Më poshtë kemi përshkruar jetën dhe parashikimet e gjashtë parashikuesve (astrologë/profetë) më të mirë, duke u nisur nga saktësia e parashikimeve të tyre, që ka patur bota. Ata kanë qënë kryesisht njerëz shumë të zakonshëm, duke ndryshuar nga njerëzit e kohës së tyre thjesht nga aftësia e tyre për të parashikuar. Ata ndryshonin nga njëri tjetri në karakter, në profesion, madje edhe në metodat e parashikimit.
Le të shikojmë tani disa prej këtyre njerëzve të shquar.
1. NOSTRADAMUS - (1503 - 1566)
"Nostradamus" është emri i latinizuar i Michel de Nostredame, doktor dhe astrolog francez që jetoi nga 1503 deri 1566 dhe që u bë një nga profetët më të mëdhenj që ka njohur bota. Nostradamus lindi në St. Remy në Francë në 13 Dhjetor 1503 nga prindër të pasur. Thuhet se të dy gjyshërit e tij kanë qënë parashikues, ndonëse jo aq sa do të bëhej nipi i tyre. Gjyshërit e Nostradamusit kishin parashikuar ngjarje nëpërmjet vizioneve që kishin patur. Të dy ishin astrologë të mirë dhe pikërisht prej tyre Nostradamus mësoi astrologji. Në moshën 21 vjeç, Nostradamus filloi studimet në mjeksi, në universitetin Montpelier, në Francën jugore. Ishte student I mirë dhe punonte shumë, por iu desh t'i ndërpriste studimet dy vjet më vonë për shkak të Murtajës së Zezë që vrau njerëz të panumërt në Francë dhe në Evropë. Nostradamus la studimet dhe filloi të kurojë njerëzit e prekur nga epidemia. Me këtë ai fitoi respekt të madh në rrethet mjeksore dhe kudo. Nostradamus u bë një katolik i zjarrtë. Prandaj, kur Nostradamus hapi një klinikë në qytetin francez të Agen në 1529, pasi ishte kthyer në universitet për të plotësuar studimet e tij mjeksore, të gjithë menduan se ai sapo kishte nisur një karierë të gjatë dhe brilante mjeksore.Por nuk qe e thënë të ndodhte kështu sepse, shumë shpejt, Nostrodamus e braktisi praktikën mjeksore, ndoshta për shkak të vdekjes së papritur të gruas dhe dy fëmijëve të tij, të dy djem. Nostradamus dënonte veten për vdekjen e tyre sepse besonte se nuk u kishte kushtuar shumë vëmendje. Ai brodhi nëpër Evropë për dhjetë vjet duke shkuar nga njëri qytet në tjetrin. Për të mbajtur veten, merrej nga pak me mjeksi ndonëse preferonte ta kalonte pjesën më të madhe të kohës me astrologë dhe filozofë. Gjatë kësaj kohe, Nostradamus i bëheshin shpesh vizione të së ardhshmes dhe ai i habiste miqtë e tij duke u parashikuar atyre me saktësi të ardhmen e tyre. Herë herë, gjatë endjeve të tij, ai qëndronte me muaj në Manastirin e Orvalit për të medituar mbi fuqitë e tij profetike. Në vitin 1544, Nostradamus shkoi të jetojë në qytetin francez të Salon dhe rifilloi praktikën e tij mjeksore, por duke mos e lënë astrologjinë. Nostradamus bëri shumë parashikime të ngjarjeve të ardhshme duke u nisur nga informacioni që fitonte gjatë vizioneve që kishte. Veç vizioneve, ai pretendonte se shihte të ardhmen edhe duke parë në një kupë bronxi të mbushur me ujë të pastër dhe të vendosur në një trekëndësh. Besohej se kishte edhe një pasqyrë magjike ku shihte ngjarjet e ardhshme. Në 1555, Nostradamus shkroi librin e tij të famshëm të profecive të quajtur "Shekujt" ku ai përshkruan profecitë e tij në formën e citimeve me rimë. Në këto profeci, ai përdori shumë anagrama, alegorira, kalambura, fraza me kuptime sekrete dhe zhargon shkencor për të fshehur kuptimet e profecive. Pse e bëri këtë, akoma nuk është e qartë, por shumë besojnë se arsyeja ishte të mbronte veten nga autoritetet kishtare të atyre viteve.
