HISTORIA Ε DURRËSIT
Durrësi në lashtësi njihej me emrin Εpidamnos dhe është një nga qytetet më të vjetra në Evropë. U themelua në vitin 627 pr.e.s nga kolonistët helenë të ardhur nga Korkyra (Korfuzi) dhe Korinthi, përreth një porti shkëmbor natyror, i cili ishte i rrethuar nga kënetat e brendshme dhe shkëmbinjtë e lartë në anën e detit, duke e bërë qytetin shumë të vështirë për t’u sulmuar nga toka ose deti.
Vepra "Politika" e Aristotelit përmend disa herë si shembull qeverisjen e brendshme të Epidamnosit, e cila drejtohej nga një oligarki e ngushtë e cila caktonte edhe magjistratin udhëheqës, ndërsa tregtarët dhe mjeshtrit (zanatçinjtë) ishin të përjashtuar nga pushteti, deri në momentin e kryengritjes së brendshme e cila prodhoi një qeverisje demokratike.
Oligarkët në ekzil i bënë thirrje për ndihmë Korkyrës ndërsa demokratët iu drejtuan për ndihmë Korinthit, duke nxitur kështu një luftë ndërmjet dy qyteteve amë, e cila është e përshkruar nga Tukididi si shkak i Luftës së Peloponezit. Tregtia individuale me ilirët vendas ishte e ndaluar në Epidamnos (Durrës): të gjitha marrëdhëniet tregtare kryheshin përmes agjentëve të autorizuar të qytetit (të njohur si ‘Poletes’). Rrethinat e Epidamnosit njiheshin përgjithësisht si Epidamnia.
Pas pushtimeve të Aleksandrit të Madh qyteti bie nën sundimin maqedonas. Në vitin 312 pr.e.s Epidamnosi u pushtua nga mbreti ilir Glaukias, i cili luftoi kundra Kasandrit të Maqedonisë. Në vitin 297 pr.e.s qyteti bie nën sundimin e Pirros së Εpirit. Në 295 pr.e.s, Pirro e transferoi kryeqytetin e mbretërisë së tij në Ambrakia (Artën e sotme). Pas mbretërimit të Pirros Εpidamnusi bëhet përsëri pjesë e mbretërve maqedonas (Antigonit, etj). Në vitet 245-231 pr.e.s qyteti kalon nën sundimin e mbretit ilir, Agronit, i cili kishte pushtuar Εpirin. Pas vdekjes së Agronit në 231 pr.e.s ishte Τeuta, bashkëshortja e Agronit ajo që merr drejtimin. Mbretëresha Teuta pëson humbje nga romakët në vitin 229 pr.e.s, të cilët arritën të merrnin Epidamnosin përfundimisht në protektoratin e tyre. Për romakët, pjesa "-damnos" e emrit të qytetit ishte e pakëndshme, dhe emri i qytetit u ndryshua në Dyrrachium. Gjeografi grek Pausanias (6.x.8) thotë "qyteti modern romak nuk është ai i lashti, por është shumë pranë tij. Qyteti modern quhet Dyrrhachium nga themeluesi i tij".
Sipas mitologjisë greke, Dyrrahioni, themeluesi i qytetit të Epidamnosit, ishte i biri i Poseidonit dhe Melisës. Ndërsa Epidamnosi ishte babai i Melisës. (Këto të dhëna na vijnë nga Pausaniasi dhe Stefan Bizantini). Emri i themeluesit, ‘Dyrrachion’, shfaqet në monedhat e shekullit V pr.e.s, por qyteti e mori këtë emër pas pushtimit romak; në periudhën romake Dyrrahiumi ishte më i zakonshëm. Megjithatë, qyteti mbajti një gjysmë autonomie dhe u shndërrua në një koloni romake. Dyrrahiumi ishte vendi ku zbrisnin pasagjerët romakë që kalonin detin Jon nga Brundisiumi (Brindisi), gjë që e bëri atë një stacion mjaft aktiv. Këtu filloi Via Egnatia, rruga ushtarake romake për në Selanik që lidhte Ilirinë romake me Maqedoninë dhe Thrakën. Në vitin 48 pr.e.s Pompei ngriti bazën në Dyrrachium dhe mposhti një sulm nga Jul Çezari.
Qyteti ishte pjesë e provincës romake të Maqedonisë, konkretisht e Epirit të Ri (Epirus Nova), njohur ndryshe si Iliria Greke, - një provincë e Perandorisë Romake e themeluar nga Perandori Diokleciani (244-311) gjatë ristrukturimit të kufijve krahinorë.. Në shekullin e katërt të erës sonë, Dyrrahiumi u bë kryeqyteti i krahinës romake të Epirit të Ri. Kështu Kryepeshkopata e tij u bë metropolitane e të gjitha dioqezave të zonave përreth.
