PIRATËT ILIRË
Në studimet bashkëkohore mbi historinë e ilirëve është shkruar shumë mbi piratërinë, duke e quajtur shpesh herë si një natyrë të dytë të atij populli të lashtë. Për këtë cilësim kanë shërbyer si mbështetje disa dëshmi të autorëve të lashtë, kryesisht të periudhës romake.
Përfytyrimi për piratët ilirë për romakët nuk përbënte një veprimtari personale, ashtu siç kemi mësuar nga shembujt e piratërisë oqeanike të shekullit XVIII me kapiten Kidd, ose Edward Teach. Për romakët e lashtë pirateria ilire ishte një veprimtari kolektive, mos më tepër etnike. Pothuaj dy shekuj pasi piratët ilirë ishin zhdukur nga Adriatiku, gjeografi grek Straboni, i cili jetoi në Romë në kapërcyellin e Erës sonë, shkruante për bregdetin ilir: “….këtu njerëzit ishin të egër dhe piratëria ishte një gjë e zakonshme”. Si protagonistë të kësaj veprimtarie ai u vinte gishtin japodëve, “… të njohur për grabitjet e tyre të vazhdueshme”, si dhe ardianëve, të cilët “… romakët i shpërngulën në viset e brendshme, sepse shkretonin detin me pirateri”.
Një tjetër autor grek që jetoi në Romë në shekullin II pas Krishtit, Apiani, na ka përcjellë edhe kujtimin e largët të një talasokracie (sundim i detrave) ilire, kur shkruante: “… Liburnët, fis ilir, që grabisnin detin Jon dhe ishujt me anijet e tyre të lehta dhe të shpejta… romakët i quajnë anijet me dy palë rema liburnide”.
Duke u kthyer prapa në lashtësi na shkon mendja të pyesim: vërtetë ishte pirateria një cilësi etnike, apo qoftë një veprimari bazë jetësore për të gjithë ilirët? A ka pasur një kohë kur Adriatiku kontrollohej nga piratët ilirë, pra a ka ekzistuar një talasokraci ilire.
Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve duhet të pranojmë që në fillim se pirateria ilire na është dëshmuar vetëm nga të dhënat e autorëve antikë. Deri më sot nuk kemi prova arkeologjike të drejtpëdrejta të asaj veprimtarie tek ilirët. Në kështjellat dhe nekropolet e tyre përgjatë bregdetit nuk janë gjetur thesare, ose sende të lidhura dukshëm me piraterinë.
Edhe bota ilire nuk ishte një e vetme, por shpërbëhej në treva që ndryshonin për nga zhvillimi ekonomik, social e kulturor.
Kështu jugu i bregut ilir në Adriatik deri në Gjirin e Narentës përfaqësonte pjesën më të urbanizuar, me lidhje të hershme kulturore e ekonomike me Greqinë dhe me jugun e Gadishullit italik. Luginat e lumenjve Aoos (Vjosë), Apsus (Seman), Genusus (Shkumbin), Drinus (Drin) ose Narenta (Neretva), ofronin këtu rrugë natyrore të përshtatshme për tregtinë në thellësinë e Gadishullit.
Përkundrazi bregdeti verior i Adriatikut, që cilësohej në lashtësi si Dalmatia, veçohej nga prapatoka prej vargjeve të maleve të lartë, që shtriheshin paralel me bregun. Atje toka ishte e pakët dhe e varfër, por gjiret dhe ishujt e shumtë ndihmonin veprimtaritë në det.
Gjeografi grek Pseudo-Skymni, që ka përcjellë një realitet historik të gjysmës së parë të shekullit IV para Krishtit na ka lënë një përshkrim mjaft pozitiv të diversitetit të botës ilire:
“Pastaj vjen Iliria, një tokë e gjatë me shumë popuj brenda. Thonë se popullsia e saj është shumë e madhe; nga këta popuj disa banojnë në viset e brendshme, duke lëruar tokën; disa të tjerë anës detit Adriatik. Një palë nga këta i binden pushtetit të basilejve, disa të tjerë monarkëve; dhe një palë vetësundohen. Thonë se këta i nderojnë shumë perënditë, se janë shumë të drejtë dhe mikpritës, se e duan jetën shoqërore dhe janë të shtënë pas një jete shumë të hijshme”.
