Ra & Aten, Perëndia-Diell i Egjiptit
Ra apo Re ishte perëndia-Diell egjiptian, i cili, ashtu si dielli i përditshëm, merrte pamje të ndryshme. Dielli që lind ishte Khepri, Dielli i mëngjesit quhej Re-Horakhti apo Re-Horemakhet, dhe Dielli i mesditës ishte Ateni, dhe Dielli që perëndon quhej Amen (Amon). Adhurimi i perëndisë Ra u bë i njohur nga mesi i Mbretërisë së Vjetër. Nga dinastia e pestë e në vazhdim, mbretërit mbanin titullin “Bir i perëndisë Ra”.
Ra krijoi veten dhe njerëzimin. Qendra për të adhuruar këtë perëndi ishte Heliopoli (Qyteti i Diellit) ku ai ishte kryetari i Eneadës së Madhe.
I njohur gjithashtu si: Ra, Re, Amun, Amon, Amen, Amen-Re, Amon-Ra.
Në Egjipt gjatë Mbretërisë së Re, kulti i perëndisë Diell Ra u bë gjithnjë e më shumë i rëndësishëm derisa u zhvillua në monoteizmin e papërkulur të faraonit Akhenaten (Amenhotep IV, 1364 – 1347 pr.e.s). Sipas kultit, Ra krijoi veten nga një pirg dheu fillestar në formën e një piramide dhe më pas krijoi të gjithë perënditë e tjerë. Pra, Ra nuk ishte vetëm perëndia Diell, ai ishte gjithashtu universi, që ka krijuar vetveten nga vetja. Ra thërritej si Aten apo Disku i Madh që ndriçonte botën e të gjallëve dhe të vdekurve.
Efekti i këtyre doktrinave mund të shihet në adhurimin e Diellit të faraonit Akhenaten, i cili u bë një monoteist i papërkulur, më përpara ky mbante emrin Amenhotep (që ka kuptimin “Ameni qoftë i kënaqur”).
Akhenaten e bëri Atenin perëndinë supreme të shtetit, simbol i të cilit ishte një disk me rreze ku secila prej tyre përfundon me një dorë që shërben. Perënditë e tjera u shfuqizuan, imazhet e tyre u shkatërruan, emrat e tyre u fshinë, tempujt e tyre u braktisën, dhe të ardhurat e tyre u konfiskuan. Pra fjala perëndi në numrin shumës u zhduk. Diku nga viti i pestë apo i gjashtë i mbretërimit të tij, Akhenateni e zhvendosi kryeqytetin e tij në një qytet tjetër të quajtur Akhetaten (sot Amarna). Në atë kohë, faraoni, i njohur më parë si Amenhotep IV, adoptoi emrin Akhenaten (që ka kuptimin “në shërbim të Atenit”). Gruaja e tij, Mbretëresha Nefertiti, ndante me të të njëjtin besim.
Idetë fetare të Akhenatenit nuk mbijetuan pas vdekjes së tij. Idetë e tij u braktisën pjesërisht për shkak të dështimit ekonomik që erdhi në fund të mbretërimit të tij.
Për të rikthyer gjendjen morale të kombit, pasardhësi i Akhenatenit, Tutankhamen, qetësoi perënditë e fyer zemërimi i të cilëve do të kishte dëmtuar gjithë veprimtaritë njerëzore. Tempujt u pastruan dhe u riparuan, u krijuan imazhe të reja, u caktuan priftërinjtë, dhe u dhanë ndihma për ringritjen financiare. Qyteti i ri i Akhenatenit u braktis në rërën e shkretëtirës.
Ateni nuk ishte një zot i ri por një aspekt i fshehtë (i paqartë) i perëndisë Diell që adhurohej që nga fillimet e Mbretërisë së vjetër.
