AstroN
 
AstroN
AstroN  
  Mirë se vini në ASTRO-MITOLOGJI
  Fakulteti i Studimeve Astrologjike
  Horoskopi në vargje
  Aforizma astrologjike
  ASTROLOGJIA
  HISTORIA E ASTROLOGJISË
  E ëma dhe e bija
  NDARJA E ZODIAKUT
  12 SHENJAT ZODIAKALE
  HOROSKOPI
  Parashikimi i vitit 2025
  HARTA QIELLORE E LINDJES
  ASHENDENTI – SHENJA NË NGRITJE
  Bukuria fizike
  SHTËPITË ZODIAKALE
  FAZAT E HËNËS
  Dielli në astrologji dhe astronomi
  NDIKIMI I PLANETËVE
  Efemeridet dhe Retrogradët 2025
  ASPEKTET PLANETARE
  ASTRO-EROTIKA
  SINASTRIA
  VENUSI - AFRODITA
  Divorci dhe Tradhëtia
  TRANZITET PLANETARE
  REVOLUCIONI DIELLOR
  Mespikat
  ASTRO-MJEKËSIA
  Vdekja dhe aksidentet
  ASTROLOGJI TË TJERA
  ASTROLOGJIA INDIANE
  HOROSKOPI KINEZ
  ASTROLOGËT DHE KONTRIBUESIT
  Fjalor astrologjik
  KALENDARI
  Kalendari Pagan Helen
  DITËT E JAVËS
  Festat pagane
  ASTRO-MITOLOGJI
  Apolloni - hyjnia e Diellit
  MITOLOGJIA GREKE
  ZEUSI - Mbreti i perëndive
  Mitologjia ilire
  Kokino - Observatori ilir
  Brigët dhe Frigjia
  PERËNDESHAT MITOLOGJIKE
  Kurorat me gjethe
  Trëndafili dhe lulet
  Ulliri në kulturën e lashtë greke
  Simbolizmi i kalit
  Simbolizmi i Dhisë së Egër
  Shqiponja dhe përkrenarja e Skëndërbeut
  TEMPUJ DHE FALTORE
  Delfi - Orakulli më i famshëm
  Parimet Delfike
  Ishulli Rodos
  Orfeu
  KUPTIMI I EMRAVE
  Kuptimi i fjalës grek, helen dhe barbar
  KULTI I DIELLIT
  Dita e Verës - festa e Diellit
  Syri që sheh gjithçka
  ASTRO-TEOLOGJIA
  Fjala "Amen"
  Shpirti
  NUMEROLOGJIA
  METODA TË NDRYSHME PARASHIKIMI
  Orakulli kinez
  Leximi i dorës - Kiromancia
  Domethënia e lemzës dhe oreve fikse
  Zaret e dashurisë
  Domethënia e ngjyrave
  GJUMI DHE ËNDRRAT
  KARRIERA DHE PROFESIONI
  Vendet dhe Udhëtimet
  HISTORI ANTIKE
  Libra astrologjik
  HISTORI GJUHE
AstroN
Leximi i dorës - Kiromancia

Për çfarë shërben Kiromancia?

 

Kiromancia është një art që lidhet me përftimin e të dhënave mbi personalitetin dhe të ardhmen e një individi nëpërmjet leximit të dorës. Këtu poshtë do paraqesim disa të dhëna mbi elementët bazë që përbëjnë dorën, nëpërmjet të cilëve do njiheni ose do rinjiheni me karakterin, personalitetin, përbërjen fizike, fatin, dashurinë, të kaluarën por edhe të ardhmen.

Por jo vetëm kaq! Mund të mësoheni të lexoni edhe duart e të tjerëve, ato të miqve, pjestarëve të familjes apo ndonjë njeriu të dashur. Mund të vlerësoni dijen, vullnetin, aftësinë e të dashuruarit, altruizmin, guximin, shkurt pra, përmes leximit të dorës mund të shqyrtoni dhe të përshkruani në mënyrë të përkryer personin që mund të ndodhet para jush.

Shkrimet e shenjta mbi Kiromancinë

Deri edhe në Shkrimet e Shenjta gjejmë të dhëna mbi vijat e dorës; në “Libri i Jobit” mund të lexojmë: “Zoti shënoi me vulën e tij dorën e të gjithë njerëzve, ashtuqë të gjithë të mund të shohin veprat e Tij dhe vizatimet e tij “. Ndërsa Moisiu thotë: “Ligji i Zotit është shkruar edhe në ballin edhe në duart e tua.”

Historia

Leximi i dorës ka filluar të praktikohet  qysh nga Mijëvjeçari  i Tretë para Krishtit, në qytetërimet e lashta të Kinës dhe Indisë. Qëllimi, siç e thamë, ishte njohja e karakterit të individit,  dhe fati i tij i mundshëm. Mendohet që kiromancia të jetë praktikuar qysh tek Asirasit, Babilonasit, Kaldeasit dhe Egjiptianët. Me kiromanci janë marrë Anaksagora, Artemidori, Demokriti, Galeni, Paracelsi dhe filozofë të tjerë të shkëlqyer të botës antike. Aristoteli, në veprën e tij “Coeli et Mundi Causa”, pohon se “vijat e dorës së njeriut nuk janë krijuar pa arsye, ato janë formësuar mbi të gjitha nga ndikimi i qiellit dhe nga individualiteti njerëzor.”.

