht të sakta, veçanërisht Aleksandri fitimtar ndaj Dariusit dhe pastaj mbretërit Antigonos dhe Selekos Nikatori pasardhësit e tij.
428 – 347 pr.e.s
Platoni thoshte: forma e përkryer është rrethi dhe sfera. Gjithçka që është frymëzuar sidomos në mënyrë rrethore, ndryshon shpirtin. Trupat qiellorë janë sferik dhe vizatojnë rrathë të rregullt, ata lëvizin duke ndjekur ligjin e rrethit dhe të spheres dhe që ky ligj i harmonisë është i njëjti me atë që përbën shpirtin njerëzor.
Prandaj, shpirtrat dhe yjet janë kushërinj dhe në yje ekzistojnë të njëjtat substanca si tek njeriu. Shpirti jeton me perënditë mbi planin e arketipave, ai jeton mbi sferën e yjeve fikse dhe aty, përkulet mbi botë, ka parë lëndë me ngjyra dhe dhe të larmishme dhe ka dëshiruar të njohë këtë lëndë dhe dëshirën për të angazhuar këtë proces në mishërim. Ka zbritur përmes sferave astrologjike deri mbi planin e elementëve përpara se të marrë një trup mbi tokë. Ekzistojnë dy porta, porta e perëndive dhe porta e njerëzve. Kur shpirti u josh nga lënda ai braktisi sferën e yjve fikse, u fut nga porta e Gaforres e cila është porta e njerëzve dhe rrëshqet mbi zodiak, pi me gotën e Dionisit dhe aty, humbet kujtimin e kushteve të tij hyjnore dhe kalon në sfera të ndryshme planetare deri në botën e mishërimit.
1. Nga Saturn, merr arsyetimin, inteligjencën dhe aftësitë soditëse.
2. Nga Jupiteri, merr forcën e veprimit.
3. Nga Marsi, merr iniciativën, guximin dhe afshin.
4. Nga Dielli, merr vetëdijën, aftësitë që të bëjnë të ndjesh dhe të imagjinosh.
5. Nga Venusi, merr lëvizjen e dëshirave.
6. Nga Merkuri merr aftësinë e të shprehurit, dhe të thotë atë që ndjen.
7. Nga Hëna, merr ngjizjen dhe rritjen e trupit.
Pastaj shpirti arrin në sferën e elementëve, në botën tokësore në të cilën jetojmë dhe aty, ai lind.
Kur astrologu e shikon klientin që do të këshillohet, e shikon si një seri rrobash dhe jo si dikë që identifikohet me problemet dhe komplekset e tij. Ai e shikon si një qënie të gjallë që vjen nga një tjetër nivel (niveli shpirtëror, hyjnor), ai i shikon veshjet e ndryshme astrologjike si mbivendosje të fatit dhe të karakterit të tij, dhe karakteri është fati i tij.
Për astrologët e lashtësisë, raporti me fatalitetin vendoset në një mënyrë krejtësisht ndryshe meqënëse secili është një shpirt hyjnor dhe që shprehjet e personalitetit nuk janë tjetër veçse veshje (rroba), mbulesa trupore.
1. Te Hëna, braktis forcën e rritjes dhe zvogëlimit.
2. Te Merkuri, braktis shpirtligësinë, dinakërinë.
3. Te Venusi, brakits iluzionin e dëshirave.
4. Te Dielli, braktis krekosjen e komandimit dhe idetë ambicioze.
5. Te Marsi, braktis paturpësinë dhe guximin e tepruar.
6. Te Jupiteri, braktis orekset që jep pasuria.
7. Te Saturni, braktis gënjeshtrat që ngrihen nga kurthet.
Tema yjore është një udhë e huazuar nga një ndërgjegje që vjen nga një tjetër plan, që është e pajisur nga funksione të ndryshme dhe që operon mbi planin tokësor përmes këtyre funksioneve. Vetëdija (ndërgjegja) pasi i është nënshtruar fatit të lidhur me këto funksione do të thërritet në një moment të dhënë për të tejkaluar dhe për të rigjetur kushtin e saj të ndërgjegjës së pastër. Harta qiellore është një itinerar (udhë) e asaj që duhet të jetojë mbi planin tokësor dhe vullneti i lirë nuk njihet në këtë botë, përndryshe do të ishte në hartë.
