Sipas versionit zyrtar akademik (wikipedias britanike, etj,) Maqedonia e lashtë përshkruhet si një mbretëri e vjetër e Greqisë arkaike dhe klasike, ku pas sundimit të Aleksandrit të Madh ajo u bë qytet-shteti dominues i Greqisë Helenistike. Periudha nga vdekja e Aleksandrit deri në pushtimin e Greqisë nga romakët u quajt Periudha Helenistike, për shkak se ish perandoria e Aleksandrit drejtohej nga gjeneralët e tij. Gjatë kësaj kohe nuk ishte Athina qytet-shteti (Polisi) kryesor helen por Aleksandria (e Egjiptit) e cila drejtohej nga dinastia e Ptolemeut (një prej gjeneralëve të Aleksandrit) deri me përfundimin e saj me Kleopatrën në shekullin I pr.e.s.
Herodoti (babai i historisë) dhe Tukididi (460-400 pr.e.s) na tregojnë se dinastia e Aleksandrit të Madh rrjedh nga Argosi i Greqisë (Peloponez). Mbreti i parë maqedonas i ardhur nga Argosi ishte Perdikas I i cili sundoi në vitet 700-678 pr.e.s. Ndërsa sipas një version tjetër mitologjik, mbreti i parë maqedonas ishte Karanos, i biri i Temeneut, mbretit të Argosit i cili sundoi në vitet 808 -878 pr.e.s.
Sipas Kronikonit të Eusebius, Karanosi çon ndjekësit e tij në veri nga Argosi për të ndihmuar mbretin e Orestëve, i cili është në luftë me fqinjët e tij, Eordajtë. Orestët (një nën-fis i molosëve) zënë një vendndodhje në Greqinë qendrore-veriore, në veri-lindje të Epirit. Mbreti i premton Karanosit gjysmën e territorit të tij në këmbim të ndihmës së tij të suksesshme. Orestët vërtet dolën të suksesshëm dhe mbreti e mbajti premtimin e tij, ndoshta duke i dhënë Karanosit gjysmën lindore të territorit ku ai themeloi mbretërinë maqedonase.
Autorët thonë se Karanosi ishte nip i dinastisë së vet Herkulit (birit të Zeusit) dhe si rrjedhojë familja e Aleksandrit të Madh e konsideronte veten ‘dera e Herkulit’ dhe adhuronte Zeusin njësoj si pjesa tjetër e Greqisë. Madje Aleksandri mbante shpesh gëzofin e një luani ashtu siç përshkruhet Herkuli në mitologji. Herkuli është një nga krye-heronjtë e mitologjisë greke i cili njihej me emrin Heraklios, prandaj qyteti kryesor në Kretë mban këtë emër (Iraklio). Argosi i hershëm, pra vendi nga ku kanë origjinën paraardhësit e Aleksandrit të Madh, si simbol mbretëror mbante Diellin në stemat dhe flamujt e vet, njësoj siç bëri Filipi II dhe Aleksandri (prandaj maqedonasit e sotëm ruajnë akoma këtë simbol në flamur si pretendentë pasardhës të tij).
Autorët që kanë shkruar më shumë mbi historinë e Aleksandrit të Madh, Arriani dhe Plutarku, shprehen qartë mbi përkatësinë greke të Maqedonisë së lashtë.
Në librin e tij 'Gjeografia', Straboni në tre pika shprehet për përkatësinë greke të Maqedonisë:
7.8.9. “Sigurisht, Maqedonia është pjesë e Greqisë. Sidoqoftë, meqë jam duke ndjekur karakterin natyror dhe formën gjeografike të vendeve, kam vendosur ta ndaj atë nga Greqia dhe t'ia bashkoj Thrakës e cila kufizohet me të".
§ 8.1.1 “Akarnania: Unë e fillova përshkrimin tim duke kaluar në të gjitha pjesët perëndimore të Evropës, të përfshira midis detit të brendshëm dhe të jashtëm; dhe tani që kam përfshirë në studimin tim të gjitha fiset barbare në Evropë deri në Tanais dhe gjithashtu një pjesë të vogël të Greqisë, Maqedoninë, do të jap tani një përshkrim të pjesës së mbetur të gjeografisë së Greqisë.”
