SHIGJETARI
(22 nëntor – 21 dhjetor)
Shigjetari është shenja e nëntë e zodiakut; shenjë zjarri, e ndryshueshme, mashkullore-pozitive dhe e drejtuar nga Jupiteri. Shigjetari është gjithmonë një e mesme midis më të mirës dhe më të keqes, midis vesit dhe virtytit: në fakt simboli i kësaj shenje është centauri, domethënë një figurë gjysëm-njeri dhe gjysëm-kalë. Kjo është shenja e njerëzve që qëllojnë drejt e në shenjë.
Cilësitë: idealizmi dhe ambicja.
Të metat: premtoni pa i mbajtur premtimet.
Armiku: deshira për të qënë gjithmonë aty ku nuk jeni.
Miku: fati që ju qëndron pranë, edhe kur luani paksa rrezikshëm.
Dashuria: një ligjore, sepse i jepni rëndësi formave, më shumë se sekreteve.
Urrejtja: është një humbje kohe.
Ideja fikse: të paraqiteni si një person i denjë për vlerësime dhe i besueshëm.
Deshira e fshehtë: të mos i jepni llogari askujt.
Pika e bobët: ta pandehni veten dinak dhe të jeni shpesh naiv.
Karakteristika të përgjithshme:
Të gjithë të lindurit në shenjën e Shigjetarit janë optimistë, të pavarur, liridashës, të mirë, energjikë, të ndershëm dhe kurajozë. Janë të zgjuar dhe japin gjithnjë mendim, janë të rregullt e të kujdesshëm sidomos në çështjet financiare, kursimtarë por kurrë nuk janë kopracë, shpesh herë ata janë bujarë. Një nga të metat e tyre është se ata janë shumë nevrikë dhe nevrikosen shpejt për probleme të dorës së dytë. Të lindurit e Shigjetarit janë të gjallë, tipa sportivë, entuziastë, të sjellshëm, të drejtë, shpirtpastër, të sinqertë dhe të arsyeshëm. Shpesh janë pretendues dhe prepotentë. Në diskutime tregohen shpesh aq të drejtë saqë i largojnë bashkëbiseduesit me të vërtetat e hidhura që thonë. Shigjetarët janë tipa të gëzuar, intuitivë, kundërshtimorë dhe kuriozë dhe kërkojnë me çdo kusht të vërtetën. E vërteta dhe dituria janë karburant i trurit të tyre. Janë të interesuar gjithashtu në filozofi dhe besime. Natyra vetë i ka falur filozofë dhe intelektualë në botën moderne. Ata kërkojnë qëllimin e jetës dhe nëse ia arrijnë aq më mirë. Janë mendimtarë të pashoq, kanë argumenta të forta por e dëgjojnë dhe kundërshtarin. Janë konsumatorë, entuziastë të informacionit dhe duan patjetër përgjigjen e çdo pyetje. Njerëzit e lindur Shigjetar në përgjithësi janë atletë, liberalë e të pavarur dhe nuk njohin kufij. Janë ambiciozë por kanë ambicie të shfrenuar, janë të shkujdesur, të shpërndarë, shumë të lëvizshëm dhe shpesh u hyjnë rreziqeve sepse kanë një optimizëm të verbër dhe nuk bëhen merak fort, pra janë 'ku rafsha mos u vrafsha'. Me optimizëm dhe vetëbesim përballojnë kundërshtarët dhe vështirësitë dhe janë pothuajse të gjithë me fat sepse i sundon Jupiteri planeti i fatit të mirë. Në qoftëse takojnë ndonjë pengesë, në vend që të shmangen, përpiqen të luftojnë me çdo forcë dhe pothuajse dalin gjithmonë fitimtarë sepse janë dominues me inteligjencë të çastit. Në fëmijëri janë kapriçiozë dhe kanë shpesh një joshje (magjepsje) të papërballueshme dhe me një buzëqeshje bëjnë t'u falen gabimet. Janë gjtihashtu kurajozë, praktikë dhe e mësojnë çdo gjë shpejt. Të lindurit e Shigjetarit si meshkujt dhe femrat janë tipa aventurierë, u pëlqejnë udhëtimet dhe jeta mondane. Janë tipa shakaxhinj dhe zbavitës prandaj i gjen të rrethuar gjithmonë me njerëz. Shigjetarët janë të dashur, të hapur, spontanë dhe tentojnë të kapërcejnë kufijtë e tyre. Nuk janë shumë të qëndrueshëm dhe e ndërrojnë shpesh mendimin e tyre. Frenohen me urtësi para se të kombinojnë ndonjë prapësi. Në fund janë mirënjohës ndaj atyre që u tregojnë udhën e mbarë dhe i nderojnë të tjerët. U pëlqen të kenë një pamje të mirë fizike dhe shumë nga Shigjetarët lindin të tillë dhe të hijshëm. Shigjetarët janë të çiltër, të padjallëzuar, idealistë por utopistë. Janë të qartë në mendime dhe kanë pasion të madh drejtësinë. Duan të udhëtojnë dhe të eksplorojnë dhe të njohin gjëra të reja. Janë organizatorë të fortë dhe mendja e tyre është e hapur për qindra ide. Janë origjinalë dhe punojnë mirë me njerëz të ngjashëm me ta. I karakterizon modestia dhe shpesh janë dhe besimtarë por e interpretojnë fenë sipas mënyrës së tyre duke krijuar vetë kode etike. Kanë vullnet të fortë që lejojnë të përfundojnë dhe projektet e vështira. Nëse zhgënjehen tek ajo që besojnë ndërrojnë shpesh ideologji, aq më tepër ku nga kjo mund të kenë përfitime personale.