Këtu nuk flitet askërkund për piraterinë, megjithatë ajo veprimtari ekzistonte, madje në një mënyrë të organizuar. Kështu më 385 para Krishtit, siç na ka kumtuar historiani siciliot Diodori “… sundimtari i Sicilisë, Dionisi i Madh, vendosi të themelonte shumë qytete gjatë brigjeve të detit Adriatik… me qëllim që të bënte të vetin Gjiun e Jonit dhe të siguronte kështu lundrimin për në Epir dhe të kishte qytetet e veta që të shërbenin si baza detare”. Gjiu i Jonit quhej asokohe Kanali i Otrantos, ndërsa bazat detare të Dionisit të Madh u krijuan në ishujt Issa dhe Far, ku u vendosën koloni greke.
Që në vitin e parë të themelimit kolonia e Farit u godit nga një flotë e madhe ilire, që transportoi nga bregdeti në ishull 10000 luftëtarë. Vetëm ndërhyrja e flotës sirakuziane të instaluar në Issa (ishull kroat) e shpëtoi Farin nga shkatërrimi. Rreth tridhjetë vjet më vonë gjendja nuk kishte ndryshuar shumë në Adriatik dhe birit të Dionisit të Madh, të quajtur Dionisi i Ri, iu desh të themelonte dy qytete në bregdetin e Apulisë (Puljes), “… të cilët duhet të shërbenin si skela të sigurta për të gjithë ata që lundronin në detin Jon, mbasi barbarët që banonin në këto brigje shkretonin detin me anijet e tyre të shumta pirate, duke bërë të pamundur për anijet tregtare lundrimin në Adriatik.
Kjo gjendje pasigurie në Adriatikun e sipërm duket se ruhej deri në fund të shekullit IV para Krishtit, sepse kur në vitin 314 mbreti spartan Kleomeni u shty nga erërat me anijen e tij në mes të Adriatikut, e ndjeu veten në rrezik, sepse, sipas Tit Livit (XIX, 70, 7), kishte “… në të majtë bregdetin pa limane të Italisë, ndërsa në krahun e djathtë ilirët, liburnët dhe istrët, popuj të egër, në shumicën e tyre me famë të keqe për pirateri”.
Dëshmitë arkeologjike provojnë se shekulli IV para Krishtit nuk ka qënë aspak një kohë kaosi, siç mund të krijohet përfytyrimi nga citimet e mësipërme. Përkundrazi ajo ka qënë periudha e themelimit të qyteteve epirote dhe ilire, të lidhura me detin si p.sh: Butronti (Butrinti), Foinike (Finiqi), Amantia (Ploça), Skodra (Shkodra), Rizoni (Risani), por edhe e veprimtarisë së mbretërve të fuqishëm ilirë si Bardhyli, Pleuria, Kliti e Glaukia.
Ajo ka qënë dhe periudha e lidhjeve të ngushta ekonomike midis dy brigjeve të Adriatikut. Këtë e dëshmon gjetja në Amantia, Apoloni e Dyrrah e enëve me figura të kuqe, të prodhuara në Sirakuzë, ose në qendrat apule.
Nuk ka dyshim që në kohën e krijimit të shteteve të fuqishme ilire ato përpiqeshin të kontrollonin edhe atë pjesë të trafikut detar që kalonte përgjatë bregut lindor të Adriatikut. Kështu në vitin 312 pr. Kr. Dyrrahu ra nën sundimin e mbretit ilir Glaukias. Gjithashtu, rreth vitit 280 pr.Krishtit., një pasardhës i tij, mbreti ilir Monuni, vuri nën kontrollin e tij Apolloninë dhe Dyrrahun, të cilat mbetën nën sundimin ilir edhe gjatë qeverisjes së mbretit Mytil (231 pr.K).
Ishte koha kur, pas fitores mbi Pirron, romakët kishin dalë si forca kryesore politike në bregdetin perëndimor të Adriatikut. Ndeshja midis dy shteteve u shfaq në përpjekjen për të vendosur hegjemoninë detare, që ishte forma themelore e hegjemonisë ushtarake në Mesdheun antik.