Kjo nuk do të thotë që shpirti nuk është i gjallë, pikërisht është i gjallëruar nga kjo fuqi hyjnore që i mundëson të çlirohet nga të gjitha mbulimet planetare.
Në shekullin e tretë pr.e.s:
Qytetërimi grek u interesua për astrologjinë kaldease dhe e bëri atë të veten. Kaldeasit ua kalojnë grekëve njohuritë e tyre të mëdha në astronomi dhe astrologji. Grekët i japin astrologjisë kaldease llogjikën e tyre racionale, filozofinë e tyre, teorinë e katër elementëve, vendndodhjen dhe shtëpitë.
Një prift astrolog me emrin Barod i dha secilit planet emrin e një perëndie të panteonit grek. Grekët ishin të parët që e përhapën astrologjinë. Ata futen nocionin e studimit të fatit dhe parashikimeve individuale.
280 pr.e.s
Kaldeasit krijuan shkollën e parë të astrologjisë në ishullin e Kosit. Kontributi i qytetërimit grek ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm. Ishte ky i fundit që vendosi bazat kryesore astrologjike që ne përdorim sot.
Praktikisht në të njëjtën epokë, kaldeasit vendosen në Aleksandri të Egjiptit e cila në atë periudhë ishte nën sundimin grek. Me sa duket është në Aleksandri që janë bërë më shumë horoskope, gjë që i ka bërë disa historianë të mendojnë që origjina e horoskopeve ishte egjiptiane. Egjiptianët i shikonin shumë yjet, por në Egjiptin e lashtë, nuk gjejmë asnjë gjurmë të zodiakut.
Filozofia ndryshon, perënditë anohen (mbështeten) mbi një individ, dalim nga universi magjik ku perënditë ishin të gjithëpushtetshëm dhe vijmë në fushën e pyetjeve të mëdha:
A ndikohemi nga yjet (planetët)?
A është shumë i fortë ndikimi i yjeve?
Filozofia zhvillohet dhe sipas shkollës së mendimeve, do të kemi përgjigje të ndryshme. Në këtë moment shfaqet një ndarje e cila duket mjaft e rëndësishme, astrologjia ndahet në dy degë.
Një astrologji e parashikimit të së ardhmes e cila mbetet e lidhur me këtë univers magjik të Mesopotamisë dhe të Egjiptit të lashtë.
Një astrologji e ndikimit të yjeve.
Simbolizmi i Jupiterit dhe Saturnit në këtë epokë:
Në Greqi, Zeusi (Jupiteri) është një zot i fuqishëm dhe i tmerrshëm, ishte rrufeja. Zeusi ishte i pajisur me një fuqi shkatërrimtare që rrënonte gjithçka. Zeusi është një atlet, është kënaqësia për të jetuar, është fuqia e gëzimit. Jupiteri është një energji që na habit, ky ngjan me Dionisin, forcat primitive të mahnisë. Ai lidhet gjithashtu me shërbimet fetare.
Kronosi (Saturni) është planeti më i ngritur, sfera e ndërgjegjës më të ngritur (zhvilluar) në raport me dimensionin tokësor. Kur shpirti mishërohet, në fillim kalon nga Saturni. Saturni është forca që ndan njësinë e shpirtit të sferës së yjeve fikse dhe që e detyron të mishërohet duke kaluar nga një seri procesi.
Te Saturni ka një dualitet, një ambivalencë të jashtëzakonshme njëkohësisht edhe një forcë deformimi. Është ky që thotë jo, ai është realiteti i ashpër material, ai që ndërpret, dhe njëkohësisht është kalimi i detyrueshëm mbi udhën e pleqërisë. Në Mesopotaminë e lashtë, Saturni është një hero që luftonte kundër fuqive të kaosit për të shpëtuar tabletat e ligjit.