§ 10.2.23 “…..Megjithatë, për një kohë shumë të gjatë Etolët, së bashku me Akarnanët, qëndruan të patundur, jo vetëm kundër maqedonasve dhe grekëve të tjerë, por edhe më në fund kundër romakëve, kur luftuan për autonomi.”
Një fakt tjetër që e bën Aleksandrin (apo maqedonasit e lashtë) grek është pjesëmarrja e tyre në Lojrat Olimpike. Pausanias në veprën e tij "Përshkrimi i Greqisë" na tregon se në këto lojra lejohej të merrnin pjesë vetëm grekët. Që maqedonasit ishin me prejardhje Argeade (nga Argosi) kjo u vërtetua nga gjykatësit e lojrave olimpike në shekullin 5 pr.e.s kur ato lejuan Aleksandrin e parë (498-454 pr.e.s) të merrte pjesë në garë, pra kjo ka ndodhur rreth 100 vjet para periudhës së Aleksandrit të Madh. Madje në vitin 408 pr.e.s mbretëria e Maqedonisë ishte një nga fitueset e këtyre lojrave. Në ditën kur lindi vet Aleksandri i Madh (në verën e vitit 356 pr.e.s) thuhet se Filipi po merrte pjesë në lojrat olimpike në Olimpia (Peloponez) kur i erdhi lajmi i gëzueshëm që ishte bërë me djalë. Pra deri këtu kemi një fakt tjetër që Maqedonia e lashtë ishte një nga qytet-shtetet greke.
Tjetër gjë që e bën Aleksandrin e Madh apo maqedonasit e lashtë grekë janë emrat dhe feja. Maqedonasit e lashtë besonin në të njëjtat perëndi si grekët. Zeusi, Dionisi, Apolloni, Artemisa etj, ishin pjesë e panteonit maqedonas. Madje muajt e kalendarit maqedonas kishin emrat e këtyre perëndive, duke nisur nga muaji i parë që niste në tetor dhe mbante emrin e krye-perëndisë (Dios = i Zeusit). Një ditë kur ai ishte fëmijë, e ëma i tha Aleksandrit se ai ishte bir i Zeusit, pra hyjnor njësoj si Herkuli (bir i Zeusit dhe ky). Prandaj ai kur pushtoi Egjiptin, atje u ripagëzua nga priftërinjtë egjiptianë si ‘bir i Amonit’ (Meri-amun) që ishte ekuivalent i Zeusit.
Aleksandri po të mos ishte grek ai nuk do të shperndante kulturën greke.Τë gjitha veprat qe ishin vjedhur në Athinë nga Kserksi në fushatën për pushtimin e Greqisë, Aleksandri ia ktheu Athinës. Aleksandri, pas betejës së Kheronias ku shpartalloi athinasit dhe aleatët e tyre u shpreh: "Ështe ndarja që ndan fiset dhe vellezërit, une nuk gjej kënaqësi në vdekjen tuaj, unë do të kënaqesha nëse ju do të ishit gjallë, gjersa na bashkon e njëjta fe, e njëjta gjuhë dhe të njejtat dëshira". Kur Aleksandri u zgjodh kryekomandant i ushtrisë greke për të luftuar kundër persëve, një person i tha se Greqia dhe Maqedonia gezohen në të njëjtën ditë dhe Aleksandri ia ktheu me zemërim:"Mor njeri naiv, mos vallë Greqia nuk është Maqedoni?". Në librin ‘Aleksandri i Madh’ (faqe 133), arkeologu dhe historiani francez Georges Radet shkruan: “Kështu prijësi i priftërinjve (të Jeruzalemit) i tregoi Aleksandrit librin e Danielit, ku është thënë që një helen do të asgjësojë Perandorinë Persiane , dhe Aleksandri, që sheh te vetja personin që përshkruan profecia, ndjen një gëzim të patreguar”.
