Kuptimet simbolike të kalit
Kuptimet simbolike të kalit datojnë që në parahistori, dhe njohuritë e para të shkruara për kuajt vijnë nga mijëvjeçari i tretë pr.e.s. ku historianët zbuluan tableta rrasash në Elam (Iranin e sotëm) që i referohen kësaj kafshe fisnike.
Për shkak të shoqërimit të tij të natyrshëm me njeriun në punë dhe në luftë, kali fiton lehtësisht një vend të veçantë në histori, duke shënuar shenja të larta nderi, respekt dhe simbolizëm.
Duke i shërbyer njeriut në luftë, prodhimtari, bujqësi, apo zhvillime të tjera, kali është një nga kontribuesit më të mëdhenj në zhvillimin e civilizimit. Me një vlerësim të tillë, kuptime të ndryshme simbolike lidhen me kalin gjatë historisë së njerëzimit. Disa prej tyre janë: pushteti, liria, hijeshia, bukuria, besnikëria, forca.
Kuptimet simbolike të kalit për pushtetin janë përhapur në shumë kultura, ai është gjithashtu simbol i forcës jetësore. Shumë kultura i caktojnë atij atributet e katër elementëve: zjarrit, tokës, ajrit dhe ujit.
Në një kohë të caktuar, ka pasur kuaj të egër në çdo kontinent të planetit. Sot, më shumë kemi kuaj të zbutur. Disa nga kuajt më të hershëm kanë qënë po aq të vegjël sa qentë. Për shkak të zbutjes së kuajve, civilizimi ka bërë të mundur përhapjen e tyre gjerësisht.
Ndonëse kali ka qënë i pranishëm në shumë kultura të ndryshme, ata përfaqësojnë të njëjtat koncepte të lirisë dhe fuqisë. Në disa kultura, kuajt e bardhë përfaqësojnë ekuilibrin e mençurisë dhe fuqisë. Në të tjera, siç është Krishtërimi, kali i bardhë është simbol i vdekjes. Kali është një simbol universal i lirisë pa kufizim, sepse t’i grahësh një kali i bënte njerëzit ta ndjenin veten sikur po çliroheshin nga detyrimet apo lidhjet e tyre. Gjithashtu lidhur me kalërimin, ata janë simbol të udhëtimit, lëvizjes dhe dëshirës.
Në mitologji, kali është gjithnjë i pranishëm. Romakët i lidhnin kuajt me Marsin, perëndinë e luftës. Kuajt paraqiten gjithashtu duke tërhequr karron (koçinë) e Heliosit, perëndisë së Diellit.
Greko-romakët e lidhnin gjithashtu kalin me plaçkat e luftës dhe i atribuonin atij simbolizma si fuqia, fitorja, nderi, dominimi dhe burrëria (potenca). Në mitologjinë greke thuhet se kali u krijua nga Posedoini dhe i dedikohej Hadit dhe Aresit.
Romakët besonin gjithashtu se kali ishte një simbol i vazhdimësisë së jetës, dhe ata flijonin një kalë për perëndinë Mars çdo tetor, duke ruajtur bishtin e tij gjatë dimrit si një shenjë pjellorie dhe rilindjeje.
Në mitologjinë kelte, kuajt ishin fatsjellës dhe paralajmërues të fatit të mirë. Kali i bardhë, siç u përmend më lart, ishte i shenjtë për keltët, dhe i lidhur ngusht me Rianonë dhe Eponën (perëndeshën e kuajve), të cilat herë pas here merrnin formën e kalit.
Në urtësinë popullore, nëse disa kuaj shihen duke ndenjur sëbashku, kjo tregon se një stuhi po afron. Mirëpo, kjo nuk është thjesht një bestytni, sepse kuajt shpesh bashkohen në grup për të mbrojtur veten nga stuhitë (shtrëngatat) që po vijnë. Si një simbol keltik, kali lidhej me luftën. Me luftën, vijnë atributet e fitores, pushtimit dhe plaçkat që vijnë me triumfin në betejë.
Keltët e brohorisnin kalin si kafshën që i përket perëndisë Diell, dhe i caktuan atij një vend me perëndeshën Epona.