Kaos: në greqisht, është personifikimi i Zbrazëtisë themelore, që ekzistonte përpara krijimit. Tabletat e ligjit i jepnin atij që i zotëronte ato një fuqi (pushtet) mbi fatin. Forca e Saturnit është një fuqi që na pengon të biem në kaos, prandaj është ai që mban rregullin. Është nën ndikimin e monoteizmit që Saturni bëhet satanik.
200 vjet pr.e.s
Datë që përkon me pikturën më të vjetër të zodiakut të gjetur sot. Zodiaku i Esnas.
125 vjet pr.e.s
Astrologu dhe astronomi Hiparku i Nikeas zbulon lëvizjen e ekuinokseve. Ai vuri re që ka një hapësirë kohore (ndryshim) ndërmjet zodiakut sidereal (që lidhet me yjësitë) dhe zodiakut tropikal të bazuar mbi lëvizjen e dukshme të Diellit.
Në shekullin e parë të erës sonë, gjuha e astrologjisë ishte greqishtja, gjë që siguroi suksesin e saj. Megjithëse perandoria perse kishte qënë kozmopolite, asnjë gjuhë nuk mbizotëronte aty. Falë pushtimeve të Aleksandrit të Madh, një udhëtar që njihte greqishten mund të shkonte nga Kreta në Indi, nga Egjipti në Afganistan, duke qënë i kuptuar. Në këtë epokë, stoikët, përkrahësit (pasuesit) e astrologjisë, do të zhvillonin idenë e një astrologjie fataliste dhe deterministe (përcaktuese).
Në shekullin e dytë të erës sonë, Vettius Valens udhëtonte në Egjipt për të kërkuar mjeshtrat e traditave “të vjetra” astrologjike!
Vitet 120 – 180
Klaud Ptolemeu, astronom dhe astrolog, ka bërë një përmbledhje të dijeve astronomike dhe astrologjike greko-babilonase. Pikërisht ai formoi një katalog prej 1022 yjesh. Ai vendosi rregull sepse përziheshin supersticionet dhe traditat fetare. Ai do ta riorganizonte krejtësisht astrologjinë. Të gjitha këto kërkime mbi astrologjinë u shkruan në veprën e tij Tetrabiblos, manuali (udhëzuesi) i parë i madh i astrologjisë. Sot, ky manual mbetet një referencë për ne. Një përkthim shumë i mirë francez është botuar në vitin 2000 nën titullin “Libri unik i astrologjisë”.
Është sistemi astronomik i Ptolemeut që do të influencojë Perëndimin. Ptolemeu hedh poshtë astrologjinë parashikuese, ai e konsideron atë si një nën-produkt, një nën-kulturë të astrologjisë, dhe krijon astrologjinë “shkencore”.
U paraqit me një mendim, një formë kaq elegante, ku nuk ndihet gjithmonë determinizmi që është mbrapa. Astrologjia e Ptolemeut është një astrologji shumë deterministe, gjithçka është shkruar në qiell.
Në të njëjtën kohë, disa astrologë bëjnë astrologjinë horare. Kjo është një astrologji parashikuese dhe zhvillohet në një kontekst kryesisht fetar, përpara se të kryejmë një veprim, pyesim zotat. I bëhet pyetja astrologut dhe ky konsultohet me qiellin, nxjerr përfundimet e tij dhe jep përgjigjen. Astrologjia horare nuk është një astrologji deterministe, sepse nëse mund të bëjmë një pyetje, kjo nënkupton që mund të merremi me problemin në mënyra të ndryshme. Pra, ka liri zgjedhjeje.