Disa nga profecitë e Nostradamusit, që janë vërtetuar:
1. Gjatë bredhjeve të tij nëpër Europë, Nostradamus takoi në Itali një prift të ri françiskan me emrin Feliçe Përetti. Për habinë e kalimtarëve dhe të vet priftit, Nostradamus u gjunjëzua papritur përpara tij duke i thënë, "Hirësia Juaj" duke shtuar se ky prift i ri do të bëhej Papë. Asnjëri nuk e besoi, por prifti i ri u bë Papë (Papa Sikstus V) në 1585 - 50 vjet pas bërjes së parashikimit dhe 19 vjet pasi Nostradamusi vet kishte vdekur.
2. Nostradamus ka parashikuar me emër lindjen dhe bërjen të famshëm të Lui Pastër, kimist dhe bakteriologjist francez me famë (1822 - 1895). Ky parashikim është bërë 200 vjet më parë se të lindte Lui Pastër.
3. Nostradamus ka parashikuar me saktësi lindjen e prindërve të Hitlerit, hypjen e Hitlerit në fuqi, rënien e tij dhe pasigurinë lidhur me fatin e tij. Nostradamus ja thoshte emrin Hister.
4. Ka parashikuar me saktësi zjarrin e madh që i ra Londrës në 1666 dhe faktin që do të digjeshin shumë kisha. Gjeti edhe ngjarjen edhe datën me saktësi.
5. Parashikimi i Nostradamusit se mbreti Henri i II-të i Francës do të dëmtohej padashje në sy dhe në një pjesë të trupit njëkohësisht dhe se ai do të vdiste më vonë për shkak të plagëve doli i vërtetë në 1559. Atë vit, mbreti i ri francez u plagos aksidentalisht në sy dhe në fyt, plagë nga të cilat ai vdiq më vonë.
6. Nostradamus parashikoi me saktësi lindjen e Napoleonit dhe hypjen e tij në fuqi në Francë. Ai parashikoi gjithashtu pamëshirëshmërinë e tij si politikan, ngjadhnjimet e tij ushtarake dhe frikën që do t'u shtinte ai Italisë, Spanjës, Anglisë dhe gjithë Evropës, internimin e tij, arratisjen dhe mposhtjen e tij në betejen e Vaterlosë (1815). Ai parashikoi gjithashtu vdekjen e Napoleonit në ishullin e Shën Helenës dhe madje edhe faktin se do t'i mbante flokët të prera shkurt. Profeti i madh përmendi dhe emrin e tij, Napoleon.
7. Profeti i madh parashikoi abdikimin, në 1936, të mbretit Eduard i VIII të Britanisë për t'u martuar me gruan që dashuronte dhe hypjen pa dëshirë në fron të vëllait të tij që u bë mbreti Xhorxh i VI.
8. Nostradamus parashikoi me emër diktatorin spanjoll Franko si edhe refuzimin që do t'i bënte ai në 1941, në një mbledhje të antarëve të boshtit, për t'i dhënë Gjermanisë dalje në Rivierë nëpërmjet Spanjës.
9. Nostradamus parashikoi madje edhe vdekjen e tij. Kur një natë më 1 Korrik, 1566, një nxënës i tij, i quajtur Shavinjy, i tha natën e mirë, Nostradamus ju përgjigj me emfazë, "Neser, kur të lind dielli, unë nuk do të jem këtu." Të nesërmen në mëngjes ai u gjet i vdekur. Ai u varros vertikalisht sepse ai nuk donte që dikush të ecte mbi trupin e tij. Pas 134 vjetesh, varri i tij në kishën e Shën Marthës në Salon, u hap për t'u varrosur në një vend tjetër. Punëtorët gjetën së bashku me kockat edhe një pllakë metalike ku ishte gërvishtur data "1700", pikërisht viti që atij i hapën varrin. Ai e kishte parashikuar edhe këtë gjë.
Disa profeci akoma të pavërtetuara
Disa prej profecive të Nostradamus presin të përmbushen. Ndërmjet të tjerash, më interesantet janë të mëposhtmet:
1. Pasi parashikoi pavarësinë politike të Amerikës nga Anglia, Nostradamus parashikoi bashkimin politik të këtyre dy vendeve dikur në të ardhshmen. Sipas Nostradamusit, "do të ketë një kokë në Londër nga qeveria amerikane". Kjo është interpretuar se do të thotë një kontroll të drejt për drejtë politik të Britanisë nga Amerika në të ardhshmen.