Në vitin 345 të erës sonë qyteti u rrafshua nga një tërmet dhe u rindërtua mbi themelet e tij të vjetra, duke u bërë fortifikimi më i fortë në Ballkanin Perëndimor. Në fundin e periudhës antike, u kryen një seri punimesh në shkallë të gjerë, përfshirë ndërtimin e bazilikave, vilave, sheshi i rrumbullakët (makelumi), dhomëzat e amfiteatrit, sistemi i kanalizimeve, etj.
Sipas të dhënave historike, qyteti i Dyrrahiumit si qendra e provincës romake të Epirit të Ri gjatë mbretërimit të Perandorit Justinian I (527-565) përfshinte disa qytete brenda territoreve të tij: Amantian, Apoloninë, Aulonën (Vlorën), Bylisin,, Dioklecianopolin (Kosturin), Lyknidosin (Ohrin), Skampan (Elbasanin) dhe Pulkeriopolin (Beratin). Perandori romak Augusti e bëri qytetin një koloni për veteranët e legjioneve të tij duke e shpallur atë një qytet të lirë (civitas libera). Gjatë shekullit VI qyteti u pushtua nga Ostrogotët barbarë dhe në shekullin VIII u bë pjesë e Perandorisë Bullgare, për t’u marrë më pas nga Bizantinët në shekullin IX.
Në shekujt XI-XII, qyteti ishte i rëndësishëm si një kështjellë ushtarake dhe një metropolitane sesa si një qendër kryesore ekonomike, dhe kurrë nuk e rimori prosperitetin e tij të vonë antik; Anna Komnene sqaron se Dyrrahiumi mesjetar zaptoi vetëm një pjesë të qytetit antik. Në 1205, pas Kryqëzatës së Katërt, qyteti kaloi në sundimin e Republikës së Venecias, e cila formoi "Dukatin e Durazzos". Ky Dukat u pushtua në 1213 dhe qyteti u mor nga Despotati i Epirit nën Mikhaelin I Komnenos Doukas. Në 1317 ose 1318, zona u mor nga serbët dhe mbeti nën sundimin e tyre deri kur vdiq car Dushani në 1355. Dy pelegrinët irlandezë që vizituan Shqipërinë gjatë rrugës për në Jeruzalem në vitin 1322, njoftuan se Durrësi ishte "i banuar nga Latinët, Grekët, Judenjtë perfidë dhe shqiptarët barbarë".
Në shekullin XIV qyteti drejtohej nga një koalicion i Anzhusë, Hungarezët dhe Shqiptarët e familjes Topia.
Qyteti u bë një qendër fetare e katolicizmit pasi sundimi Anzhuin u instalua në Durrës. Në vitin 1272 u krijua Mbretëria e Albanisë nga Sharli I Anzhu (francez) e cila zgjati deri në 1368, pas kësaj qyteti u qeveris nga Karl Τopia (lider shqiptar). Në atë kohë Papët, të mbështetur nga Anzhutë, rritën veprimtarinë e tyre diplomatike dhe politike në zonë, duke përdorur peshkopët latine, përfshirë edhe kryepeshkopin e Durrësit. Deri në mesin e shekullit XIV pati kryepeshkopë katolikë dhe ortodoksë të Durrësit.
Në vitin 1380 u themelua Universiteti Domenikan i Durrësit, i cili në 1396 u transferua në Kroaci (Zadar), pas kërcënimeve në rritje të osmanëve.
Republika e Venedikut fitoi kontrollin e fundit në 1392 dhe mbajti qytetin, i njohur si Durazzo në ato vite, si pjesë e Albania Veneta (Shqipëria Veneciane). Ajo luftoi kundër rrethimit të Sulltan Mehmetit II në 1466, por ra nën kontrollin osman në 1501. Megjithëse ishte qytet i krishterë mjaft herët dhe u ngrit në statusin e Arqipeshkvisë (Peshkopatës) në 449 dhe selinë e Metropolitit Grek Ortodoks, nën sundimin turk, shumë banorë të Durrësit u shndërruan në Islam dhe u ndërtuan shumë xhami. Nga osmanët qyteti u riemërua Draç dhe nën sundimin e tyre nuk pati më zhvillim dhe rëndësia e tij u zvogëlua shumë. Nga mesi i shekullit të 19-të, popullsia e tij thuhej se kishte vetëm afërsisht 1000 banorë që jetonin në rreth 200 familje. Ishte një qendër sanxhaku e vilajetit të Shkodrës (Iskodra) para vitit 1912. Në Luftën e Parë Ballkanike në 1913, për 7 muaj Durrësi u mor nga serbët.