Mesa dihet, i pari që u muar me kiromanci në Kinën e lashtë, ishte perandori Fu Hsi, por studiuesi më i famshëm ishte Duka Wen, themeluesi i dinastisë Chow, i cili mbretëroi rreth vitit 1122 Para Krishtit. Duket qartë se të gjitha qytetërimet kanë patur kultivuesit e këtij arti që ka arritur deri tek ne i kodifikuar nga shkolla të ndryshme si: hindu, anglosaksone, franceze, gjermane dhe çeke.  Megjithatë, vetëm falë kirozofit francez Desbarrolles e mandej studiuesit D’Arpentigny, aty nga viti 1900 kiromancia u vendos në një nivel dinjitoz dhe u studiua në mënyrën më të mundshme shkencore.

Përgjithësisht vërehet dallim me kirologjisë së dhe kiromancisë së vërtetë: Kirologjia vendos  marrëdhënie mes shenjave të dorës dhe karakteristikave psikologjike të personit e kushteve të përgjithshme që lidhen me shëndetin e tij, ndërsa kiromancia nëpërmjet shenjave të tilla arrin të parathotë fatin e individit. Pra, mund të themi se kirologu lexon karakterin, ndërsa kiromanti lexon të ardhmen.

KIROMANCIA - LEXIMI I DORËS

Dora e djathtë apo e majtë: cila nga këto të dyja? Shkolla të ndryshme kirologjike thonë se duhen analizuar të dyja duart. Për një person që përdor kryesisht të djathtën, thuhet se e majta i tregon atë që i është “dhënë” nga jeta për të përballuar, ndërsa e djatha tregon atë që individi do mund të arrijë përmes aftësive të veta. Tek një mëngjërash veprohet anasjelltas.
Dora e majtë:
Nëse je mëngjërash dora jote e majtë do tregojë ndikimin e familjes në jetën tënde. Disa kiromantë janë në gjendje të zbulojnë në këtë dorë deri edhe gjëndjen shëndetësore të prindërve.
Dora e djathtë :
Nëse je djathtor, dora jote e djathtë do tregojë ngjarjet që të kanë ndodhur, si sëmundje serioze, ose traumën e shkaktuar nga prishja e një marrëdhënieje. Tregon edhe se ç’je duke bërë me jetën tënde.

POZICIONI DHE NGJYRA

Një kiromant i mirë, përpara se të vëzhgojë vijat e dorës, formon një përshtypje mbi personalitetin e objektit nëpërmjet shqyrtimit të pozicionit në të cilën njeriu mban duart, morfologjisë, formës dhe ngjyrës.

Pozicioni
Thuajse gjithmonë kontakti i parë me një të panjohur ndodh nëpërmjet shtërngimit të duarve.Një gjest i tillë zbulon shumë gjëra. Shtërngimi është i ashpër apo i butë, dora është e fortë ose e flashkët, pëllëmba është e lagësht apo e thatë? Të gjitha këto janë karakteristika domethënëse për kiromantët. Dora e mbyllur dëshmon karakter të mbyllur, të ndrydhur dhe një njeri që vuan nga stresi. Epshmëria e dorës tregon një njeri të shoqërueshëm; nëse është e ashpër, tregon individin kokëngjeshur. Duart që paraqiten të hapura zbulojnë një njeri me personalitet të ekuilibruar, të ndershëm dhe bujar,një person që di t’i përballojë pa shumë tensione jetën dhe marrëdhëniet e saj në përgjithësi. Edhe struktura e lëkurës është e rëndësishme. Një lëkurë e ashpër mund të tregojë një person praktik, ndërsa një lëkurë e butë mund të tregojë një person të ndjeshëm.

Ngjyra
Nëpërmjet ngjyrës eksperti kirolog përfton kuadrin e parë brënda të cilit përvijohet personaliteti i objektit. Kur duart janë nga natyra të bardha, e jo për shkak të sëmundjes, ndodhemi përballë një personi egocentrik,i cili nëpërmjet lajkave mundohet të përfitojë prej të tjerëve; ky njeri ka nevojë të mirëkuptohet, inkurajohet dhe t’i jepet një mbështetje e fortë dhe e sigurtë. Një pëllëmbë ngjyrëtrëndafili tregon ngrohtësi të madhe njerëzore dhe lirshmëri; është fjala për një person tek i cili mund të besosh gjithnjë. Nëse ngjyra e pëllëmbës është blu, mund të konstatojmë se më shumë sesa vullnet i dobët dhe i paqëndrueshëm, mund të jetë fjala për qarkullim të keq të gjakut. Kur ngjyra është e bardhë, jemi përballë një shpirti të ftohtë dhe të mënjanuar. Një dorë me ngjyrë të verdhë na kujton një njeri të lidhur tej mase mbas parasë dhe pasurisë së vet. Nëse pulpat e dorës janë të kuqe në mënyrë natyrore, kemi të bëjmë me një njeri tek i cili prirjet idealiste dhe kënaqësitë materiale rrijnë në ekuilibër. Por nëse krejt dora është e kuqe, bëhet fjalë për një personalitet kolerik që i mbetet qejfi shpejt. Ngjyra gri-e bardhë i përket shpesh një individi të hidhëruar dhe të dekurajuar. Së fundi, nëse zona e malit të Afërditës është veçanërisht e bardhë, flitet për një njeri që ka varfëri hormonale.