Një hendek hapet përherë e më shumë ndërmjet përkrahësve të astrologjisë shkencore dhe asaj të astrologjisë parashikuese. Astrologjia horare nuk ka të njëjtat rregulla, është një tjetër astrologji, një tjetër sistem mendimi. Që atëherë astrologjia që rrjedh nga qytetërimi mesdhetar shtrihet në të gjithë Europën. Ajo hyn në Romë në dy shekujt e parë të erës sonë; ajo do të përdorej për qëllime politike dhe sociale, por do të përhapej gjithashtu edhe nga temat individuale.
Gjatë periudhës romake astrologët lartësoheshin ose hidheshin në gropat e luanëve. Pra astrologjia kishte interes të mos gabonte. Për këtë arsye progresi dhe efektshmëria e astrologëve kanë bërë një hap përpara.
Viti 180
Pak pas vdekjes së Klaud Ptolemeut, në kohën e rënies së perandorisë romake, astrologjia u dobësua dhe ra në duart e supersiticionit (bestytnive).
Në shekullin e tretë, Diogenes Laertius raporton që sipas Aristotelit, një kaldeas kishte parashikuar vdekjen e Sokratit me temën e tij të lindjes dhe që babai i Euripidit kishte mësuar karrierën e tij të ardhshme të shkëlqyer nga interpretimi i temës së të birit.
Nga shekulli III deri në shekullin X astrologjia u luftua ashpër nga kisha e cila e akuzoi atë se kishte lidhje me djallin (të keqen). Vetëm Zoti e di të ardhmen, dhe askujt nuk mund t’ia tregojë këtë sekret. Njeriu është një krijesë, ai duhet të përmbushë jetën e tij. Pjesa më e madhe e dënimeve të astrologëve ndodhen nga frika se mos Kisha do të humbiste pushtetin.
Viti 381
Këshilli i Laodikeas ndaloi klerikët e kishës të studionin astrologjinë.
Shekulli V
Këshilli i Toledos kërcënoi me shkishërim (mallkim) këdo që “ mendon që duhet t’i besohet astrologjisë apo parashikimeve të fatit”. Megjithatë, pak a shumë në fshehtësi, astrologjia vazhdonte të zhvillohej në Europë. Ashtu si në Romë disa shekuj më herët, në atë periudhë ishte në modë që zotërinjtë e mëdhenj të kishin astrologun e tyre.
Viti 529
Perandori Justiniani, nën ndikimin e gruas së tij perandoreshës Teodora, mbyll Shkollën e Athinës ku praktikohej akoma astrologjia shkencore. Të gjithë astrologët u ndoqen nga Bizanti dhe nga Greqia dhe mërguan pikërisht në Persi.
Duke nisur nga shekulli VII, arabët rikuperuan trashëgimin astrologjik kaldeo-grek, ku tekstet u përkthyen në arabisht. Ky qytetërim dallohej më shumë për mjekësinë dhe astrologjinë; qendra studimi, një observator i madh, dhe një bibliotekë u krijuan në Bagdad, që atëherë u bë kryeqyteti botëror i astronomisë dhe astrologjisë.
Ata përkthyen një numër të madh veprash antike që kodifikonin astrologjinë, ndërtuan astrolabe, dhe pasuruan këtë dije me zbulimet e tyre. Ata janë përgjegjësit e Pjesëve Arabe që përdoren edhe sot nga disa astrologë. Ata ishin kujdestarët e dijes astrologjike në Mesjetë, ashtu si edhe në fusha të tjera të kulturës.
Vitet 805 – 855
Albumas’ar ishte astrologu më i madh arab; traktati i tij “introductorium”, ishte një nga librat e tij të parë që arriti në Europë, nëpërmjet Spanjës, në fillim të Mesjetës.
Shekulli XI
Pierre Abélard për t’i shpëtuar rrufeve të Kishës, armike me fatalizmin e astrologjisë, bëri një dallim midis fenomeve natyrore të parashikueshme dhe gjërave të paparashikueshme, që varen nga perëndia hyjnore dhe lidhen vullnetarisht me njeriun.