Emri Aleksandros nga greqishtja e vjetër ka kuptimin “mbrojtës i burrave”, grekët akoma dhe sot burrit i thonë ‘Andras’. Emri i të atit “Filipos” nga greqishtja ka kuptimin “mik/dashamirës i kalit”. Çdo fjalë që ka termin ‘filo’ ka kuptimin “mik/dashamirës’ (p.sh. filosofia – mik i dijes, etj.). E ëma, Olimpia, ka emrin e qytetit grek të Olimpias në Peloponez (pra aty ku zhvilloheshin lojrat olimpike). Në fëmijëri ajo mbante gjithashtu emrin grek Myrtale që përkthehet ‘lule mersinë’ (simbol i perëndeshës Afroditë). Një nga motrat e Aleksandrit quhej Thesalonike njësoj siç quhet sot Selaniku në greqisht. Thesalonike në greqisht ka kuptimin “Fitorja mbi Thesalinë”. Gjyshja e Aleksandrit (pra nëna e Filipit) quhej Euridike qe nga greqishtja e lashtë përkthehet “drejtësi e madhe”. Miku i tij më i ngushtë Hefestion kishte emrin e një perëndie greke, Hefestos, që ka kutimin vullkan. Grekët e sotëm akoma e përdorin këtë fjalë për vullkanin (Ifestos). Kali i Aleksandrit quhej Bukefalos (Bou+kefalos) që ka kuptimin “kokë-dem” ngaqë ishte kokëfortë. Grekët e sotëm akoma i përdorin këto fjalë për kokën (kefalos) dhe për demin (buos). Pa vazhduar më tej me emrat këtu vërtetohet akoma më shumë origjina helene e Maqedonasve të lashtë dhe Aleksandrit të Madh.
Disa mendojnë që Aleksandri nuk ishte grek për faktin se ata grekët i quanin barbar apo anasjelltas. Por autorët antikë pohojnë se barbar nuk ka kuptimin domosdoshmërisht ‘ata që nuk flisnin greqisht’, por ka raste kur përdoret në kuptimin ‘ata që nuk e flasin mirë gjuhën e një vendi të caktuar’ (pra me kuptimin ‘i paqytetëruar’). Kjo fjalë zakonisht përdorej nga Athiniotët për të sulmuar popujt e tjerë grek me të cilët ishin në konflikt. Mos harrojmë që Filipi i Maqedonisë beri luftë me Tebën, Athinën duke i nënshtruar ato. Pas kësaj Filipi mori Aristotelin nga Athina për t’i mësuar të birit (Aleksandrit) dialektin atik të Athinës që më vonë u bë gjuha standarte e mbarë Greqisë e më gjerë. Greqia në atë kohë kishte katër dialekte kryesor dhe vetëm falë bashkimit të saj nga Aleksandri u krijua gjuha standarte atike (dialekti athiniot-jonik me të cilin u shkruan veprat e Homerit dhe Hesiodit). Tragjediani Euripid madje shkoi të jetonte në pallatin mbretëror maqedonas në vitin 408 pr.e.s.
Mos harrojmë se Filipi krijoi Ligën helenike të Korinthit në vitin 338 pr.e.s nën udhëheqjen maqedonase për të luftuar kundër persëve.
Zakonisht barbarë përdorej nga grekët e periudhës arkaike për të huajt, por duke nisur nga periudha klasike athinasit e përdornin këtë term edhe për grekë të tjerë, veçanërisht fiset jonike ndaj fiseve dorike.
Gramatikani Athenias, për shembull, etiketonte si barbarë thesalianët, beotianët dhe elianët, edhe pse e dinte që ata ishin shumë mirë grekë. Madje elianët ishin ata që mirëprisnin zhvillimin e lojërave olimpike në Elis (Olimpia). Pra ishin qendra e lojërave panhelenike.
Aleksandri kur hypi në pushtet bashkoi gjithë qytet-shtetet e tjera greke (helene) pa luftë sepse grekët e konsideronin si rracë të tyre. Më përpara janë zhvilluar luftra midis Maqedonasve dhe Dardanëve, Epirotëve dhe fiseve ilire, por dhe midis qytet-shteteve greke (si Athina me Spartën etj).. Vetë Aleksandri i Madh shpartalloi ilirët në fillimet e pushtetit të tij ku më pas i nënshtroi dhe i bashkoi ata në ushtrinë greko-maqedone për të luftuar persët.