FORMA
Duke gjykuar nga forma, e cila është themelore për interpretimin e personalitetit, kiromancia i ndan duart në gjashtë kategori. Duart vlerësohen simbas figurës gjeometrike që krijojnë.

Katrore
Dorë e dobishme dhe praktike. Njerëz realistë, të ekuilibruar, me bosht të fortë moral, me ndjenjë të fortë detyre, të palodhur në punë. Këta njerëz pasqyrohen në vlerat shoqërore, janë të përkushtuar ndaj familjes, të ndershëm dhe bujarë. Janë të pathyeshëm ndaj të këqijave aq sa mund të thuhet se ringjallen prej hirit të tyre. Njerëz të gatshëm për t’i pranuar mangësitë e jetës dhe sakrificat.

Drejtkëndësh
Person harmonik në mënyrën e tij të qënit dhe të vepruarit, optimist, dinamik, krijues dhe jo rrallëherë i rafinuar. Shpesh shkaktojnë tek të tjerët zili dhe xhelozi për dhuntitë e tyre të dukshme që janë gojëtaria dhe simpatia. Kur është e thatë dhe e nyjshme, kjo dorë mund t’i përkasë një tipi tjetër, të shkëputur nga ankthi i të jetuarit dhe që i është kushtuar reflektimit, ose veprimtarisë intelektuale.Në këto fusha shkëlqejnë jo vetëm për fuqinë e mendjes, por dhe për aftësinë e gjykimit dhe arsyetimit.

Shpatull
Dorë aktive ose e nevojshme. I përket një personi me karakter shumëformësh, më shpesh i këndshëm, i ëmbël dhe ngushëllues. Nganjëherë, zakonisht kur merret me politikë, ky njeri ka karakter të pakapshëm,sepse ia del të përfitojë në çdo situatë. Nëse pëllëmba ka prirje të jetë më e gjerë se baza e gishtave, tregon një natyrë të trazuar, të dhënë mbas lëvizjes dhe veprimit, me ide moderne, futuriste dhe antikonformiste.

Konike
Kjo dorë, gishtat e së cilës janë të gjatë dhe në majë mbyllen në një hapësirë të ngushtë, quhet dorë konike ose artistike. Kjo dorë s’është e thënë t’u përkasë detyrimisht artistëve, por të dhënat e saj priren kah arti dhe kah e bukura. Individët të cilëve u përket kjo dorë, përgjithësisht janë simpatikë, emocionalë, kureshtarë, optimistë dhe dinamikë. Entusiazmohen kollaj, por dëshpërohen me të njejtën lehtësi. Kërkojnë të papriturën, të renë e të bujshmen. Shpesh dinë t’i çmojnë plotësisht kënaqësitë e jetës, përfshirë edhe seksin,etj.

E nyjshme
Quhet edhe "dorë filozofike", është zakonisht e gjatë dhe me kënde, me gishta gjithashtu të gjatë dhe elastikë, thonj po të gjatë e të rrumbullt. Kush zotëron një dorë si kjo ka një personalitet të fortë dhe të kthjellët, një koherencë të mahnitshme mes idesë dhe veprimit. Është i tërhequr nga kultura, ka zë të këndshëm dhe di ta bëjë të këndshme bisedën. Urren banalitetin dhe rëndomësinë. Pëlqen të dallohet nga turma dhe është i kënaqur vetëm nëse e përkufizojnë si "tip të veçantë”. Shpesh është i dhënë mbas misterit dhe shkencave okulte, prej të cilave përfton nxitjet e nevojshme për evolucionin e brendshëm, aq të nevojshëm për të. Kjo lloj dore u përket zakonisht filozofëve, shkrimtarëve, profesorëve, priftërinjve, dhe atyre që kanë prirje intelektuale.

Hollake
E quajtur edhe "dorë me majë ose psikike", duket shumë proporcionale dhe harmonike. Estetikisht është dora më e bukur dhe më pak e zakonshme, por dhe më e vështira për t’u interpretuar. Pëllëmba është e ngjeshur dhe ovale, gishtat të gjatë, pa nyje e të lëmuar, dhe thonjtë të përpunuar. Karakteri i atij që ka këtë lloj dore është në përgjithësi i vështirë, i çuditshëm dhe i shmanget të kuptuarit të zakonshëm. Këta njerëz janë të shkëputur nga interesat materiale, tërhiqen nga misticizmi e poezia, priren kah një jetë kontemplative dhe altruizmi. Ata ndihen me të vërtetë të realizuar vetëm në aktivitete ku mund të shprehin dhuntitë e tyre natyrale. Jo rrallëherë piktorët, poetët dhe skulptorët zotërojnë një dorë të tillë.