"Aten" ishte emri tradicional për vetë diskun diellor prandaj emri i perëndisë përkthehet shpesh “Ateni”. Për shembull, në tekstet e qivureve (arkivoleve) të Mbretërisë së Mesme fjala “Aten” përfaqëson diskun diellor, dhe në ‘Historinë e Sinuhes’ (edhe kjo nga Mbretëria e Mesme) Amenemhat I përshkruhet duke u ngjitur në qiell dhe duke u bashkuar me Atenin, krijuesin e tij. Gjatë Mbretërisë së Re, Ateni konsiderohej një aspekt i hyjnisë së përbërë nga Ra-Amen-Horus. Ra përfaqësonte Diellin e ditës, Amen përfaqësonte Diellin e Nëntokës, dhe Horus përfaqësonte Diellin gjatë lindjes. Akhenateni e shpalli “Atenin” (vet Diellin e dukshëm) të vetmin perëndi, duke marrë një adhurim më të madh. Për shkak të disa cilësive natyraliste të disa veprave të artit, disa sugjerojnë që kjo fe bazohej në vrojtimet shkencore që energjia e Diellit është burimi themelor i jetës në tokë.
Në fazat e tij të hershme Atenizmi përshkruhet më shumë si një fe henoteiste (një fe që i përkushtohet vetëm një perëndie ndërsa njeh dhe ekzistencën e perëndive të tjera) por që zhvillohet brenda një sistemi proto-monoteist. Shtrirja e plotë e reformave të tij fetare nuk u shfaq deri në vitin e nëntë të sundimit të tij. Pasi shpalli Atenin të vetmin perëndi, ai ndaloi përdorimin e idhujve me përjashtim të diskut diellor me rreze. Ai e bëri gjithashtu të qartë që imazhi i Atenit vetëm përfaqësonte perëndinë, por që perëndia kaloi krijimin dhe kështu nuk mund të kuptohej dhe paraqitej plotësisht. Ky aspekt i besimit të tij pat një ngjashmeri të theksuar me fenë e Moisiut, që e nxit Frojdin të sugjerojë që Akhenaten ishte monoteisti i parë.
Shumë himne për Atenin u krijuan gjatë sundimit të Akhenatenit, me sa duket disa nga vet mbreti. Ato përshkruajnë mrekullitë e natyrës dhe e konsiderojnë Diellin si zotin absolut dhe universal të gjithçkaje. Në veçanti, Himni i Atenit (shënuar në varrin e Ay-t, vezirin e Akhenatenit i cili u bë faraon pas Tutankhamenit) u bë i famshëm saqë shumë studiues kanë sjellë prova që ai ngjan shumë me psalmin 104 i cili përshkruan mrekullitë e natyrës dhe ia atribuon fuqinë themelore Jehovait, perëndisë hebraike. Në të vërtetë ka njëfarë ngjashmërie në llojin e gjuhës dhe përmbajtjes, por ata që thonë se dy tektset janë të njëjtë e ekzagjerojnë ndoshta paksa.
Ateni adhurohej në dritë, sesa në muret e errët të tempujve, siç ndodhte tek zotat e vjetër. Ndonëse, jo i hapur për popullin, vetëm Akhenaten (dhe familja e tij) mund të lidheshin me perëndinë. Në himnin për Atenin, Akhenaten deklaron që “nuk ka asnjë që të njeh ty o shpëtimtar i birit tënd Akhenaten”. Mbase në mënyrë jo krejt të befasishme, gërmimet në Akhetaten (Armarna) kanë treguar që njerëzit e zakonshëm nuk e pranuan fenë e re por vazhdonin të adhuronin zotat e vjetër në mënyrë private.
Në adhurimin egjiptian, Horus ishte Dielli i mëngjesit, Ra ishte Dielli i mesditës dhe Osiris (perëndia e të vdekurve) ishte Dielli i perëndimit. Disa studiues i lidhin këto tre faza të Diellit me konceptin e krishterë të Trinisë (Gordon, f. 657).
Tutankhamun, i biri i faraonit Akhenaton (shkeputur nga filmi "Fati i nje faraoni"