2. Nostradamus ka parashikur se "Antikrishti i tretë" (ku i pari dhe i dyti janë identifikuar si Napoleoni dhe Hitleri) do te jetë një Arab që do të jetë mbrojtës I fortë i Ligjit Islam. Ky Antikrisht, sipas Nostradamusit, do të jetë në një përballje të përgjakshme me Perëndimin dhe Krishtërimin dhe se do të pushtojë një pjesë të madhe të Evropës. Por më në fund, ai do të mposhtet dhe Krishtërimi do të fitojë përfundimisht pozicionin e vet.
2. EDGAR CAYCE (1877 - 1945)
Edgar Cayce ishte padyshim shëronjësi psiqik dhe fallxhori më i famshëm që ka njohur shekulli i XX deri më sot. Edgar Cayce ka lindur më 18 Mars, 1877, në një fermë të vogël pranë Hopkinsville, në Kentaki, ShBA. Ishte një djalë i qetë dhe fetar. Rezultatet e tij në shkollë ishin nën mesatare. Gjatë jetës së tij si shëronjës psiqik, Edgar Cayce diagnostikoi dhe sugjeroi me sukses kurime efektive për gati 15.000 njerëz të sëmurë, për shumicën e të cilëve, mjekët e tyre kishin hequr shpresat. Edgar Cayce zakonisht punonte falas. Kur diagnostikonte dhe sugjeronte kurën, ai ishte në gjëndje ekstaze. Diagnozat dhe kurimet e tij ishin kaq të suksesshme sa që fama e tij u përhap në të gjithë Amerikën e Veriut dhe në Evropë. Mijëra vetë i shkonin në shtëpi për ndihmë, ndonëse shumë të tjerëve ai u dërgonte diagnozën dhe kurën me postë. Edgar Cayce nuk ishte vetëm një shëronjës me famë. Ai u bë edhe një profet i mirënjohur. Shumë prej parashikimeve të tij janë vërtetuar dhe disa presin të vërtetohen. Të gjitha parashikimet e tij, Edgar Cayce i bëri në çaste ekstaze dhe, për fatin tonë të mirë, ai i shënoi të gjitha.
Disa nga parashikimet e realizuara të Edgar Cayce
1. Ka parashikuar me saktësi fillimet dhe fundet e të dy luftrave botërore.
2. Ai profetizoi me saktësi zbulimin e Pergameneve të Detit të Vdekur. (Pergamenet e Detit të Vdekur janë një grumbull dorëshkrimesh në gjuhët Hebraishte dhe Aramaike të cilat u zbuluan në disa shpella pranë Detit të Vdekur, një liqen që shtrihet midis Izraelit dhe Jordanisë, midis viteve 1947 dhe 1956. Shumë eksperte besojnë se Pergamenet e Detit të Vdekur janë shkruar diku midis viteve 100 p.e.r dhe 68 pas erës së re dhe përmbajnë dëshmira të rëndësishme biblike).
3. Ka parashikuar me saktësi kolapsin e bursës në Amerikë në 1929. Në 1929, bursa në SHBA kishte vite që lulëzonte dhe dukej se ky lulëzim do të vazhdonte. Në Prill të atij viti, një aksioner i suksesshëm vajti te Cayce për ta pyetur për të ardhmen e bursës. Pasi hyri në ekstazë, Cayce parashikoi një rënie të burses brenda disa muajve dhe e nxiti aksionerin që t'i shiste të gjitha aksionet e tij. Aksioneri nuk i shiti aksionet e tij se nuk besoi që kjo do të ndodhte. Sidoqoftë, pas gjashtë muajve ndodhi kolapsi i bursës, i ashtuquajtur "e Premtja e Zezë". Aksioneri që nuk dëgjoi këshillën e Cayce falimentoi.
4. Ka parashikuar me saktësi vdekjen e Presidentit amerikan, Franklin Ruzvelt. Ka parashikuar gjithashtu me saktësi vrasjen e Kenedit.
5. Ka parashikuar me saktësi krijimin e shtetit të Izraelit dhe pavarësinë politike të Indisë.
6. Ka parashikuar me saktësi shpikjen e lazerit, ardhjen e një dallge të madhe baticore në ishujt Filipine në 1926 dhe një tërmet në Kaliforni.