GISHTAT
Historikisht pjesa më e madhe e shkollave të kirologjisë u atribuojnë gishtave cilësi të ndryshme shpirtërore. Forma e gishtave ofron një sërë elementesh shumë të rëndësishëm për interpretimin e personalitetit

Të gjatë: Durim, pedantizëm, mëndjemprehtësi, sedërli.
Të shkurtër: Padurim, intuitë, aftësi për të bërë sinteza.
Të trashë: Sensualitet, sipërfaqësi, prirje ndaj kënaqësive.
Të hollë: Idealizëm, kreativitet, misticizëm, çiltërsi.
Të nyjshëm: Racionalizëm, metodizëm, intelektualizëm, qëndrueshmëri.
Me majë: Ndjeshmëri, i përpunuar, i përkushtuar ndaj mirësjelljes.

THONJTË SIPAS FORMËS

Bajame: Sqimë, emocionalitet i fortë, romantizëm, nervozizëm.
Të rrumbull: Njeri që preket lehtë, sedërli, polemik, krenari dhe realizëm.
Kuadrat: Zemërak, iniciator, instinktiv,veprues.

GJYSMËHËNA

Gjysmëhënë e pakët : Probleme që lidhen me presionin dhe qarkullimin e gjakut, paqëndrueshmëri.
Gjysmëhënë e gjerë: Takikardi, nervozizëm, superndjeshmëri, irritim.
Gjysmëhënë e mesme: Ekuilibër shumë i mirë fiziologjik, mirëkuptim.

VIJAT KRYESORE
Vijat e dorës zbulojnë forcën jetësore, intelektuale dhe sentimentale të qënies njerëzore. Të mësosh leximin e tyre, do të thotë të vlerësosh potencialin e fshehtë për të cilin shpesh nuk jemi të vetëdijshëm.

Vija e jetës:
Vija e jetës vërehet në prerjen e dorës që dallohet nën malin e Jupiterit dhe shkon në drejtim të kyçit duke formuar një hark rreth malit të Afërditës. Një vijë e gjatë dhe e përvijuar mirë tregon fuqi vitale, ekuilibër dhe qëndrueshmëri ndaj vështirësive fizike e psikologjike. Tregon gjithashtu një karakter të qetë dhe të aftë për të marrë mësime nga jeta. Nëse është e shkëputur aty-këtu dhe e parregullt, tregon paqëndrueshmëri dhe prirje për të shpenzuar energji në njëmijë drejtime, shpesh pa i realizuar synimet. Pasqyron rënie të shpeshta të humorit dhe lehtësi për t’u pushtuar nga stresi i fortë psikofizik. Kur vija është e zbehtë dhe e gjerë tregon paaftësi për të patur ekuilibër me veten dhe karakter jo mjaftueshmërisht të fortë. Nëse vija është e trashë tregon harlisje të tepruar, që nganjëherë mund të shkaktojë impulsivitet pasioni të pakontrolluar. Një vijë shumë e gjatë flet për prirje ndaj teprimeve, nëse është e këputur por vazhdon, ajo tregon kapërcimin e një periudhe krize. Kur vija është e dobët dhe e zbardhylët, tregon nervozizëm dhe shëndetligësi. E bukur është vija dyfishe, sepse shpreh potencë seksuale dhe mashkullitet të fortë.

Vija e Zemrës:
Vija e Zemrës fillon nga gishti tregues duke përshkuar një hark nën malet e Saturnit, Diellit dhe Mërkurit. Kjo vijë jep të dhëna mbi aftësinë për afeksion, pra për dashuri, miqësi dhe altruizëm. Një vijë e rregullt dhe e shënuar mirë tregon begati shpirtërore, ndjeshmëri, dhe kësisoj një prirje për marrëdhënie jashtëvetiake. Gjithashtu njëfarë lehtësie për të gjetur lumturinë në dashuri. Kur vija nuk është e rregullt tregon dashuri të mbetura përgjysmë dhe mungesë ekuilibri afektiv; nëse është e këputur tregon mungesë besnikërie. Një vijë shumë e gjatë që përshkon dorën në mënyrë horizontale, tregon thatësi shpirtërore dhe gjaknxehtësi.Nëse është shumë e gjatë dhe e kapërcen hapësirën e pëllëmbës, tregon një temperament shumë pasional dhe që bie shpejt pre e xhelozisë. Në të kundërt, nëse është shumë e shkurtër, flet për një mendje racionale dhe të përllogaritur. Kur është e drejtë tregon ftohtësi dhe hapje të pakët ndaj ndjenjave. Nëse është e harkuar në mënyre të tepruar, tregon ndjeshmëri dhe sentimetalizëm të tepruar.

