KOLONITË GREKE
Gjatë shekujve VIII-VI pr.e.s, Greqia pati një bum të vërtetë demografik, shkaktuar nga një sërë shkaqesh të pastudiuara deri në fund. Pavarësisht nga kjo, është i padiskutueshëm fakti se ky shpërthim demografik ishte një nga shkaqet kryesore të zhvillimit të shpejtë të ekonomisë greke në këtë periudhë historike. Shtimi i madh natyror i popullsisë në kushtet e zhvillimit të pamjaftueshëm të veglave të punës, në rrethanat kur toka që zotëronin poliset greke, qe e papërshtatshme dhe, për më tepër, nuk mjaftonte për të përballuar bumin demografik, qenë ndoshta shkaqet kryesore të kolonizimit të madh grek. Pikërisht këto tre faktorë i dhanë koloninizmit helen karakterin e një emigrimi të detyruar.
Tri qenë drejtimet më të rëndësishme të kolonizimit të madh grek të shekujve VIII-VI pr.e.s: drejtimi perëndimor, drejtimi verilindor dhe ai jugor e juglindor. Vala më e fuqishme e shpërnguljes në masë të grekëve ishte drejtimi perëndimor. Në perëndim u formuan një mori kolonish: në Gadishullin Ballkanik, në Italinë jugore, në Siçili, në ishujt e Sardenjës e Korsikës, në bregdetin jugor të Francës dhe bregdetin lindor të Spanjës. Lëvizja e kolonistëve grekë drejt perëndimit filloi me themelimin e një vargu kolonish në brigjet e detit Jon dhe në pjesën jugore të detit Adriatik, dhe konkretisht në Epir, Iliri, Korkyrë (Korfuz) si dhe Italinë e Jugut. Në shekujt VIII-VI pr.e.s, pas pushtimit të Mesenisë nga Sparta, shumë banorë mesenas, që ranë viktima të agresionit spartan, u detyruan të linin qytetin e tyre dhe u vendosën në qytetin Rexhio (Kalabri, Itali). Pak kohë më parë ky qytet qe themeluar nga kalkidasit në bregun e ngushticës së Mesinës. Kalkidasit qenë banorë të Kalkidës, i cili ishte një nga qytetet greke të ishullit të Eubesë. Ata erdhën dhe u ngulitën këtu afërsisht në mesin e shekullit VIII pr.e.s.
Kolonia e parë greke në perëndim ishte Kuma, e cila u themelua në shekullin VIII pr.e.s në krahinën e Kampanjës. Më vonë, vetë Kuma themeloi në afërsitë e saj disa koloni, midis të cilave Neapolin, ose Napolin e sotëm. Sipas gojëdhënave, po nga kalkidasit, në vitin 736 pr.e.s, u themelua Kaksos, kolonia e parë greke në Siçili, e cila nga ana e saj, themeloi rreth vitit 730 pr.e.s, Katanën dhe Leotinën. Pothuajse në të njëjtën kohë me Kalkidën e paralelisht me të, Korinthi themeloi në bregun lindor të Siçilisë koloninë Sirakuza. Me kalimin e kohës Sirakuza do të bëhej kolonia më e madhe greke në perëndim (Itali). Mandej u themeluan një sërë kolonish të tjera, që do të shndërroheshin në polise të zhvilluara greke siç qenë: Sibarisi, Krotoni, Tarenti, Akraganti, Selinunti etj. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit VIII pr.e.s dhe në vazhdim, deri në shekullin VI pr.e.s, kolonizimi i brigjeve të Italisë Jugore dhe të Siçilisë mori përpjestime të papara. Në këto pjesë të Italisë u themeluan aq shumë koloni e ngulime greke, saqë ky rajon do të pagëzohej, nga romakët, me emrin ‘Greqia e Madhe’ (Magna Graecia).
Grekët depërtuan edhe më tej drejt perëndimit. Banorët e ardhur nga Fokea, rreth vitit 600 pr.e.s, themeluan në bregdetin jugor të Francës koloninë Masalia (Marseja e sotme). Masalia u bë një nga poliset më të zhvlluara dhe më të populluara në këtë rajon. Prej këtej, përmes lumit Rodan (Rona e sotme), grekët tregtonin mallrat e tyre në krahinat e brendshme të Galisë, duke arritur deri në Parisin e sotëm dhe bregdetin e Spanjës lindore. Në këto pjesë të Francës dhe Spanjës masalianët grekë ngritën një varg kolonish.
