KULTI I TOKËS (Mëmëdheut)
Adhurimi i perëndeshës apo nënës Tokë është një nga kultet më të vjetra të njerëzimit, veçanërisht në zonën e Ballkanit dhe të Mesdheut. Shqiptarët deri sot janë betuar “për qiell e për Tokë”, apo “për qiell e për dhe”, pra një betim i lashtë pagan që krishtërimi apo islami nuk arritën ta zhdukin, siç bënë në popujt e tjerë të Europës apo botës. Nëna Tokë, te shqiptarët, njihet ndryshe si Mëmëdheu, ku poetët tanë të hershëm i kanë thurur vargje. Kujtojmë këtu vargjet e Çajupit: “Mëmëdhe quhet Toka…”. Toka e Dheu janë sinonime të njëra-tjetrës. Fjala “Dhé” ka të njëjtën origjinë indo-europiane me fjalën Dea të italishtes, e cila ka kuptimin “perëndeshë”, duke nënkuptuar në zanafillë nënën Tokë. Mirëpo në gjuhën shqipe fjala “Dhé” ka marrë gjininë mashkullore atëherë kur paganizmi u zëvendësua nga krishtërimi dhe si rrjedhojë kemi dhe termin Atdheu (i formuar nga emrat at+dhe). Në greqishten klasike Nëna Tokë barazvlerësohet me Demetrën e cila si emër rrjedh nga fjalët indo-europiane De+meter (dheu nënë). Fjala “De” ruhet nga shqiptarët me kuptimin e dheut, ose nga italianët në kuptimin e perëndeshës, ndërsa “meter” është përdorur te grekët e lashtë nga ku rrjedh dhe emri latin "mater", ai italian “madre”, ai anglez “mother”, apo ai gjerman “mutter”. Në greqishten e sotme fjala meter (nënë) është transformuar në “mitera”. Pra kuptimi i emrit Demeter është ose “Nëna Tokë (Mëmëdhé)”, ose “perëndesha Tokë”. Nga termi “meter” rrjedh dhe fjala metropol (qyteti-nënë). Demetra në mitologjinë greke ishte një nga gratë e Zeusit (perëndisë së qiellit). Qielli dhe Toka ishin perënditë më të lashta të botës, prej të cilëve thuhej se lindi biri i tyre Dielli dhe gjithçka tjetër. Në të vërtetë Dielli duket sikur del nga Toka kur ngritet në agim, dhe përsëri ulet në prehrin e saj kur perëndon. Në zonën e Epirit të lashtë perëndesha Tokë njihej me emrin Dione, ndërsa në pjesët e tjera të Greqisë ajo njihej si Hera (bashkëshortja e fundit e Zeusit). Te Romakët ajo njihej si Juno, prej të cilës rrjedh dhe emri Junio/June (qershor). Në Dodonë, para se të vendosej aty kulti i Zeusit, adhurohej nëna Tokë, Diona. Prandaj emri Dodone vjen nga bashkimi i fjalëve De-Diona (perëndesha Dione), por që gjatë shekujve ka pësuar deformim si fjalë.
Një formë tjetër e emrit të Tokës, në një nga dialektet e greqishtes arkaike, është Gaia, e cila në greqishten bizantine u shndërrua në Gea (Gjea) nga ku rrjedhin termat gjeologji, gjeografi (përshkrim i Tokës). Gaia ishte perëndesha e parë e mitologjisë greke sipas Hesiodit. Miti thotë se ajo fillimisht lindi qiellin (gr: Uranos) me të cilin u martua dhe krijoi titanët (perënditë primordiale). Gaia si simbol kishte gjarprin, një krijesë tokësore dhe nëntokësore, i cili njihet si simbol pjellorie, ashtu si toka. Thuhej se gjarpri është bir i tokës, ai shpesh qëndron brenda saj. Kujtojmë këtu Delfin, vendin ku fillimisht adhurohej nëna Tokë (Gaia) dhe që ruhej nga gjarpëri Piton (bir i Gaias), por që më pas u vra nga Apolloni i cili i zu vendin. Gjarpëri pra nuk ka pasur ndonjë kult të vetin, siç pretendohet, por ai përfaqësonte nënën Tokë, sikurse shqiponja përfaqësonte Zeusin. Gaia apo Toka barazvlerësohet shpesh me Rean, e cila sot njihet si nëna Natyrë.
Përgatiti N.Herceku (shtator 2018)