Vija e kokës:
Vija e kokës fillon ose bashkë me atë të Jetës, ose drejtohet kah hapsira e dorës. Në të lexohen shenja që lidhen me inteligjencën, vëmendjen, kujtesën dhe karakteristikat mendore në përgjithësi. Në vijën e kokës janë themelore si ecuria ashtu dhe gjurma e saj. Kur vija është horizontale, shpreh një prirje ndaj arsyetimit, ndaj prakticitetit, ndaj aftësisë analitike, por tregon edhe kujtesë të mirë;e drejtuar lart, vija padit për një mendje të ftohtë dhe përllogaritëse; nëse priret poshtë, tregon fantazi dhe kreativitet, pasuri krijuese dhe fantazi. Në raste të rralla kur ajo dredhon, tregon mëndjemadhësi, hipokrizi dhe sipërfaqësi. Gjurma: përveç ecurisë, edhe gjurma e vijës së Kokës është e mbushur me domethënie. Një linjë e rregullt dhe e përvijuar mirë që priret kah mali i Marsit, tregon inteligjencë, ekuilibër mendor dhe një aftësi të mirë për t’i përqëndruar energjitë drejt projektesh që mund të realizohen prej tyre. Një vijë e gjatë dhe e rregullt, zbulon edhe ajo aftësi të mira intelektuale, elasticitet mendor, emocionalizëm, dhe kujtesë të mirë. Tregon gjithashtu edhe saktësi dhe racionalizëm. Një vijë e parregullt dhe e shkëputur tregon prirje të kollajshme për të rënë në depresion. Një vijë me gjurmë të lehtë dhe të hollë tregon aftësi të kufizuar përqëndrimi; kur është tepër e gjatë paraqitet si shenjë e mungesës së vullnetit dhe dëshirës; kur është tepër e thellë tregon prirje ndaj përsosmërisë, që mund të shndërrohet lehtësisht në pedantizëm.

 

Si të lexojmë vijat e dorës?


Një udhërrëfyes praktik nga profesionistë të fushës. “Leximi” i tre vijave kryesore të dorës dhe lidhja e tyre simbolike me mënyrën tonë të jetesës.

E dinit që sa herë jemi të zemëruara ose të shqetësuar, duart skuqen, ndërsa kur jemi të trishtuar ato zverdhen? Ndoshta jo. Për shumë nga ne duart janë thjesht “mjete pune”, për të tjerë, jo. Denis Fairchild, një astrolog profesionist, di se çfarë të na thotë për pëllëmbën e dorës.

Duar me shumë pak vija? Flasin më shumë për një shpirt fizik, praktik dhe të organizuar, ju që e keni këtë veçori ju pëlqen ushqimi i mirë dhe kënaqësitë seksuale. Kur në dorën tuaj gjenden vija të holla dhe të bukura, tregon se jeni të mençur dhe krijues. Nuk jeni shumë të aftë të ruani sekrete dhe reagoni menjëherë ndaj zhgënjimeve. Gjithsesi, shumë vija të bukura, tregojnë nervozizëm dhe energji të shpërndarë.

Vija të thella, të gjera dhe të gdhendura mirë? Tregojnë se keni ndjenja të forta dhe e keni të qartë se çfarë ju pëlqen dhe çfarë jo. Jeni të duruar dhe të përpiktë. Nuk ëndërroni si nëpër libra dhe dini të përballeni me situatat. Ju prisni që të dashurit dhe familjarët tuaj të jenë të përsosur. E keni mjaft të vështirë t’i pranoni dështimet apo të metat e të tjerëve.

Vijat në dorën tuaj kanë formën e zinxhirit, të pendëve , ose janë të thyera? Kjo tregon se keni vullnet të dobët, trishtoheni shpejt, jeni paranojak dhe prireni të tërhiqeni nga bota fizike. Nuk ju pëlqen të mbeteni vetëm. Jeni i brishtë, në njëfarë mënyre si kukullat kineze. E keni të vështirë të hyni në bisedë me çdokënd ose ta kërkoni atë që ju intereson në mënyrë agresive ose të vendosur.

Duart e gjata e të holla kanë më shumë vija se ato të vogla dhe katrore.

Tri vijat kryesore quhen Vija e Jetës, Vija e Kokës dhe Vija e Zemrës

 

VIJA E JETËS

Vija e jetës nuk tregon sa gjatë do të jetoni, por tregon për entuziazmin dhe vullnetin për ta shijuar jetën, si dhe për përpjekjet për të arritur ato që doni.

Nëse vija e jetës është e qartë dhe e thellë, pa shkëputje, tregon se do të keni një jetë të shëndetshme dhe të mirë. Gjithashtu tregon se jeni plot energji të pashtershme, që përqafoni çdo sfidë dhe mundësi që ju paraqitet. Duke qenë se jeni shumë i/e dashur dhe e shprehni këtë, ju pëlqen gjithçka. Dalloheni për kurajën, energjinë dhe dëshirën për të jetuar.

Ndërprerje ose humbje të vijës së jetës gjatë rrugës, tregon se jeni tip që shqetësoheni shumë dhe i lejoni të tjerët të ndërhyjnë në jetën tuaj. Jeni shumë xheloz, posesiv dhe shumë emotiv. Lidhjet tuaja janë të destinuara të jenë plot dramë dhe ndryshime emocionale. Asgjë s’është e lehtë për ju.

Kur vija e jetës merr një kthesë të gjerë në dorë, tregon se jeni njeri shpirtgjerë, pozitiv dhe shumë bujar (ndonëse pak dramatik). Krijoni lidhje të mira me fëmijët dhe ju pëlqen të ndihmoni njerëzit që kanë nevojë. Për ju, të luash rolin e viktimës nuk është zgjidhja e duhur. Ju pëlqen kur ju dëgjojnë, kur ju respektojnë, kur ju duan dhe kur ju shohin si një person të fortë dhe të besueshëm. Jeni bujar me kohën dhe paratë tuaja. I gëzoni çdo ditë dhe doni të zbuloni horizonte pafund e të përqafoni ide te reja.