Krahas kolonizimit në perëndim u krye edhe kolonizimi në drejtimin verilindor. Në qoftëse kolonitë në perëndim u themeluan kryesisht nga metropolet e Greqisë Kontinentale dhe të ishujve të Egjeut, simotrat e tyre në verilindje, si ato që u formuan në brigjet e Helespontit (Dardaneleve), të Propontidës (deti Marmara) dhe të Pontit (Deti i Zi) u ngritën nga qytet-shtetet greke të Azisë së Vogël. Midis tyre u shqua veçanërisht Mileti. Këto hapësira, sidomos bregdeti i Detit të Zi, i cili ishte mjaft i pasur me grurë, pyje, kullota, bagëti e të tjera kishin preferencë të veçantë. Kjo edhe për një arsye tjetër. Në këto hapësira ekzistonte një treg i madh skllevërish, ku grekët si ustallarë të tregtisë që ishin mund të blinin parti të mëdha me çmime të ulëta.
Kolonitë më të mëdha greke në rajonin e Propontidës qenë qyteti Kizik (756 pr.e.s), Halkedoni (685 pr.e.s), Bizanti (667 pr.e.s). Kurse Sinopi (756 pr.e.s) dhe Heraklea e Pontit (560 pr.e.s) ishin qytetet më të zhvilluara helene në bregdetin e Detit të Zi. Kolonitë më të rëndësishme në pjesën perëndimore të Detit të Zi qenë Istria, Apollonia e Pontit, Odesa, Thoma, Kallatia.
Kolonizimi i bregut verior të Detit të Zi u krye pak më vonë, gjë që shpjegohet me veçoritë e lundrimit grek në antikitet. Gjer në shekujt V-IV pr.e.s grekët lundronin me anijet e tyre, kryesisht përgjatë brigjeve detare. Ata filluan të vendosen në mënyrë sistematike në brigjet veriore të Pontit vetëm kur përvetësuan mirë lundrimin në bregdetin jugor e perëndimor të tij. Ngulimet më të hershme greke në veri të Detit të Zi qenë themeluar në ishullin Berzanj, në fund të shekullit VII e fillim të shekullit VI pr.e.s. Por, shpejt ato u përfshinë në përbërjen e kolonisë së Olvias, e cila u themelua në gjysmën e parë të shekullit VI pr.e.s. Një sërë kolonish greke u ngritën edhe në Tavrik (Krimenë e sotme). Në shekullin VI pr.e.s, dhjetëra qyteza e vendbanime greke u shfaqën në të dy anët e ngushticës së Kërçit, ku më i madhi prej tyre ishte Pontikapea. Në fillim të shekullit V pr.e.s kolonitë greke të ngushticës së Kërçit u bashkuan nën hegjemoninë e Pontikapeas. Si rezultat i këtij bashkimi u formua shteti i Bosforit.
Nga kolonitë e tjera greke të Pontit verior rol të dukshëm luajtën Tira (Bjellgorodi i sotëm) i themeluar në grykëderdhjen e lumit Dnjestër, Theodosia në Krimenë Lindore, Hersonesi (Sevastopoli i sotëm), etj. Ndërsa kolonitë më të mëdha greke të bregdetit të Kaukazit ishin qytetet e Pitiuntit dhe Dioskuriada, respektivisht Picunda e Suhumi i sotëm.
Drejtimi jugor e juglindor i kolonizimit grek nuk u zhvillua në atë masë e intensitet sikurse në perëndim e verilindje. Kolonizimi në këtë drejtim ishte shumë më i dobët dhe përfshiu kryesisht bregdetin siriano-fenikas si dhe zona të caktuara bregdetare të Egjiptit dhe Libisë. Kolonitë greke të Mesdheut jugor e juglindor qenë Al-Mina në Siri, Sukas në Feniki, Dafne e Naukratis në Egjipt dhe Kirene në Libi. Këto dy të fundit u shquan më tepër nga të tjerat. Kështu Naukratis u bë i famshëm për nivelin e lartë të zhvillimit të zejtarisë, kurse Kirene mori famë për prodhimin e drithrave të bukës dhe tregtinë, që ajo bënte me bimën mjekësore silfij. Kirene u themelua në mesin e thekullit VII pr.e.s. Më vonë përreth saj u formuan disa qytete të tjera greke. Si rezultat i bashkimit politik të pesë qyteteve koloniale me Kirenen në krye u formua Kirenajka.
Kolonistët grekë nuk nguliteshin në vende të çfarëdoshme, por në territoret më të mbrojtura nga pikëpamja natyrore, në zonat bregdetare e me skela të përshtatshme në tokat më pjellore, të pasura me burime mineralesh e ujrash të pijshme, me pyje, kullota, etj.