Pella, vendlindja e Aleksandrit, dhe njëkohësisht kryeqyteti i Maqedonisë antike ndodhet pranë Selanikut, prandaj në Selanik ndodhet një nga sheshet që mban emrin “Aleksandri i Madh i Maqedonisë” ku në mes ka statujën e Aleksandrit (kjo në foto). Kjo zonë (Selaniku me krahinat përreth) mban akoma emrin krahina e Maqedonisë në dokumentat greke dhe jo vetëm. Gjithsesi një pjesë e mirë e nënshtetasve të Maqedonisë së sotme kanë lidhje me Aleksandrin e Madh pasi një pjesë e Maqedonisë së sotme (e Veriut) ishte pjesë e Maqedonisë së lashtë dhe sipas sondazheve gjenetike në bazë AND-je një përqindje e konsiderueshme e tyre kanë lidhje me Maqedonasit e lashtë, prandaj ky vend meriton të quhet të paktën Maqedonia Veriore për të bashkë-ndarë me grekët emrin antik të zonës dhe heroin e lavdishëm të saj, Aleksandrin e Madh të Maqedonisë (të quajtur Megas Aleksandros). Megjithatë statuja të Aleksandrit nuk ndodhen vetëm në Greqi apo Maqedoninë e sotme, por dhe në Aleksandri të Egjiptit, qytetin ku mban emrin e tij dhe që ai vet themeloi. Aleksandria ishte qyteti më i rëndësishëm helen pas vdekjes së Aleksandrit, aty ndodhej biblioteka më e madhe e botës që më vonë u shkatërrua nga romakët e më vonë nga arabët. Prej aty u përhap kultura greke (helene) në perandorinë romake e më gjerë. Ndonëse Aleksandri konsiderohet heroi më i madh grek ai u përket të gjithëve, ëndrra e tij ishte ta bashkonte botën nën një perandori të vetme, me një gjuhë të vetme (greke atike), dhe po të kishte jetuar gjatë mund t’ia kishte arritur. Mos të harrojmë që Perandoria e tij u shtri deri në Indi. Falë tij greqishtja atike u bë më pas gjuhë zyrtare e botës helenistike (vendet ku ai sundoi), falë tij Perandoria Bizantine përdori këtë gjuhë zyrtare ku dhe vet bibla u shkrua në këtë gjuhë në fillimet e saj. Duam apo s’duam ne e vërteta provohet me fakte e prova dhe jo me dëshira e emocione.
Pavarësisht këtyre Aleksandri mbetet njeriu më i madh në histori dhe e gjithë bota perëndimore duhet të krenohet me të.
IDENTITETI I MAQEDONASVE TË LASHTË SIPAS BURIMEVE ANTIKE
1) TESTAMENTI I RI (Bibla):
“Apostulli Pal u thirr në Maqedoni nga një maqedonas në formën e një vegimi që i fliste greqisht”- (Veprat Apost. XVI 9,10.);
“Apostujt Pali dhe Sila takuan burra dhe gra greke në Selanik (Maqedoni) dhe Beroea” - (Veprat Apost. XVII 4, 12);
2) HESIODI:
"Dhe ajo (Thyia, e bija e Deukalionit) mbeti shtatzënë dhe i lindi Zeusit, i cili kënaqet në bubullima, dy djem, Magnesin dhe Makedonin, duke i gëzuar me kuaj, dhe ata kishin banuar rreth e rrotull Pierisë dhe Olimpit" - Hesiodi, Katalogjet e Grave dhe Eoiaeve 3 (Loeb, H.G. Evelyn-White).
3) HERODOTI:
"Peloponezianët që ishin me flotën ishin ... Lakedemonasit ... Korinthasit ... Sikionianët ... Epidaurianët ... Troezenianët ... burra të Hermiones atje; të gjithë këta, përveç njerëzve të Hermiones, ishin të trungut (fisit) Dorian dhe Maqedonas dhe kishin ardhur për herë të fundit nga Erineusi dhe Pindusi dhe rajoni i Dryopianit". - Herodoti VIII, 43 (Loeb. A.D. Godley).
“Stërgjyshërit e Dorianëve kanë jetuar nën malin Ossa (Thesali) dhe malin Olimp, domethënë në të njëjtën zonë si magnetët dhe maqedonasit e parë para se të emigronin në Pindos, ku u quajtën Makednoi”.
"Sepse në kohën e mbretit Deukalion ai (fisi) banonte në tokën e Phtias (vendlindjen e Mirmidonëve), pastaj në kohën e Dorosit, birit të Helenit, në një vend të quajtur Hestian, nën malet Ossa dhe Olimp; drejtuar nga Kadmeanët nga ky vend Hestian u vendos rreth Pindusit në pjesët e quajtura maqedonase; prej andej përsëri emigroi në Dryopia dhe më në fund erdhi nga Dryopia në Peloponez, ku mori emrin Dorian ". - Herodoti I, 56, 3 (Loeb, A.D. Godley).