Nëse vija e jetës suaj fillon mjaft poshtë gishtit tregues kjo tregon se keni nevojë për njohuri. Jeni individualist dhe nuk duroni dot që dikush t’ju thotë çfarë apo si ta kryeni diçka. Keni shpirt luftarak dhe jeni energjik. E megjithatë nuk ju mungojnë problemet me disiplinën dhe përqendrimin. Ju pëlqejnë lëvdatat dhe është pothuajse e pamundur që t’i pranoni gabimet tuaja.

Kur vija e jetës mbaron pranë gishtit të madh, do të thotë se rrallëherë ngrini zërin dhe jeni pak i ndrojtur. Ndiheni më rehat kur qëndroni në një qoshe, sesa kur jeni në qendër të vëmendjes. Ju pëlqen t’i ndihmoni të tjerët dhe t’ju përgjigjeni nevojave të tyre. Zakonisht mendoni më shumë për ta sesa për veten tuaj. Ndonëse ju mungon vullneti për ta ngritur zërin për veten tuaj, e bëni shpesh këtë për të tjerët. Duke qenë se keni më shumë aftësi mendore sesa fizike, nuk jeni shumë energjikë dhe kërkoni shumë pushim kur jeni sëmurë.

 

VIJA E KOKËS

Ndonëse aftësitë tuaja nuk dalin shumë në pah, aftësitë tuaja mendore dhe dëshira juaj për dije shfaqet më së miri në vijën e kokës. Ajo fillon në pjesën e gishtit të madh, në zonën poshtë gishtit tregues dhe vijës së jetës dhe kalon nëpër dorë drejt gishtit të vogël.

Zakonisht, një vijë koke e shkurtër që nuk kalon përmes dorës, tregon një njeri jo largpamës, të cilit i mungon perceptimi i gjërave të reja. Jeni të fiksuar pas rregullit, jeni shumë të kujdesshëm dhe mendoni vetëm për vete. Çështjet e pushtetit dhe të kontrollit luajnë një rol të rëndësishëm në jetën tuaj. E merrni lehtë pushtetin dhe ndiheni mirë në rolin e vendimmarrësit.

Sa më e gjatë të jetë vija e kokës, aq më i madh është qëllimi i perceptimeve tuaja dhe këmbëngulja për të mësuar. Keni respekt për njohuritë, barazinë dhe të drejtat e njeriut. Si kokëfortë që jeni, nuk lodheni kurrë duke mësuar gjëra të reja. Ju pëlqen shoqëria dhe ndoshta keni dhe shumë miq. E mbivlerësoni veten. Vullneti juaj për të mësuar dhe shkathtësia e të menduarit ju çon larg. Të shkruarit, mësimdhënia, marrëdhëniet publike ose fjalimet mund të jenë profesione të mira për ju.

Kur vija e kokës është e zbehtë ose e thyer, ose ngjan me një zinxhir, do të thotë se nuk jeni tip i organizuar, keni mendime të shpërndara dhe e keni të vështirë të përqendroheni. Ju mungon organizimi dhe këmbëngulja për t’i parë projektet deri në realizimin e plotë të tyre. E megjithatë i mirëprisni idetë e reja. Këmbëngulni t’i kryeni gjërat sipas mendjes suaj. Zakonisht veçoheni nga miqtë ose kolegët tuaj.

Sa më e thellë të jetë vija e kokës, aq më shumë e shfrytëzoni mençurinë dhe aftësitë tuaja. Jeni optimist dhe idealist. Gjithmonë mendoni se gjërat do të kenë rezultat pozitiv.

Nëse vija juaj e kokës kalon poshtë pëllëmbës së dorës, do të thotë se bazoheni mbi fakte dhe jeni shumë i logjikshëm. Parapëlqeni të flisni vetëm me ata që i njihni mirë. Në përgjithësi u qëndroni besnik vendimeve tuaja, pavarësisht nga ajo që mendojnë të tjerët. Jeni praktik dhe i kujdesshëm. Motoja juaj është “Për një mendje të shëndoshë”. Jeni serioz, ndonjëherë pesimist dhe mund të bëheni shumë kritik ndaj ideve abstrakte ose revolucionare.

Kur vija juaj e kokës merr një kthesë drejt gishtit të vogël, tregon se ju e përdorni mençurinë tuaj për të fituar para. Rrallë ndodh të thoni diçka dhe më pas të pendoheni. Për ju koha është shumë e shenjtë. U përkisni atyre njerëzve që u pëlqen të veprojnë, teksa të tjerët ëndërrojnë. Kjo sjellje ju ndihmon në çdo fushë. Kur vija e kokës merr kthesë drejt kyçit të dorës, tregon se ju keni mjaft imagjinatë. Nuk keni interes për gjërat e përditshme. Mendja juaj duket se është gjithnjë e zënë me diçka tjetër. Mos i lini fantazitë tuaja t’ju përfshijnë të tërin.

Një vijë koke që kthehet e tëra drejt kyçit të dorës. Në një kthesë të fortë, është shenjë arratie dhe ose depresioni. Jeni simpatik dhe i besueshëm, por shumë dyshues ndaj historive fatkeqe. Gënjeheni lehtë. Egoja juaj nuk është e fortë, madje shpesh i ndihmoni të tjerët edhe mbi kurrizin tuaj. Tregoni kujdes të veçantë në vendimet financiare dhe ato personale. Jeni shumë idealist. Të jetoni në botën fizike dhe të përballeni me realitetet të ashpra, është mjaft e vështirë për ju.