Kolonizimi i madh grek, i cili u krye gjatë tre shekujve pati edhe evolucionin e vet historik. Nga një dukuri spontane, siç ishte në fillim, gradualisht, me kalimin e kohës, ai do të merrte tiparet e një procesi të organizuar nga vetë shteti. Para se të shpërnguleshin për në territoret e reja, në qytetet metropole, shpalleshin listat e personave që dëshironin të shkonin me to, kurse pushteti i qytetit ngarkonte nëpunës të posaçëm, që merreshin me organizimin e kësaj pune. Këta nëpunës specialë quheshin oikistë. Zyrtarisht, oikistët kryesonin partinë e kolonistëve të poliseve metropole përkatëse. Oikisti luante rol primar, spse ishte ai që përcaktonte vendin e ngulimit të ri, sheshin qendror të qytetit të ardhshëm, tokat bujqësore, vendndodhjen e tempullit kryesor, ritet fetare, që do të ushtroheshin etj.
Në përbërjen e kolonistëve, si rregull regjistroheshin emigrantët e një qyteti të caktuar, por në partinë e kolonistëve të këtij polisi mund të regjistroheshin edhe banorët e qyteteve të tjera. Në këto raste, metropoli që themelonte koloninë bëhej si njëfarë qendre grumbullimi për tërë ata që largoheshin në poliset e tyre.
Si çdo proces historik, edhe kolonizimi në perëndim ndeshi në rezistencën e fuqishme të fenikasve kartagjenas. Grekët kolonizuan vetëm brigjet lindore e jugore të Siçilisë, kurse pjesa perëndimore e saj mbeti nën administrimin e kartagjenasve. Ata kishin kolonitë e tyre edhe në Maltë, Sardenjë e Korsikë. Në betejën detare të vitit 535 pr.e.s, kartagjenasit në aleancë me etruskët, shpartalluan kolonistët grekë dhe nuk i lejuan ata të vendoseshin në Korsikë. Po kështu ndodhi edhe në drejtimin jugor e juglindor të kolonizimit. Edhe në këtë rajon të Mesdheut grekët u përballen me qëndresën e fortë të tregtarëve fenikas e asirianë, të mbretërve të Babilonisë së Re dhe të faraonëve egjiptianë që qëndronin pas tyre. Kështu shpjegohet përse në këtë pjesë të Mesdheut u themeluan pak koloni greke, por edhe këto ndodheshin nën kontrollin e autoriteteve shtetërore vendase.
Objektivisht kolonistët grekë hynin në marrëdhënie të caktuara me banorët e fiseve vendase. Përgjithësisht marrëdhëniet midis tyre qenë të mira dhe kishin karakter paqësor. Një gjë e tillë përcaktohej nga interesat reciproke të të dy palëve. Veç kësaj, grekët duke qënë më të pakët, në raport me popullsinë vendase, nuk mund t’u imponoheshin atyre me anë të forcës. Ndërkaq, udhëheqësit e fiseve vendase qenë të interesuar të kishin marrëdhënie të mira me kolonistët grekë. Vetëm kështu ata do të mund të shkëmbenin produktet e tyre bujqësore me artikujt zejtarë, me vajin e ullirit e verën e famshme, si dhe sendet e luksit të grekëve. Gjithsesi, normaliteti, mirëkuptimi dhe fqinjësia e mirë midis palëve në fjalë nuk duhen absolutizuar. Kjo për arsyen se këto raporte të mira në momente të caktuara përmbyseshin me kokë poshtë e, mbi këtë bazë, shpërthenin konflikte të ashpra, deri të armatosura. Të tilla qenë luftrat midis kolonistëve me fiset mesape e brute në Italinë e Jugut, ato midis grekëve me fiset sikule e sikane në Siçili. Kështu ndodhi edhe midis kolonistëve me fiset e bregdetit verior të Detit të Zi etj.
Marrëdhëniet midis vetë kolonive helene nuk qenë të mira. Përgjithësisht dominonin grindjet, mëritë dhe armiqësitë. Shkurt mes tyre ekzistonin po ato marrëdhënie që ekzistonin midis metropoleve respektive dhe brenda përbrenda tyre. Kështu Sirakuza në Siçili luftoi disa herë më koloninë e saj Kamarina. Përplasje interesash midis grupimeve të ndryshme social-politike kishte edhe në kolonitë. Kjo, sepse edhe këtu, kryhej procesi i diferencimit ekonomik. Nga gjiri i popullsisë, veçohej aristokracia e emigruar nga metropoli dhe ajo që lindte rishtas.
Si rregull marrëdhëniet midis kolonive dhe mtropoleve të tyre qenë të mira. Kolonistët mbanin lidhje të ngushta me metropolet dhe fillimisht mbështetëshin në ndihmën e gjithanshme të tyre. Kur kolonitë mëkëmbëshin ekonomikisht ato furnizonin metropolet me burime lëndësh të para deficitare, skllevër, drith, etj. Pavarësisht nga këto marrëdhënie miqësore, kolonitë themeloheshin si polise të pavarura e sovrane. Duke qënë të tilla, kur interesat nuk përputheshin midis tyre lindnin konflikte, që nganjëherë arrinin deri në luftë.