Shekulli XII
Kalimi i shkencës (dijes) astrologjike nga arabët drejt Perëndimit mesjetar falë përkthimeve arabo-latine.
Viti 1125
Astrologjia jepej si mësim në Fakultetin e Bolonjës dhe që prej atëhere do të vendosej në të gjitha universitetet europiane, mbretërit dhe papati i jepnin mbështetjen e tyre, disa papë arriten madje ta studionin dhe ta praktikonin atë.
1225 – 1274
Saint-Thomas D’Aquin për të cilin vetëm pjesa fizike dhe e dëshirueshme e njeriut është e prirur nga ndikimi i yjeve, ndërsa shpirti u shpëton atyre. Për të, është e dukshme që ka një pjesëz hyjnore brenda nesh, ekziston një liri që na mundëson të shkëputemi nga determinizmi ynë astrologjik. Krishti ka ardhur për të na shpëtuar, ai na ka çliruar nga fati, nga djajtë, nga kaosi, pra nuk mund të ketë determinizëm.
1214 – 1294
Murgu anglez Roger Bacon ka dashur të bëjë një ndarje ndërmjet astrologjisë legjitime dhe astrologjisë që i kushtohet ndikimit djallëzor. Por inkuizicioni e burgosi atë për shumë vite.
1257 – 1315
Perre d’Abano, kundërshtar i madh i pushtetit pontifikal (peshkopal), e nxiti fatalizmin astrologjik deri në mohimin e vullnentit të lirë të njeriut dhe pra të mrekullive hyjnore. Sipas tij, të gjitha ngjarjet do të shpjegoheshin përmes revolucionit të planetëve. Vepra e tij duke u gjykuar si e rrezikshme nga Kisha, portreti i tij iu dogj pasi ai vdiq.
1270
Determinizmi absolut i astrologjisë arabe është i papërputhshëm me doktrinën e kishës, e cila e dënoi atë.
1320
Gjoni XXII dënon fallxhorët. Astrologu Cecco Ascoli autor i Acerba-s u dogj në 1327 ngaqë u përpoq të përcaktonte lindjen e Krishtit nën dritën e yjeve.
1450
Astrologjia jepet mësim në Sorbonë dhe në universitetet e tjera europiane.
1453
Gutenberg shtypshkrues gjerman perfeksionoi shtypshkronjën duke vënë për fije karakteret tipografike prej metali të lëvizshëm e cila shënon fillimin e shtypit. Kjo shpikje mundësoi përhapjen e trakteve astrologjike, almanakëve dhe efemerideve (kalendarëve astrologjikë). Këto publikime lehtësuan shumë llogaritjet e lodhshme të astrologëve dhe e përhapen astrologjinë në një publik të gjerë.
1463 – 1494
Xhovani Pik i Mirandolës së Fiorences, i cili megjithëse ishte një kabalist shenjtor i nderuar dhe i dalluar si një dijetar, një enciklopedist i tmerrshëm dhe që menjëherë hedh pamfleta duke thënë që astrologjia është marrëzi, thotë gjithashtu që Krishtërimi është rezultat i të gjitha rrjedhave të mendimeve të mëparshme. Ai u shpall heretik në 1487.
1473 – 1543
Nikolla Koperniku, astronom dhe matematicien polak vuri në dyshim sistemin gjeocentrik të Ptolemeut, duke konfirmuar që Dielli, dhe jo Toka, ishte qendra e universit. Teoria e tij mbi heliocentrizmin u verifikua nga Galileo në shekullin XVII falë shpikjes së dylbive. Ai e konsideonte megjithatë astrologjinë si pjesë përbërëse të fushës së tij. Madje i bëri apel astrologut Rhaeticus për të bërë parathënien e veprës së tij prej mjeshtri.
1493 – 1541
Paraklesi, filozof dhe mjek, ia kushtoi gjithë jetën e tij studimit dhe praktimimit të filozofisë dhe mjeksisë. Ai këshillonte studimin e astrologjisë.