Kur vija e kokës dhe ajo e jetës bashkohen pranë gishtit të madh, tregon se jeni njeri i kujdesshëm, i matur dhe i përqendruar. Burimi kryesor i sigurisë suaj është të jeni i lumtur dhe i plotësuar në punën tuaj. Jeni praktik dhe i parashikueshëm. Dhuntia juaj më e madhe është struktura dhe qëndrueshmëria që i siguron familjes dhe kolegëve tuaj.

Kur vija e kokës përfundon në formë piruni, që njihet ndryshe si “piruni i shkrimtarit”, tregon se keni dhunti, jeni kureshtarë dhe krijues. Sa më i gjerë të jetë piruni, aq më i përshtatshëm dhe krijues jeni. Madje keni aftësi të sillni shkëndija zgjidhjeje edhe në situatat më të ndera.

 

VIJA E ZEMRËS

Vija e zemrës është barometri juaj emocional dhe tregon dashurinë jo vetëm për të dashurit tuaj, por edhe për njerëzit e tjerë. Ajo fillon në zonën poshtë gishtit të vogël dhe lëviz drejt pjesës së sipërme të dorës, duke përfunduar poshtë bazës së gishtit tregues, të mesit ose të gishtit të unazës.

Nëse vija juaj e zemrës është shumë e thellë, tregon se ju vazhdimisht luani rolin e paqeruajtësit. Edhe pse nuk keni ndonjë talent të veçantë, ju pëlqejnë arti dhe format e tij. I kushtoni shumë rëndësi shtëpisë dhe familjes. Pavarësisht nëse eksperiencat me familjarët tuaj kanë qenë të mira ose jo, jeni shumë të lidhur me ta. Gjithçka që thuhet e merrni si personale dhe shumë mendime ndaj jush i interpretoni si sulme dhe kritika. Dëshira juaj është që të gjithë të mirëkuptohen.

Një vijë e zemrës e dobët dhe e zbehtë, do të thotë se ju kërkoni vëmendje të veçantë dhe ju pëlqen t´ju llastojnë. Ju drejtoheni nga zemra dhe jo nga mendimet tuaja. Të gjitha idetë dhe mendimet tuaja kanë ngjyra ndjenjash dhe lidhjesh emocionale. Nuk ju pëlqen të jeni vetëm dhe jepni më të mirën tuaj kur jeni në shoqëri. Doni që të gjitha lidhjet tuaja të shkojnë mirë, gjatë gjithë kohës së zgjatjes së tyre. Nuk e pranoni zemërimin ose zënkat.

Një hapësirë e gjerë midis vijës së zemrës dhe asaj të kokës, tregon se jeni i pavarur dhe veproni me kokën tuaj. E doni jetën, por jeni disi agresivë, madje merrni dhe iniciativa që shumë të tjerë nuk do të guxonin t´i merrnin. Nuk ju pëlqejnë njerëzit dembelë, të dobët dhe ata që të ngjiten e s´të shqiten. Sa më e gjerë të jetë kjo hapësirë, aq më e madhe është nevoja juaj për liri dhe individualitet.

Vija e zemrës quhet e gjatë kur ajo përfundon poshtë gishtit tregues. Të gjithë ju që keni këtë veçori jeni romantikë. Ju jeni njerëz që i mbroni, i mbështesni dhe që u përkushtoheni miqve dhe të dashurve tuaj. Nuk ju pëlqen vetmia. Ju i kushtoni shumë kohë ndjekjes dhe ruajtjes së miqësive të ndryshme. Keni prirje të idealizoni çdo lidhje dashurie dhe zakonisht mendoni se partneri/ja juaj është më i/e mirë nga të gjithë.

Një vijë e shkurtër zemre mbërrin deri në mes të dorës. Kjo do të thotë se askush më shumë se ju, nuk i merr seriozisht dashurinë, seksin dhe lidhjet e dashurisë. Jeni plot pasion, jeni lozonjarë, të ndjeshëm por edhe me logjikë. Nuk jeni nga ata që dashuroni verbërisht. Megjithatë kur bini në dashuri, synimi juaj është të bashkoheni përjetësisht me të dashurin tuaj.

Kur vija juaj e zemrës është në formën e një zinxhiri ose e shkëputur, tregon se jeni tip i paqëndrueshëm ose të prirë për të patur dashuri të ndryshme. Shumë nga lidhjet tuaja dallohen për ndryshimet e tyre emocionale. Ju pëlqen më shumë të keni histori kalimtare, sesa bashkime të vërteta.

Kur vija e zemrës kalon drejt, si një vizore nëpër dorë në vend që të marrë ndonjë kthesë të vogël, tregon se nuk ju intereson aspak ajo që mendojnë të tjerët për ju. Romanca për ju kalon në vend të dytë, pasi në çdo lidhje bëni pyetjen: “Çfarë fitoj unë nga kjo?”.