Në shkaqet e luftës kjo ndeshje shfaqet edhe si antagonizëm i dy koncepteve të ndryshme në përdorimin e hapësirës së lirë të detrave. Mund t’i referohemi për këtë debatit të mbretëreshës Teuta me përfaqësuesin e senatit romak, Korunkanin, i cili kishte ardhur për të kërkuar nga Teuta ndalimin e sulmeve të anijeve ilire kundër ishullit Issa, si dhe anijeve tregtare italike. Kur, sipas historianit grek Polibit, mbretëresha i tha atij “… se do të përpiqej të kujdesej që romakët të mos pësonin ndonjë padrejtësi nga ilirët, por mbretërit nuk i lejonte zakoni të ndalonin ilirët të përfitonin në mënyrë private nga të mirat e detit”, ajo i referohej një realiteti politik dhe juridik krejt të ndryshëm nga ai latin.
Nuk ka aspak të ngjarë që Polibi ta kishte krijuar vetë atë dialog, sepse pushtetin e kufizuar të mbretërve në raport me shtetasit e tyre e kemi të dëshmuar edhe në Epir. Sipas Plutarkut, mbretërit, pasi i bënin flijim zotit të luftës në Pasaron të Molosisë, e kishin për zakon të betoheshin para epirotëve se do të sundonin sipas ligjeve, kurse epirotët u betoheshin atyre se do ta mbronin mbretërinë sipas ligjeve”.
Në përgjigjen e tij, delegati romak, Korunkani, i deklaroi Teutës një tip tjetër të kontratës politike midis autoritetit dhe popullit. “Romakët, - i thotë ai Teutës, - kanë një zakon të mirë që padrejtësitë private i ndjekin publikisht dhe ndihmojnë ata që dëmtohen padrejtësisht. Dhe do të përpiqemi që, por të duan perënditë, për së shpejti të të detyrojmë të ndreqësh zakonet mbretërore të ilirëve”. (Polyb.II 8, 109).
Kështu, luftërat iliro-romake na paraqiten jo vetëm si konflikt interesash, por edhe si përballje e dy sistemeve të ndryshme antike; atij mesdhetar të decentralizuar (jo domosdo demokratik), kontraktual ndërmjet pushtetit qendror dhe lirive tradicionale, dhe atij latin, të bazuar në një sistem institucionesh dhe ligjesh. Nuk mund të themi se linja e demarkacionit midis të dy sistemeve ishte pikërisht vlerësimi i statusit të piraterisë. Luftëra iliro-romake dëshmojnë se ka pasur një fleksibilitet, madje shumë demagogji në përfytyrimin zyrtar romak mbi piraterinë ilire të asaj periudhe. Sepse ndodhte që kur flota ilire vepronte kundër romakëve ose aleatëve të tyre, ato veprime quheshin nga autorët antikë si veprimtari piraterie, por kur e njëjta flotë sulmonte armiqtë e Romës, quheshin si inkursione (sulme) luftarake.
Polibi, i cili i njihte mirë të dy sistemet politike, na zbulon në analizat e tij motivet e vërteta të luftërave iliro-romake. Sipas tij arsyeja e vërtetë për fillimin e luftës për romakët ishte sepse “Agroni, mbreti i ilirëve dhe i biri i Pleuratit, kishte një fuqi detare dhe tokësore më të madhe nga ajo që kishin pasur mbretërit e mëparshëm të Ilirisë (Polyb, II 2).
Në një vend tjetër, me rastin e fillimit të luftës kundër dalmatëve rreth 70 vjet më vonë, përsëritet pothuajse plotësisht skenari i luftës së viteve 229-228 para Krishtit. Kur banorët e ishullit Issa u ankuan kundra akteve të piraterisë dalmate, Polibi (XXX 9, 1-9) shpjegon se romakët: “duke ndërmarrë një fushatë kundër dalmatëve, në njërën anë dëshironin të nxisnin dhe të ngrenin shpirtin luftarak të popullit të tyre dhe në anën tjetër donin t’u jepnin një mësim ilirëve dhe do t’i detyronin ata t’i nënshtroheshin sundimit të Romës. Për këto arsye romakët u shpallën luftë dalmatëve, por përpara popujve të tjerë hiqeshin se e bënin këtë për shkak të sjelljes së keqe të dalmatëve ndaj përfaqësuesve të tyre”.