Kolonizimi i madh grek i shekujve VIII-VI pati rëndësi të jashtëzakonshme për fatet historike të vetë Greqisë, në kuptimin e asaj se, ky fenomen u bë një faktor i fuqishëm zhvillimi i gjithanshëm tekniko-ekonomik, social-politik dhe kulturor të saj.
Kolonizimi e bëri shoqërinë greke më dinamike dhe më aktive. Ai krijoi hapësira të reja e mundësi më të gjera për shpërthimin e aftësive krijuese të çdo njeriu. Mbi të gjitha nxiti iniciativën private, gjë që favorizoi çlirimin e individit nga “pushteti” i gjinisë apo i fisit dhe shpejtoi lindjen e shoqërisë civile e të shtetit në Greqi.
Kolonizimi i dha një shtytje të re përpara, të paparë deri atëherë, zhvillimit ekonomik në tërësi, sidomos lundrimit dhe tregtisë detare në veçanti. Tregues domethënës i këtij zhvillimi cilësor të lundrimit është fakti se pikërisht në kohën e kolonizimit të madh, flota tregtare greke filloi të depërtonte deri në “zonat e influencës” së tregtisë fenikase. Jo vetëm kaq, por arriti ta sfidonte atë në rajone të tilla si në Italinë jugore e Siçili, madje edhe në Egjipt e Siri, të cilat deri më atëherë përshkoheshin kryq e tërthor vetëm nga flota fenikase.
Hapja e tregjeve të reja në kolonitë e shumta në Linde e Perëndim, në Jug e Veri të botës helene i dha impulse të fuqishme progresit teknik dhe zhvillimit të mëtejshëm të zejtarisë greke. Zejtarët grekë përsosën më tej bazën teknike të punishteve zejtare. Gjatë gjithë historisë antike të Greqisë, kurrë nuk u bënë kaq shumë zbulime e shpikje sa ato që u bënë në tre shekujt e kolonizimit të madh. Për rrjedhojë u rrit prodhimi, standarti i cilësisë së mallrave dhe aftësia konkuruese e tyre në tregjet e jashtme. Pra kolonizimi e nxori përfundimisht ekonominë e poliseve bregdetare nga guacka e mbyllur e epokës homerike dhe e ngritit atë në shkallën e prodhimit të mallrave.
Si rezultat i procesit të kolonizmit, kudo në Greqi dhe për më tepër në poliset e përparuara u forcuan pozitat e aristokracisë së re zejtaro-tregtare.
Në një kohë kur grekët ende nuk kishin hyrë në luftra me popujt fqinjë, masa kryesore e skllevërve sigurohej nga kolonitë. Skllevërit përbënin një prej artikujve kryesorë të eksportit të skithëve dhe thrakasve në Greqi. Grupe të mëdha skllevërish bliheshin edhe nga Azia e Vogël, Italia, Siçilia dhe rajone të tjera të periferisë koloniale. Skllevër të blerë shfaqen tanimë jo vetëm në shtëpitë apo ekonomitë e aristokracisë së vjetër e të re, por edhe në ato të fermerëve të pasur, madje dhe në ato të fermerëve të mesëm.
Vendosja dhe shtimi i vazhdueshëm i kontakteve të përhershme me popujt e tjerë zgjeroi mjaft dijet dhe horizontin kulturor të grekëve. Ajo, që ka rëndësi të theksohet në këtë aspekt, është se kolonizimi e nxorri Greqinë nga gjendja e izolimit total, në të cilën ajo qe zhytur pas rënies së qytetërimit mikenas dhe asgjësimit të kulturës së tij të lartë.
Grekët ditën ç’të mësonin dhe ç’të merrnin nga fiset në kolonitë dhe popujt e Lindjes. Nga fenikasit ata huazuan shkrimin alfabetik, nga sirianët zbuluan sekretin e zbulimit të qelqit nga rëra etj. Egjiptianët dhe babilonasit u bënë mësuesit e grekëve në astronomi/astrologji, mjekësi, matematikë. Arkitektura dhe skulptura egjiptiane ushtruan ndikim të madh në artin grek që po lindte. Prej lidianëve grekët morën një shpikje të rëndësishme, siç ishte prerja e monedhës. Këto dhe mjaft elementë të tjera të kulturës së huaj, grekët i përpunuan në mënyrë krijuese dhe i bënë pjesë organike të kulturës së tyre mjaft të zhvilliuar.
Marrë nga libri ‘Greqia e lashtë” i autorit Shaban Dervishi, botim i vitit 2001