Tek Hindutë Brihadaranyaka, kali lidhet me Varunan dhe si i tillë, barazvlerësohet me kozmosin. Përveç kësaj, një kalë i bardhë besohet të jetë mishërimi i fundit i Vishnus.
Buda thuhet të ketë hequr dorë nga plani fizik i grahjes së një kali të bardhë. Gjithashtu në Budizëm një kalë me flatra përshkruhet shpesh si mbajtës i Librit të Ligjit.
Si një nga simbolet në zodiakun kinez, kali në kulturën kineze barazvlerësohet me Binjakët (në horoskopin perëndimor), dhe përfaqëson prakticitet, dashuri, rezistencë, përkushtim dhe stabilitet.
Te fiset indigjene të Amerikës kali përfaqëson fuqi. Ato fise që zotëronin kuaj shpesh fitonin më shumë beteja se sa ata që nuk kishin kuaj. Ata gjithashtu kishin më shumë territore. Numri i kuajve që një fis zotëronte tregonte se sa të pasur ishin. Në këto kultura, apo të tjera, kali është shpesh një simbol lufte. Si një simbol amerindian (i indianëve të Amerikës), kuptimet simbolike të kalit ndërthurin fuqinë bazike të tokës me fëshfërimat e mençurisë që gjendet në erërat shpirtërore. Kali është nderuar për një kohë të gjatë si ndihmues, lajmëtar, dhe si shenjë paralajmëruese e njohurisë së shpirtit tek amerindianët. I konsideruar i egër dhe një simbol i lirisë, indianët e Amerikës shohin shumë mundësi në natyrën simbolike të kësaj krijese fisnike. Një tjetër aspekt i domethënieve simbolike të indianëve të Amerikës për kalin vjen me arsyetimin që liria e egër e kalit mund të shfrytëzohet dhe përdoret në dobi të fisit. Ky arsyetim vjen vetëm kur njeriu dhe kafsha hyjnë në një marrëveshje të heshtur – duke pranuar respekt reciprok dhe ndërgjegjësim përgjegjshmërie ndaj njëri-tjetrit.
Kuptimi i ngjyrave të kalit
Ngjyra e kalit është mbushur gjithashtu me kuptime simbolike. Ja disa nga domethëniet e tyre:
*Kali i zi: Mister, vdekje, natë, sekret, informues i dijeve ezoterike (të fshehta).
*Kali i bardhë: Diell, dritë, ditë, gjallëri, ndriçim, ringjallje, informues i lindjeve.
*Kali gri dhe ngjyrë kafe: Tokëzim, stabilitet, shtëpi, familje, miqësi, durim.
*Kali me lara, me pika apo disa ngjyrësh: Imagjinatë, krijimtari, udhëtim, larmi, pavarësi, oportunitet.
Kuptimet simbolike të kalit në ëndrra:
Pikërisht si në kulturën e lashtë, kuptimet simbolike për kalin janë po aq të forta në ëndrra.
Psikanalisti i famshëm Karl Jung vërejti te kali se ai përfaqëson aspektin intuitiv të natyrës njerëzore, dhe mendonte gjithashtu se ai ishte një simbol i trupit njerëzor në disa ëndrra.
Nëse e shikoni veten duke i grahur një kali në ëndrrat tuaja mund të tregojë se në realitet një projekt apo event i juaj do të ketë përfundim të suksesshëm.
Të biesh nga kali në ëndërr tregon se jeni nervoz për projektin apo eventin që keni planifikuar.
Nëse ëndërroni një kalë me frena, që tërheq një karrocë, lidhur më litar, etj, tregon se ju do të ndiheni të kufizuar dhe dëshironi më shumë liri në jetë.
Një kalë mashkull në ëndrrat tuaja tregon nevojën për të braktisur zakonet apo veset e vjetra.
Një gjë e rëndësishme që duhet të mbani mend për kuajt është që ata janë përfaqësues të shpirtit, të ngjashëm me lirinë. Kali i shërben njeriut, por nuk mund të zbutet kurrë plotësisht nga ai.
"Një kalë është diçka e bukur… asnjë nuk do të lodhet duke e shikuar në të shkëlqimin e tij”
~Ksenofoni