Nëse do të ndjekim përshkrimet e Polibit, do të rezultonte një trajtim realist i veprimeve të flotës ilire gjatë periudhës pesëdhjetëvjeçare të luftërave me Romën. Flota u përdor nga mbretërit ilirë, duke filluar nga Agroni e Teuta, pastaj nga Skerdilajdi, Pleurati e Genti, për veprime luftarake me synime strategjike e taktike, por edhe u dha në shërbim të të tretëve në këmbim të pagesës. Në kombinim me këto veprime u lejuan edhe veprimtari të mirëfillta piraterie për përfitime personale, por gjithmonë kundër anijeve apo bregdetit të vendeve armike, ashtu siç ndodhte me korsarët anglezë të shekullit XVIII.
Në vitin 231 pr.Krishtit, flota ilire, e dërguar nga Agroni për të ndihmuar akarnanët e rrethuar në qytetin Medion nga etolët (korinthasit), veproi në mënyrë të disiplinuar, me një taktikë të përsosur, duke siguruar fitoren, por edhe duke marrë të gjithë plaçkën e luftës nga armiku. Polibi (II 3, 7) shkruan se “… ilirët pasi përmbushën urdhërat e mbretit të tyre, ngarkuan plaçkën e luftës nëpër anije dhe u kthyen menjëherë në vendin e tyre”.
Një vit më vonë, me një strategji ekspansioni drejt trevave jugore, flota ilire sulmoi kryeqytetin e Epirit, Foiniken, duke kombinuar me një sulm tokësor nga lugina e Aosit (Vjosës). Mbretëresha Teuta u kishte dhënë atyre edhe lejen për të grabitur çdo anije në det dhe për të vepruar deri në brigjet e Mesenisë (Peloponez). Këtyre veprimtarive i korrespondon strategema (dredhia) e piratëve ilirë në qytetin Methon të Mesenisë, e përshkruar nga Pausania (Mes. IV 35, 6-7). Sipas tij ilirët “… hynë në Limanin e Methonit si miq dhe pasi dërguan lajmëtarë në qytet, kërkuan t’u sillnin verë në anije. Pasi erdhën pak burra, duke sjellë verë, edhe verën e blenë ilirët me çmimin që caktonin mothonasit, edhe atyre u shiten nga ato që kishin me vete. Kur të nesërmen erdhen nga qyteti më shumë njerëz, u dhanë mundësi që edhe këta të fitojnë. Më në fund gra dhe burra u derdhën në anije për të shitur verë dhe për të blerë sende nga barbarët. Atëherë ilirët, duke marrë guxim, rrëmbyen edhe burra shumë, edhe gra ca më shumë dhe pasi i vunë në anije, u drejtuan për në Jon, duke shkretuar qytetin e methonasve..”.
Ky ishte një shembull tipik i kombinimit të luftës, tregtisë dhe piraterisë. Gjatë fushatës kundër Foinikes më 230 pr.Krishtit, një pjesë e flotës ilire u shkëput për të sulmuar në det edhe tregtarët italikë në veprimtari të mirëfillta piraterie, por në vitin pasues po ajo flotë u përqendrua në veprime të pastra kundër Dyrrahut, Apolonisë dhe Korkyrës (Korfuzit). Në betejën pranë ishullit Paksos, të zhvilluara kundër flotave të forta të Korkyrës dhe Akesë, ilirët përdorën një taktikë të panjohur detare, duke i lidhur anijet e tyre katër bashkë, në mënyrë që të kapeshin midis tyre bashet e anijeve armike, dhe pastaj kapërcenin në anijet e armikut. “Në këtë mënyrë, - tregon Polibi (II 10, 1-8) – zunë katër tetrareme (anije me nga katër radhë lopata), ndërsa një pentareme (me pesë radhë lopata) e mbyten me gjithë burrat e saj”.
Kjo betejë shënoi dhe apogjeun e fuqisë detare ilire në Adriatik. Në vitet e mëpastajmë, deri në disfatën e mbretit Gent në vitin 168 pr.Krishtit, flota ilire do të shërbente jo më si një pjesë e ushtrisë mbretërore, por vetëm si një forcë mercenare në kompensim të të hollave, ose plaçkës së luftës, gjithmonë me kombinimin tradicional të piraterisë së tipit të korsarëve. Kështu Demetër Fari, që zuri vendin e Teutës si tutor i mbretit të mitur Pini në vitin 228 pr.Kr., shkoi me 1600 ushtarë ilirë në shërbim të mbretit maqedonas Antigon Dosonit në luftë kundër spartanëve dhe etolëve. Njëkohësisht flota ilire doli deri në detin Egje me 90 anije të komanduara nga Demetri dhe vëllai i mbretit Agron, Skerdilajdi. Në fillim, të gjithë sëbashku goditën bregdetin e Mesenisë dhe qytetin Pylos (Peloponez). Pastaj 60 anije të Demetrit shkuan të grabisnin ishujt Ciklade, kurse Skerdilajdi me 30 anije u vu në shërbim të etolëve kundër akejve. Pasi këta nuk i dhanë shpërblimin e premtuar, ai bëri një kontratë me kundërshtarin e tyre, Filipin V të Maqedonisë, për t’i shërbyer për një vit me 30 anije kundrejt shpërblimit prej 30 talente argjendi (rreth 35 kg argjend për anije).