1503 – 1566
Francezi Mishel de Notredame, i quajtur Nostradamus, mjek astrolog dhe profet, nxiti interesin e mbretëreshës Katerina de Mediçi për astrologjinë duke parashikuar aksidentin vdekjeprurës të burrit të saj mbretit Henri II, që atëherë u plagos në një ndeshje kalorësish. Vepra e tij përbëhet kryesisht nga “Shekujt’ astrologjikë, profeci shumë të njohura për të ardhmen e botës. Sipas deklaratave të tij, parashikimet që ai bënte frymëzoheshin njëkohësisht nga njohuritë astrologjike dhe nga besimi i tij në Zot. Një astrolog gjerman i shkruajti atij një ditë: ‘si mund ta keni parashikuar këtë gjë kur llogaritjet tuaja janë të gabuara?’ Ishte padyshim nga mendjemprehtësia? Disa pretendojnë që ‘shekujt’ nuk janë të atij sepse janë shkruar në një frengjishte që daton nga shekulli XIV?
Nostradamus kishte parashikuar vdekjen e tij një ditë përpara!
1520
Papati themeloi një katedër të astrologjisë në Romë.
1550
Astrologjia dhe shtimi i almanakëve, shoqërohej nga magjia e të gjitha llojeve. Kështu që Fransua I nxori një dekret që dënonte autorët e almanakëve. Disa astrologë u dënuan me djegie në turrën e druve nga inkuizicioni. Michel Servet në Xhenova, Jean Huss, i djegur në Bohemë dhe të tjerë akoma.
Shekulli XVI
Kepler dhe Galileo, të dy astronomë dhe astrologë, vendosen bazat e astronomisë dhe të fizikës moderne. Astrologjia ripërqëndrohet mbi origjinën e saj greke dhe mësohet në universitet. Les Valois (familja mbretërore e Henrit II) përkrahës të astrologjisë krijuan detyrën e mjekut astrolog të mbretit. Astrologjia u pranua përsëri në oborrin mbretëror.
1571 – 1630
Johan Kepler, astronom i madh, astrolog, matematicien dhe teolog, ishte gjithashtu astrolog në oborrin mbretëror të Pragës. Ai zbuloi që lëvizja e planetëve nuk ishte qarkore, por një lëvizje elipsi, ai ka edhe ligjet nëpërmjet të cilave mund të llogarisim këtë lëvizje. Këtyre ligjeve u referohemi akoma edhe sot. Duke kritikuar gabimet e disa astrologëve, ai e konsideroi astrologjinë si “një shkencë themelore të njerëzimit”. Ai e praktikoi atë deri në vdekje.
Ai zbuloi “aspektet kepleriane”, aspektet e vogla si gjysëm-kuadrat (450) dhe mbikatrorin (1350), këto aspekte përdoren shumë edhe sot nga astrologët. Nga fundi i jetës së tij ai shkruajti: “besimi në efektin e yjeve vjen fillimisht nga përvoja, është kaq bindës, saqë vetëm ata që nuk e kanë studiuar mund ta mohojnë”.
1583 – 1656
Jean-Batiste Morin nga Villefrance-sur-saone, shkrimtar, teolog dhe astrolog, një nga shkencëtarët e fundit që ka dashur të merret me astrologji. Ishte kundër ideve moderne. Ai shkroi një manual të madh për astrologjinë: “Astrologia Gallica”.
1596 – 1650
Deskarti, filozof, matematicien dhe fizikant francez, përzien alkiminë, magjinë dhe astrologjinë sëbashku dhe i hedh poshtë për mungesë të shpjegimit racional të funksionimit të tyre.
1666
Ngritja e një shkencëtarizmi rigoroz (Deskarti) do të shtyjë Kolbertin të nxjerrë një ligj që përndjek astrologjinë nga universitetet. Në të njëjtin vit ai themeloi Akademinë e Shkencave dhe në 1667 krijoi Observatorin, një institucion për kërkime astronomike. Që prej asaj kohe, astrologjia dhe astronomia ishin dy fusha që dalloheshin nga njëra-tjetra.