"Thuaji mbretit tënd që të ka dërguar se si mëkëmbësi i tij grek i Maqedonisë të ka pritur me mikpritje..." - Herodoti V, 20, 4 (Loeb, A.D. Godley).
"Sepse unë vetë jam grek me prejardhje të lashtë dhe për qejf nuk do doja të shikoja që Helada (Greqia) ta shkëmbejë lirinë e saj me skllavëri". - Herodoti IX, 45, 2 (Loeb, A.D. Godley);
"Tani që këta pasardhës të Perdikasit (mbreti I maqedonas) janë grekë, siç thonë ata vetë, unë pata mundësinë ta di dhe do ta dëshmoj në pjesët e mëvonshme të historisë". - Herodoti V, 22, 1 (Loeb, A.D. Godley).
4) TUKYDIDI (historian grek i periudhës klasike)
"Vendi buzë detit që tani quhet Maqedoni ... Aleksandri, babai i Perdikasit II dhe etërit e tij, të cilët fillimisht ishin Temeniadë nga Argosi" - Tukydidi 99,3 (Loeb, C F Smith)'
5) POLIBI (historian i periudhës helenistike):
"Ky është një traktat i betuar i bërë midis nesh, Hanibalit .. dhe Ksenofan Athiniotit ... në prani të të gjithë perëndive që zotërojnë Maqedoninë dhe pjesën tjetër të Greqisë". - Historitë e Polibit, VII, 9, 4 (Loeb, W. R. Paton);
"Se sa shumë duhet t’i nderojmë maqedonasit, të cilët për pjesën më të madhe të jetës së tyre kurrë nuk pushojnë së luftuari me barbarët për hir të sigurisë së Greqisë?..." Historitë e Polibit, IX, 35, 2 (Loeb, W.R. Paton);
6) ISOKRATI
"... të gjithë njerëzit do t’ju jenë mirënjohës: Helenët për mirësinë tuaj ndaj tyre dhe pjesës tjetër të kombeve, nëse me duart tuaja janë çliruar nga despotizmi barbar dhe janë sjellë nën mbrojtjen e Heladës (Greqisë)".- Isokrati, drejtuar Filipit II të Maqedonisë, 154 (Loeb, G. Norlin);
"Është privilegji juaj, si dikush që është bekuar me liri të pakthyeshme, ta konsideroni të gjithë Heladën (Greqinë) atdheun tuaj, siç bëri themeluesi i racës tuaj". - Isokrati, drejtuar Filipit II të Maqedonisë, 127 (Loeb, G. Norlin);
"Argosi është vendi i etërve tuaj". - Isokrati, për Filipin, XII, 32 (Loeb, G. Norlin).
7) TITUS LIVIUS (historian romak, shek. I).
"Aetolët, Akarnanasit, Maqedonasit, burra të së njëjtës gjuhë" - T. Livius XXXI, 29, 15 (Loeb, E.T. Sage),
8) HERODOTI, vepra HISTORITË, kapitull IX pika 45:
Aleksandri i parë, gjatë një bisede me athinasit përpara një beteje me persët shpreh qartë përkatësinë e tij helene duke thënë:
"Burra athinas, jua besoj këto fjalë si amanet, duke ju urdhëruar t'i mbani të fshehta dhe të mos ia thoni askujt, përveç Pausanias, që të mos më shkatërroni, sepse nuk do t'i thoja nëse nuk do kujdesesha shumë për mirëqenien e Heladës (Greqisë), duke qenë se unë jam vetë helen me origjinë, dhe nuk do doja ta shoh të skllavëruar Heladën e lirë.... Unë jam Aleksandër maqedonasi".
9) ARRIANI (Historian, 92-175):
"Ai dërgoi në Athinë treqind kalorës (ushtarë) persianë për t'u vendosur në Athena në akropol; ai urdhëroi që ky mbishkrim të bashkangjitet: Aleksandri, bir i Filipit dhe Grekët, përveç Lakedemonasve, vendosën këto plaçka nga barbarët që banonin në Azi" - Arrian I, 16, 7 (Loeb, PA Brunt).
