NIMFEUMI I APOLLONISË ANTIKE
Nimfeumi i Apollonisë (në Fier) është një monument uji (shatërvan) kushtuar nimfave, i ruajtur mirë dhe që mbulon një territor rreth 1500 metra katror. Nimfat ishin hyjnesha uji prandaj ky monument mbante emrin e tyre.
Shatërvani ishte i madh dhe i zbukuruar, ushqyer nga një burim uji nëntokësor. Ai paraqiste në vetvete një strukturë komplekse; kishte një mur që mblidhte të gjithë ujërat që dilnin nga toka dhe katër kanale të tjera ujësjellësi. Është një nga monumentet më interesante në Apolloni dhe, paradoksalisht, pak i njohur, i ndërtuar në periudhën helenistike, rreth vitit 250 pr.e.s. Që nga viti 229 pr.e.s, Apollonia sundohej nga romakët.
Në antikitet ky Nimfeum njihej si Burimi i Kefisit (një perëndi lumi). Ai furnizohej me ujë nga një burim i rrethuar në bazën e akropolit. Uji nga burimi, pasi mbahej në një strukturë 70 metra e gjatë, transmetohej në një pellg të madh qendror të rrethuar me pesë shtylla dorike.
Kjo arritje arkitekturore kishte një jetë të shkurtër, pasi pas një shekulli, ajo u mbulua nga një rrëshqitje e madhe dheu. Ajo është në një gjendje të mirë ruajtjeje, kryesisht për shkak të mbulimit me mbetje pas një tërmeti në shekullin 4 pas Krishtit.
Monedha që paraqet nimfeumin me flakë, e gjetur në Apolloni, është prodhuar gjatë shekullit të parë pr.e.s, nën protektoratin romak. Ana e përparme e monedhës tregon formimin e zjarrit mbi shkëmbinj, dhe mbishkrimin AI-NEA (heroi trojan paraardhës të romakëve) dhe nga ana tjetër një lagobolon, një shkop që mbante perëndia Pan për lepujt, si dhe mbishkrimin APOLLO-NIATAN. Në mitologji Pani është zot i kafshëve dhe natyrës së egër dhe përshkruhet si një satir, njeri me fytyrë cjapi.
Shkëmbinjtë përfaqësojnë nimfeumin e famshëm pranë Apollonisë. Ndërsa nimfeumet ishin vende të shenjta që lidheshin me burime të shenjta, gufa dhe nimfa uji, ai i Apollonisë ishte i pazakontë pasi nga shkëmbi i tij dilnin rryma zjarri, ndërkohë që burimet të ngrohta asfalti rridhnin nga poshtë, duke i dhënë jetë një lugine të gjelbëruar e të harlisur.
Për këtë monedhë historiani grek Plutarku na tregon një legjendë:
"Kur gjenerali romak Lucius Cornelius Sulla, rreth vitit 80 pr.e.s, ngriti një kamp në afërsi të Apollonisë, ndërsa po përgatitej për pushtimin e tij në Romë, aty pranë nimfeumit u kap një satir (figurë mitologjike e ngjashme me Panin), ndërsa po flinte. Ushtarët e sollën pranë gjeneralit. Përkthyesit u përpoqën ta merrnin në pyetje krijesën e çuditshme por më kot, pasi ai përgjigjej me zë të ngjirur dhe blegëronte si cjap. I tmerruar dhe i neveritur gjenerali i madh romak urdhëroi që t’ia hiqnin nga sytë".
Përgatiti N. Herceku