Prejardhja e fjalës 'Amen' dhe "Amanet'
Fjala e shenjtë AMEN (tek të krishterët) apo AMIN (te myslimanët) rrjedh nga perëndia më e rëndësishme egjiptiane AMUN.
Në versionin anglisht shkruhet Amun, por lexohet Amen. Kur egjiptianet luteshin në tempullin e tij, siç lutemi ne sot nepër kisha dhe xhami, në fund të lutjes thonin emrin e tij "Amen". Kjo u bë traditë saqë njerëzit e kishin bërë shprehje te perditshme në lutjet e tyre. Më vonë, me ardhjen e feve monoteiste (Krishtërimi dhe Islami) kjo fjalë u adoptua në doktrinat e tyre fetare. Edhe sot e përdorim si fjalë me kuptimin "Ashtu qoftë" ose "Vertetë", por që sipas etimologëve kuptimi i vërtetë i fjalës nuk është ky.
Perëndia egjiptiane Amun, i njohur nga grekët si Amon, dhe nga hebrenjtë si Amen, ishte një perëndi e Tebës së lashtë (egjiptiane) i dëshmuar që në Mbretërinë e Vjetër të Egjiptit (2600 pr.e.s). Gruaja e tij ishte hyjnesha Amunet. Emrat Amun dhe Amunet kishin kuptimin “i padukshmi” “e padukshmja”. Amoni, edhe pse te egjiptianët ishte perëndia e erës, për nga rëndësia ai njësohej me Zeusin grek (zot të qiellit).
Pas kryengritjes së Tebës kundër Hyksosit dhe me sundimin e Ahmosit I (Shek. 16 pr.e.s), Amoni fitoi rëndësi kombëtare, të shprehur në shndërrimin e tij në perëndinë Diell, Ra, si Amon-Ra.
Amen-Ra e ruajti rëndësinë e tij prej udhëheqësi në panteonin egjiptian gjatë gjithë Mbretërisë së Re (me përjashtim të ‘Herezisë Ateniste’ nën sundimin e Akhenatenit). Amen-Ra në këtë periudhë (shekujt 16 -11 pr.e.s) mbajti pozicionin e të përjetshmit, të vetëkrijuarit, hyjnisë krijuese “mbi gjithë të tjerët”. Ai ishte përkrahësi i të varfërve dhe hallexhinjve dhe kryesori për besimin e thellë personal. Pozicioni i tij si mbreti i perëndive u zhvillua deri në pikën e monoteizmit virtual, saqë perënditë e tjera i nënshtroheshin atij. Sëbashku me Osirin (zotin e botës së nëndheshme), Amon-Ra ishte zoti më i adhuruar në Egjipt. Si perëndia kryesore e perandorisë egjiptiane, Amon-Ra do të adhurohej edhe jashtë Egjiptit, në Libinë e lashtë dhe në Nubi, dhe si Amon-Zeus edhe në Greqisë e Lashtë. Pra, ishte gjatë Epokës Arkaike greke (ndërmjet shekullit VIII pr.e.s dhe vitit 480 pr.e.s) që Ameni egjiptian u asimilua në perëndinë greke Zeus. Janë Kireneasit (banorët e një qyteti të vjetër grek në Libinë e sotme), që do ta bënin të njihej si Amon-Zeus. Kur grekët dhe egjiptianët u bashkuan nën sundimin e Aleksandrit të Madh, Zeus-Amoni u bë akoma më i njohur si emër. Faltorja e tij profetike (e orakullit) në oazin e Sivas është e treta për nga rëndësia, pas Delfit (tempullit të Apollonit) dhe Dodonës (orakullit që i dedikohet Zeusit). Aty Aleksandri i Madh u shpall i biri i Amon-Zeusit në vitin 331 pr.e.s.
Amoni dhe gruaja e tij Amonet përmenden në tekstet e piramidës së Egjiptit të Vjetër. Ata ishin pjesë e ogdoadës në Hermopolin e lashtë, duke përfaqësuar konceptin primitiv të elementit të ajrit ose padukshmërisë, kështuqë funksioni i Amunit më vonë si hyjnia e Erës, dhe emri Amen/ Amun nënkuptojnë “të mistershmen”.
Po kështu, kemi edhe fjalët 'Aman' (Amon në dialektore) ose 'Amanet', që përdoren nga shqiptarët, turqit, etj, me kuptimin "të lutem" dhe “porosi”. Këto fjalë mbahen me origjinë turke, por, po të shkojmë më thellë, besoj se të dyja rrjedhin nga Amon dhe bashkëshortja e tij Amonet. Në disa vende të Lindjes së Mesme ‘Aman’ ka kuptimin edhe sot “Për Zotin”. Pra, Aman = të lutem = Për Amonin = ‘Pash Zotin’ (janë e njëjta gjë).