1675
Përurimi i Observatorit të Greewich-it në Angli institucion i kërkimeve astronomike që u themelua nga astronomi i oborrit mbretëror J. Flamstead. Pasi formoi horoskopin nga Observatori, përfundoi duke thënë: mos qeshni miqtë e mi. Edhe aty kishte ndarje ndërmjet astrologjisë dhe astronomisë.
1682
Nën ndikimin e Zonjës Maintenon, Luigji IV hoqi detyrën e mjekut astrolog të mbretit.
1710
Publikimi i efemerideve ndalohet nga pushteti mbretëror. Pa këto të dhëna mbi pozicionin e trupave qiellorë, puna e astrologëve u bë pothuajse e pamundur.
NB: në Angli, almanakët dhe efemeridet vazhdonin të publikoheshin rregullisht.
Nga fundi i shekullit XIX, astrologjia filloi të rishfaqej gradualisht, por shumë tekste kishin humbur pjesërisht gjë që shkakton shumë gabime. Ajo rikthehet pra me orientimin e saj fetar dhe lindor. Astrologët flisnin sidomos për të ardhmen e shpirtit, për kushtëzimin karmik. Pra është një astrologji e orientuar që nuk merret seriozisht, përveçse nga okultistët.
1856 – 1939
Zigmund Frojd, në 1885 vë për fije psikanalizën, duke vënë kështu në diskutim pavarësinë e vullnetit.
1875 – 1961
Psikanalisti Karl Gustav Jung futi nocionin e të pavetëdijshmit kolektiv, ai ka bërë gjithashtu kërkime astrologjike duke thënë: “Nëse njerëzit tek të cilët arsimimi lë për të dëshiruar, kanë besuar se munden deri në kohët e fundit, të tallen me astrologjinë, duke e konsideruar si një pseudo-shkencë të eleminuar që prej 1666, sot tre shekuj më vonë, kjo astrologji që del nga thellësia e shpirtit të popullit troket në dyert e universiteteve tona.
1879 – 1955
Gauquelin ka bërë shumë kërkime shkencore, statistika etj, për të vërtetuar që astrologjia është shkencë.
1930
‘Sunday Express’ propozon një rubrikë astrologjike të suksesshme. Franca rizbulon astrologjinë dhe botimet janë të shumta. Në Shtetet e Bashkuara Evangelina Adams jep në radio horoskopin e parë bazuar në shenja.
1955
Michel Gauquelin, psikolog, boton “Ndikimi i yjeve”. Ai ndërmerr një hetim të gjerë statistikor me qëllim për të luftuar astrologjinë. Rezultatet e hetimit të tij (deri tani të pakundërshtuara nga të gjitha kundër-hetimet të kryera nga shkencëtarët), dëshmojnë të kundërtën dhe vërtetojnë ekzistencën e një efekti astrologjik.
1935
Horoskopi, forma popullore e astrologjisë, shfaqet në Paris-soir.
1967
Astrologu mundet me ndihmën e një kompjuteri dhe të një programi të përshtatur, të formojë një hartë qiellore, dhe kështu e gjen veten të lehtësuar nga llogaritjet e shumta.
1968
Astroflash, një kompjuter me programe astrologjike vendoset në bulevardin Champs Elisée. Ai jep studime astro-psikologjike. Është një sukses shumë i madh. Shtypi amerikan zbulon se Nancy Reagan këshillohet me një astrolog për presidentin.
1970
Astrologjia popullore nga zonja Soleil (Diell) në “Antenne d’Europe nr 1”, ajo merr mijëra thirrje telefonike në ditë.
1997
Në librin e saj “Nën shenjën e Mitterrandit”, Elisabeth Tessier zbulon interesin që presidenti i vjetër kishte për astrologjinë.
www.astrocours.be