"Etërit tuaj pushtuan Maqedoninë dhe pjesën tjetër të Greqisë dhe na bënë dëm të madh, megjithëse ne nuk u kishim bërë atyre asnjë dëmtim më përpara; ... Unë jam emëruar hegjemon (lider) i grekëve ..." - Arrian, Anabasis i Aleksandrit II, 14, 4 (Loeb, PA Brunt);
10) FAKTE TË TJERA
"Ata thonë se këto ishin fiset e mbledhura nga vetë Amfiktyoni në asamblenë greke ...` Maqedonasit arritën të bashkohen dhe gjithë racën fociane ... Në kohën time ishin tridhjetë anëtarë: nga gjashtë nga Nikopolis, Maqedonia dhe Thesalia ... ". - Pausanias, Phokis VIII 2 & 4 (Loeb, W. Jones)
"Por Aleksandri I duke dëshmuar se ishte me origjinë argeade (nga Argosi), ai u gjykua se ishte grek; kështu ai konkurroi në garën me kuaj (furlong) dhe vrapoi me një nxehtësi vdekjeprurëse për vendin e parë". - Herodoti V, 22, 2 (Loeb, A. D. Godley)
"Belistike, një grua nga brigjet e Maqedonisë, fitoi me një çift mëzash .. në Olimpiadën e njëqind e njëzet e nëntë". - Pausanias, Eleia VIII, 11 (Loeb, W. Jones - H. A. Ormerod);
Katër teatrot e lashtë në Maqedoni (në Dion, Vergina, Filipi dhe Thasos). Është një fakt i njohur që vetëm Grekët e lashtë kishin teatro. Teatri i Dionit organizoi shfaqjen e parë (para një publiku maqedonas që fliste greqisht, natyrisht) të tragjedisë me famë botërore “Bakae” të Euripidit, të cilën e shkroi në Pella të Maqedonisë. Euripidi vdiq dhe u varros në Maqedoni (406 pr.e.s).
"Euripidi vetë shkoi te mbreti Askhelausaus dhe u varros në Maqedoni" - Pausanias, Attica II, 2 (Loeb, W. Jones);
Romakët, kur pushtuan Maqedoninë, e konsideruan atë një provincë greke. Në të vërtetë, në kohërat romake monedhat e prodhuara në Maqedoni përshkruanin simbole të lashta maqedonase me mbishkrime greke.
Një studim i shkrimtarit gjerman Sigrid Dull, në lidhje me perënditë që adhuroheshin gjatë kohës romake në Maqedoninë e lashtë , zbulon se perënditë që adhuroheshin ishin perënditë e Olimpit. Autori gjerman shkruan më tej se të gjitha mbishkrimet e lashta aty janë greke dhe pjesa tjetër latine(ajo e periudhës romake). Vendet arkeologjike të Dionit, Verginës, Pellës, Beroeas, Amfipolit, etj., na kanë dhënë mbi 70,000 zbulime dhe mijëra mbishkrime greke nga Maqedonia dhe Lindja.
"Në të kaluarën ju ishit rivalë me Akejtë dhe Maqedonasit, popujt të racës tuaj, dhe Filipin, komandantin e tyre, për hegjemoninë dhe lavdinë, por tani që liria e helenëve është në rrezik në një luftë kundër një populli të huaj (romakëve) ,… Dhe a ia vlen të bësh aleancë me barbarët, të dalësh në fushë me ta kundër epirotëve, akejve, akarnianëve, boiotianëve, thesalianëve, në fakt me pothuajse të gjithë helenët me përjashtim të etolianëve që janë komb i lig…… Pra o lakedeimonas (spartanë) është mirë të kujtoni paraardhësit tuaj,… kini frikë nga romakët… dhe bëni aleancë me akejtë dhe maqedonasit. Por nëse disa qytetarë më të fuqishëm kundërshtojnë këtë politikë, të paktën qëndroni neutral dhe mos u bëni me padrejtët. " (Polibi, Historitë).