Për ju dashuria është si një marrëveshje e duhur biznesi. Jeni shumë sipërfaqësorë dhe i ëmbël në çështjet e dashurisë. Nëse vijën e zemrës dhe të kokës i ndan një hapësirë e gjerë, do të thotë se ju keni një dëshirë të jashtëzakonshme për të qenë i pavarur; e keni mjaft të vështirë të përkushtoheni emocionalisht. Jeni shumë individualistë, kështu nuk duroni dot që të tjerët t´ju drejtojnë. Jeni shumë i shoqërueshëm, ju pëlqen të njiheni me njerëz të rinj dhe shpreheni shumë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Kur vija e zemrës dhe ajo e kokës bashkohen në një të vetme, që quhet vija e Simianit, do të thotë se e keni të vështirë të merrni vendime. Jeni shumë të vëmendshëm dhe keni shumë interesa, ndaj shpesh nisni të kryeni shumë gjëra njëherësh, por nuk çoni në fund asnjë prej tyre. Gjithashtu, ndodh që të premtoni më shumë nga ç’keni mundësi të bëni. Shqetësoheni menjëherë dhe jeni shumë të ndjeshëm ndaj atyre që i shihni si armiq. Zakonisht, kaloni menjëherë në mbrojtje kur mendoni se dikush kërkon t´ju sfidojë. Kërkoni t´ju mbajnë gjithnjë me të mira. Nuk i refuzoni këshillat e miqve, të të dashurit dhe të familjarëve, që vlejnë për t´jua ngritur moralin.


Arti që studion dorën e konsideron atë si pasqyrën e  personalitetit. Duke analizuar tipin e dorës mund të zbuloni nëse jeni romantik apo racional.

 

DORA – ZJARR

Ka një dorë Zjarr kush ka pëllëmbë të gjatë dhe gishta të shkurtër dhe me viza kryesore shumë të dukthme.

Vlerat: është njeri entuziast, plot energji dhe deshirë për të jetuar, i pëlqejnë shumë diskotekat, vendet e zhurmshme, takimet me njerëz të famshëm. Është tipi që do të dëfrejë miqtë.

Të metat: është i dashuruar pas ndryshimeve dhe kështu mund të merzitet shumë shpejt nëse gjërat janë të përsëritshme dhe të zakonshme.

Dashuria: janë njerëz që dashurohen me shikim të pare dhe që aq shpejt sa ndizen aq edhe fiken nëse nuk ndërhyjnë dhe faktorë të tjerë.

Çfarë pëlqejnë: u pëlqejnë sportet, vendet me festa dhe argëtime.

Profesionet e përshtatshme: janë të prirur të merren me menaxhim, sport dhe politikë.

 

DORA – TOKË

Ka një dorë Tokë kush ka një dorë me pëllëmbë të shkurtër, me gishta gjithashtu të shkurtër dhe me pak viza kryesore.

Vlerat: është person konkret, i qëndrueshëm, që di të manovrojë gjithnjë, në çdo rast, me shumë racionalitet. I pëlqen shumë të mendohet mire para se të veprojë. Është njeri I mprehtë, i llogjikshëm dhe pika e mbështetjes së familjes.

Të metat: është i matur më tepër se duhet dhe gjakftohtë.

Dashuria: ndjenja e dashurisë tek persona të tillë rritet avash-avash duke mos lejuar të tjerët të fusin hundët në jetën e tyre.

Çfarë pëlqejnë: u pëlqen qetësia, gjërat e zakonshme, kopshtet e gjelbëruara si dhe kuzhina dhe gatimet e mira.

Profesionet e përshtatshme: bankier, llogaritar, mekanik, matematicien.

 

DORA – AJËR

Ka  një dorë Ajër kush ka pëllëmbë të shkurtër me gishta të gjatë dhe viza të dukshme.

Vlerat: person i shoqërueshëm, gazmor dhe i besueshëm, por ironik. Kanë cilësi që i lejojnë të kenë shumë miq

Të metat: Ka kuriozitet të sëmurë.

Dashuria: I pëlqen të flirtojë dhe urren impenjimin dhe përgjegjësitë. Preferon miqësitë dashurore më shumë.

Çfarë pëlqejnë: udhëtimet, të lexojë, të shkojë në shfaqje artistike, të shkruajë.

Profesionet e përshtatshme: gazetar, shitës, fotograf, avokat.

 

DORA – UJË

Ka një dorë Ujë kush posedon pëllëmbë të gjata dhe gishta gjithashtu të gjatë,  jo me shumë viza.

Vlerat: është person i ndjeshëm, i sjellshëm, ëndërrimtar. Është më romantiku nga të gjithë.

Të metat: Jo rrallë delikatesa e tij përfundon në dobësi nervore dhe emotive.

Dashuria: në dashuri është tradicional, beson tek familja dhe tek martesa. Është besnik dhe i besueshëm. Shumë herë mund ta bësh mik për kokë.

Çfarë pëlqejnë: I pëlqejnë pikturat, të shkruajë poezi, të vizitojë muze, vende antike si dhe muzika.

Profesionet e përshtatshme: artist, poet, punonjës social, infermier, parashikues, terapist, muzikant.

 
 
  POZICIONI AKTUAL PLANETAR

HËNA SONTE:




 
Facebook 'Like' Button  
 
 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free