Gjatë Luftës së Parë Botërore Durrësi u pushtua nga Italia në 1915 dhe Austro-Hungaria në 1916-1918 dhe nga Aleatët në Tetor 1918.. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, midis 1939 – 1943, Shqipëria u aneksua në Mbretërinë e Italisë dhe u pushtua nga Gjermania naziste në 1944. Ishte qytet shumë aktiv në lëvizjen nacionalçlirimtare shqiptare. Sovraniteti shqiptar u rifitua pas Luftës II Dytë Botërore dhe regjimi komunist i Enver Hoxës rindërtoi me shpejtësi qytetin duke krijuar një larmi industrish të rënda në zonë dhe duke zgjeruar portin. Sot Durrësi është porti më i rëndësishëm në Shqipëri.
Qyteti modern i Durrësit është ndërtuar direkt mbi vendin e lashtë, prandaj si bazë kryesore janë mbishkrimet dhe zbulimet e rastësishme që ka krijuar një ide të monumenteve të tij. Mbishkrimet na japin prova për monumentet e mëposhtme romake:
*Një ujësjellës i ndërtuar nga perandori Adrian (shek. II) dhe i restauruar nga Aleksandër Severusi mbart një mbishkrim dedikues në fshatin Arapaj (shumë pranë qytetit): “Corpus Inscriptionum Latinarum III, 1-709” ;
*Tempulli romak i perëndeshës Minerva;
*Tempulli i perëndeshës Diana (CIL III, 1-602), që ndoshta është ai i përmenduri nga Appia (BCiv. 2.60);
*Statuja e kuajve të L. Titinius Sulpicianus (CIL III, 1-605);
*Biblioteka (CIL m, 1-67). - Mbishkrimi i fundit përmend se për devotshmërinë e bibliotekës 24 gladiatorë u ndeshën në çifte. Supozimi se ka pasur një amfiteatër në qytet është konfirmuar fillimisht nga një fragment në librin “Vita di Skanderbeg” (Jeta e Skënderbeut) të Marin Barletit, në shekullin XV: "amphitheatrum mira arte ingenioque constructum".
Si rezultat i zbulimeve të rastësishme, janë në dispozicion të dhënat e mëposhtme:
*Një trotuar mozaik i shekullit të 3-të me një kokë femre (“Bukuroshja e Durrësit”) e rrethuar me kurora lulesh që sjell ndër mend ato të pikturuara në vazot Apuliane; mbetjet e shtëpive të mbuluara nga shtresa të tjera, më të ulëtat prej të cilave, të epokës helenistike, janë gjetur në një thellësi prej 5 metrash.
*Kolona me kapitale dhe pjesë korinthiane me veshje mermeri, të zbuluara pranë Kodër-Stanit, i përkasin ndoshta Tempullit të Minervës ose Kapitoliumit (Tempull ku adhuroheshin njëkohësisht Jupiteri, Juno dhe Minerva). Në nekropolin (varrezat antike) në lindje të kodrave që qëndrojnë mbi qytet, janë gjetur (1) një pllakë mbishkrimi (stele) për Lepidia Salvia-n, (2) një sarkofag ku si skenë mitologjike ka gjuetinë e Ariut Kalydonian (tani në Stamboll), si dhe (3) varre të shumta romake.
Monedhat që janë gjetur në Durrës dhe Apolloni janë të njëjta me ato të Korinthit dhe Korkyrës. Imazhi me lopën është gjetur vetëm në Korkyrë (Korfuz), ndërsa me Pegasosin dhe kokën e Athenës është i zakonshëm në Korinth.
Kjo tregon qartë lidhjen e tyre me kolonitë greke në Iliri.
Burimet për këto të dhëna vijnë nga:
1. Straboni, vepra “Gjeografia” (vi.316);
2. Apiani (historian grek në Perandorinë Romake).
3. John Joseph Walkes, arkeolog dhe akademik britanik, vepra “The Illyrians”, 1992.
4. Peter John Rhodes, historian i antikitetit dhe akademik britanik. ‘A History of the Classical Greek World 478-323 BC”. 2nd edition. Chichester: Wiley-Blackwell, 2010, p. 88.
5. James Augustus St. John, The History of the Manners and Customs of Ancient Greece, 1842 Volume 3, page 275 .
6. Synopsis Chronike, botuar nga K. Sathas, Paris, 1894, f. 344 (pdf 594).
7. P.C. Sestieri, ‘The Princeton encyclopedia of classical sites’. Stillwell, Richard.
8. Mogens Herman Hansen, An Inventory of Archaic and Classical Poleis: An Investigation Conducted by The Copenhagen Polis Centre for the Danish National Research Foundationy, 2005,page 330: "Epidamnos was founded in either 627 or 625 (Hieron. Chron.)".