“Çfarë gjuhe flisnin këta maqedonas? Vetë emri është grek në rrënjë dhe në përfundim etnik. Ndoshta do të thotë malësorë dhe është i krahasueshëm me emrat fisnorë grekë si "Orestai" dhe "Oreitai", që kanë kuptimin "njerëz malorë". Një variant më i hershëm, "Maketai", ka të njëjtën rrënjë, që do të thotë "i lartë", si në mbiemrin grek makednos ose emrin mekos. Gjenealogjia e paraardhësve eponimë (emërdhënës) të regjistruar nga Hesiodi […] ka një lidhje në çështjen e të folurit greqisht. Së pari, Hesiodi e bëri Makedonin vëlla të Magnit; siç e dimë nga mbishkrimet se magnët flisnin dialektin eolik të gjuhës greke, ne kemi një prirje të supozojmë se maqedonasit flisnin dialektin aeolik. Së dyti, Hesiodi i bën Makedonin dhe Magnin kushërinjtë e parë të tre djemve të Helenit - Dorit, Ksouthit dhe Aeolit - të cilët ishin themeluesit e tre dialekteve gjuhës greke, përkatësisht dorik, jonik dhe aeolik. Hesiodi nuk do ta kishte shënuar këtë marrëdhënie, po të mos kishte besuar, ndoshta në shekullin e shtatë, se Maqedonasit ishin një popull që fliste greqisht. Dëshmia tjetër vjen nga Persia. Në fillim të shekullit të gjashtë, persët kanë përshkruar popujt që paguanin haraçin e krahinës së tyre në Evropë, dhe një prej tyre ishte "yauna takabara", që do të thotë "grekët që mbajnë kapele". Kishte grekë në qytet-shtetet greke aty-këtu në krahinë, por ata ishin me origjinë të ndryshme dhe nuk dalloheshin nga një kapelë e zakonshme. Sidoqoftë, maqedonasit mbanin një kapelë të veçantë të quajtur kausia. Ne arrijmë në përfundimin se persët besonin se maqedonasit ishin folës të greqishtes. Më në fund, në pjesën e fundit të shekullit të pestë, një historian grek, Hellaniku, vizitoi Maqedoninë dhe modifikoi gjenealogjinë e Hesiodit duke e bërë Makedonin jo një kushëri, por një bir të Eolit, duke e futur kështu Makedonin dhe pasardhësit e tij thellë në degën aeolike të familjes greqisht-folëse. Hesiodi, Persia dhe Hellaniku nuk kishin asnjë arsye për të bërë një deklaratë të rreme në lidhje me gjuhën e Maqedonasve, të cilët atëherë ishin një popull jo shumë i njohur dhe jo i fuqishëm. Dëshmitë e tyre të pavarura duhet të pranohen si përfundimtare. " -
Nicholas G. L. Hammond, Studiues klasik, akademik britanik (1907 - 2001). Studimet e Hammond ishin fokusuar kryesisht në historinë e Maqedonisë dhe Epirit, ai fliste shumë mirë shqip. Ai ka qënë konsideruar eksperti kryesor për historinë e Maqedonisë antike.
Gjatë fushatave ushtarake, Aleksandri u bën thirrje rinisë të mbarë popujve helenë:
“O djem të Pelianëve dhe të Maqedonasve dhe të Amfiksionisë (Lidhjes) Helene, të Lakedaimonëve dhe të Korintasve… dhe të të gjithë popujve helenë, bashkohuni me shokët tuaj ushtarë dhe më besoni mua, që të veprojmë kundër barbarëve dhe çlirohemi nga robëria persiane, sepse si grekë nuk duhet të jemi skllevër të barbarëve”.
(Pseudo-Kalisteni, Alexndri Magni)
"Në atë kohë mbreti Antiok, duke udhëtuar në vende e larta, dëgjoi të thuhej se Elimais, në Persi, ishte një qytet shumë i njohur për arin, argjendin dhe se tempulli që ndodhej në të ishte shumë i pasur, ku kishte mbulesa prej ari, të cilat Aleksandri III, i biri i Filipit, mbreti maqedonas, i cili mbretëroi i pari midis grekëve, i kishte lënë atje."
- Makabejtë (Maccabees), libri XII, kap.6, "Vdekja e Antiokut Epifan".
Eusebius gjithashtu, autor greko-sirian i shekullit IV e.s., në veprën e tij "kronografi" i fut maqedoniasit te mbretëritë e lashta greke.
Më poshtë keni video ku flasin historianët e huaj për këtë temë