Edhe Demetri, pasi u kthye nga Cikladet me një plaçkë të madhe, u vu në shërbim të Filipit V të Maqedonisë, me qëllim që të sulmonin etolët.
Kjo histori kondotierësh nuk pati ndonjë përfitim të madh, sepse Demetri nuk i grabiti dot anijet e etolëve, ndërsa Skerdilajdi nuk e mori shpërblimin për shërbimin që i bëri mbretit maqedonas. Megjithatë nuk u kthye duarbosh, sepse i mori me forcë në ishullin e Leukadës anijet e maqedonëve dhe grabiti bregdetin dhe tregtarët e aleatëve të tyre.
Duke filluar nga viti 216 pr.Kr., kur Filipi V filloi një fushatë në Iliri, që do ta çonte në dyert e Lisit (Lezhës) dhe Skodrës (Shkodrës), mbreti ilir Skerdilajd dhe i biri Pleurati i ofruan aleancën e tyre romakëve të vendosur në Dyrrah dhe Apolloni. Flota e tyre u vu në shërbim të veprimeve luftarake të ndërmarra nga senati kundër Filipit, por as Polibi dhe as Titi Libi, që i përshkruajnë këto veprime, nuk i quajnë më si inkursione piraterie.
Përkundrazi, kur në fron erdhi Genti, i cili u orientua nga aleanca me Maqedoninë për t’i bërë ballë presionit romak kundër zotërimeve të tij, përsëri detarët ilirë u quajtën piratë nga romakët. Ishe viti 180 pr.Krishtit kur pretori romak L. Duroni raportoi në Romë “… se shkaku i të gjitha piraterive në det ishte pa dyshim mbreti i ilirëve Genti. Të gjitha anijet që grabisnin brigjet e detit të sipërm ishin të mbretërisë së tyre” (Liv.XL 42,1,2).
Faktet e mësipërme historike dëshmojnë se talasokracia ilire në Adriatik dhe veprimtaritë pirateske të lidhura me të ishin të lidhura me një periudhë të shkurtër, e cila korrespondon me shtrirjen e mbretërisë ilire të Agronit dhe Teutës drejt Jugut në vitet 231-229 pr.Kr., por edhe me vendosjen e hegjemonisë romake në bregun lindor të Adriatikut në vitin 168 pr.Kr. Për këtë arsye përfytyrimi romak mbi piraterinë ilire, që është marrë më pas si një aksiomë për tipizimin e ilirëve, ishte mjaft relativ. Nga njëra anë ai ishte rezultat i kontrastit të koncepteve juridike mbi funksionet e piraterisë si një veprimtari plotësuese ndaj luftës dhe tregtisë, por nga ana tjetër ishte dhe në vartësi të pozicioneve politike në aleancë, ose në luftë me ilirët.
Të dhënat arkeologjike kanë provuar se piratëria nuk ka përbërë kurrë një veprimtari themelore të ilirëve. Trevat më të urbanizuara të saj ishin përfshirë që nga shekulli VI pr.Kr. në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror mesdhetar. Trevat e amantëve, bylinëve, parthinëve, labianëve, daorsëve, etj, nuk dalloheshin shumë nga krahinat periferike helene, si Akarnania e Etolia, përsa i përket zhvillimit të qyteteve, ndërkohë që edhe mbretëria ilire përfaqësonte një shtet tipik në periferi të botës helene. Shpesh herë paragjykimet historike janë refleks i paragjykimeve të sotme mbi trashëgimtarët e ilirëve, shqiptarët, prandaj na takon që me objektivitet të rishkruajmë historinë e lashtë të vendit tonë.
Nga Neritan Ceka (arkeolog, historian)
Revista shkencore historike “PERLA”, nr. 4, viti 2002.