Pëlqejnë: udhëtimet, lirinë, ligjet, të kuptojnë thelbin e problemit.
Urrejnë: kështjellat në ajër, jetën shtëpiake, të mërziten nga të tjerët, të jenë të lidhur.
Prirjet profesionale:
Duke pasur parasysh ndjenjën e veçantë dhe të thellë të drejtësisë, karakterin e përzemërt dhe dëshirën pak a shumë të parealizueshme për të ndihmuar të tjerët, si edhe dashurinë për atë që ia bën jetën të këndshme, femra e kësaj shenje bremda mundësive nuk duhet të zgjedhë veprimtari që e kufizojnë duke qënë se nuk i zë vendi vend ajo nuk mund të punojë kurrë e qetë në mënyrë skematike. Profesione veçanërisht të përshtatshme për të janë veterinaria (nga dashuria për kafshët), gazetaria (qe e mundëson të udhëtojë), dekoracioni, mësuesia (sepse di t’u flasë të rinjve), si dhe të gjitha veprimtaritë që lidhen me sektorin publik dhe politikën. Femra e Shigjetarit mund të bëhet avokate e zonja (ngaqë ka ndjenjën e drejtësisë), mjeke, arkitekte, shkencëtare, filozofe, sportiste dhe ta tregojë veten në të gjitha veprimtaritë që zhvillohen në ajër të pastër (bujqësisë, etj). Meqënëse mashkulli i Shigjetarit është njeri ambicioz, që respekton traditën dhe jashtazakonisht aktiv, me shpirt aventurieri, temperamenti i tij i përshtaten shumë mirë të gjitha llojeve të punëve që lejojnë udhëtimet, eksplorimin dhe njohjen e vendeve dhe njerëzve të rinj. Ndonëse, duke qenë disi sipërfaqësor në qëndrimin e tij, mund t’i ndodhë shpesh që t’i lërë përgjysmë ato që sapo ka nisur me entuziazmin e tij të lindur. Armiku i tij në punë është natyra e tij e shkujdesur. Kjo gjë e pengon të ketë rezultate të mira, përndryshe do t’i kishte arritur me siguri. Meshkujt e Shigjetarit mund të punojnë si agronomë, avokatë, gjykatës, priftërinj, arkitektë, veterinerë, botues, diplomatë, agjentë udhëtimesh, madje mund të bëhen dhe filozofë të mirë; sportistë dhe këngëtarë etj. Janë dhe organizatorë të mirë dhe të fortë dhe në lojrat mendore si shahu etj. Shigjetarët duhet të përpiqen të merren me punë monotone sepse ato për ta janë shumë të mërzitshme dhe e nxisin pak fantazinë e tyre të shkëlqyer
Njerëz të famshëm të Shigjetarit:
Neroni (perandor romak), Frenk Sinatra, Brus Li, Jozef Stalin, Mark Tuejn, Bet’hoven, Robert Hand, Antoni Hopkins, Xhon Abraham, Xhonatan Keiner, Alisa Milano, Gustav Flobert, Gabriela Spanik, David Vija, Bred Pit, Britni Spiërs, Zhak Shirak, Xhim Morrison, Osho, Papa Françesko, Edit Durham, Petro Marko, Ibrahim Rugova, Adem Jashari, Tinka Kurti, Jozefina Topalli, Alfred Moisiu, Zhani Ciko, Drita Pelingu, Elvira Diamanti, Koço Devole, Luftar Paja, Xhevdet Ferri, Ilia Shyti, Natasha Sela, Klodian Duro, Kliton Bozgo, Redon Makashi, Adelina Ismajli, Erion Veliaj.
Pasaporta astrologjike e Shigjetarit:
Periudha diellore: 22 nëntor – 21 dhjetor;
Planeti sundues: Jupiteri;
Gjinia: Mashkullore, pozitive;
Elementi: Zjarri;
Cilësia: E ndryshueshme (e dyfishtë);
Gjatësia zodiakale: 240° - 270 gradë;
Stina: Fundi i vjeshtës;
Dita: E Enjte;
Numri: 3 dhe 9;
Guri i çmuar: Topazi, aleksandriti;
Motoja (shprehja): “Unë kuptoj - shoh - kërkoj”;
Metali: Kallaji;
Ngjyra: Vjollcë, bojëqielli, portokalli, e kuqe, e bruztë.
Analogjia: Shtëpia e nëntë zodiakale (IX);
Anatomia e trupit: kofshët, mëlçia e zezë, vithet, ijet, kërdhokulla, nervi shiatik, muskujt.
Shtetet: Australia, Irlanda, Jugosllavia, Libani, Spanja, Tanzania,Vendet e Ulëta.
Qytetet: Avinjon, Bradford, Budapest, Çikago, Praga, Roma, Shtutgart, Shefilld, Toronto, Filadelfia.
Pemët: Gështenja, frashëri, mani, lisi, bliri, mështekëna.
Bimët/lulet: Sherbela, gladiola, kanella, myshku, rozmarina, manushaqja, boronica, lule ulliri
Ushqimet: shpargu, drithrat, prasi, domatet, qepët.
Fjalët kyçe: Liria, pavarësia, dituria, idealizmi, aventura, vendet dhe gjuhët e huaja, udhëtimet e largëta, filozofia.
Kafshët: Kali, gjirafa, thëlleza, kamoshi, çafka, dreri, qeni i gjahut, gata.
Sporti: Futbolli, skitë, çiklizmi, atletika, basketbolli, kalërimi.
Lënda mësimore: Gjeografia, filozofia, gjuhët e huaja.
Festa: 28-29 Nëntori.