7. Cayce ka parashikuar se Japonia do të shkatërrohet nga tërmete të tmerrshme dhe dridhje të Tokës.
3. LOUIS HAMON (1866 - 1936)
Lindur në Irlandë në 1866 nga një baba anglez dhe nënë franceze, Louis Hamon ka qënë një 'fallxhor' britanik, aftësia e shënuar e të cilit për të parashikuar ngjarjet e ardhshme me saktësi, i dhanë atij famë në të gjithë Evropën dhe Amerikën e Veriut gjatë pjesës së dytë të shekullit të 19-të dhe fillimit të shekullit
të 20-të. Hamon njihte palmistrinë (shikimi i fatit në dorë), astrologjinë dhe numerologjinë për t'u bërë parashikime mijëra njerëzve, duke përfshirë edhe ata të oborreve mbretërore. Nga klientët e tij mbretëror mund të përmendim mbretin Leopold i II i Belgjikës, mbretin Humbert i I i Italisë, mbretin Eduard i VII- të të
Britanisë dhe car Nikola i II i Rusisë. Hamon i dha vetes titullin Kont dhe udhëtoi shumë nëpër botë. Fallin ja mësoi e ëma, e cila i mësoi gjithashtu edhe bazat e astrologjisë. Më pas, Hamon vajti në Indi për të mësuar palmistrinë nga disa fise Hindu guru. I gjatë dhe i pashëm, Hamon pati shumë probleme me burrat xhelozë të disa prej klienteve të tij. Ai vdiq në shtëpinë e tij në Hollivud në 1936.
Disa prej parashikimeve të realizuara të Hamon
1. Hamon parashikoi me saktësi se politikani konservator britanik, Artur Xheims Balfur, do të bëhej kryeministër i Britanisë. Ai u bë, nga 1902 deri 1905.
2. Luis Hamon parashikoi me saktësi shkatërrimin e nacionalistit irlandez Çarls Stjuart Parnel për shkak të një romance dashurie. Kështu ndodhi me ekzaktësi.
3. Në 1900, shahu i at'hershëm i Iranit e shpërbleu Hamonin për shkak se ky I fundit i shpëtoi jetën. Hamon i kishte thënë të kishte kujdes se donin ta vrisnin dhe Shahu shpëtoi se mori masat e duhura.
4. Hamon i parashikoi me saktësi dramaturgut Oskar Uajld se ky i fundit do të shkatërrohej shoqërisht dhe profesionalisht në qoftë se nuk hiqte dorë nga një aspekt i papranueshëm i jetës së tij. Duket se Oskar Uajld nuk e mori parasysh këtë këshillë sepse shtatë vjet më vonë Uajld u dënua dhe u burgos për homoseksualizëm.
5. Në Qershor 1911, Hamon paralajmëroi autorin anglez Uilliam Stead se do të vdiste në qoftë se do të udhëtonte me ujë brenda vitit që vinte. Stead nuk ja vuri veshin dhe u mbyt më 14 Prill 1912 sëbashku me Titanikun.
6. Hamon parashikoi me saktësi se Presidenti Amerikan Grover Cleveland nuk do të zgjidhej për të tretën herë siç mendonte vet Presidenti.
7. Në 1894, Hamon profetizoi me saktësi se Lord Horacio Kitchener i Britanisë do të arrinte kulmin e karierës së tij në 1914, por e paralajmëroi që të mos i hypte asnjë anijeje kur të mbushte 66 vjeç. Lord Kitchener u bë Sekretar i Luftës në 1914, por ai u mbyt në moshën 66 vjeç kur, duke injoruar parashikimin e Hamonit, hypi në një anije lufte britanike e cila ndeshi në një minë gjermane.
8. Në 1904, ndërsa ishte në Rusi me ftesë të Car Nikollës së II-të, Hamon takoi profetin dhe hipnotizuesin autodidakt, Grigori Rasputin, i cili e kishte inat miqësinë e Hamonit me Carin. Hamoni parashikoi me saktësi se Rasputini do të vritej nga antarë të aristokracisë ruse. Vrasja e Rasputinit ndodhi 11 vjet më vonë ashtu siç e kishte përshkruar Hamon.
9. Louis Hamon parashikoi me saktësi rënien e Car Nikollës së II-të, familjes së tij dhe fisnikërisë ruse.
Disa prej parashikimeve që presin të realizohen
1. Sipas Hamonit, dikur në të ardhshmen, Franca do të sundohet nga një diktator.
2. Hamon ka parashikuar që avion luftarakë rus do ta rrafshojnë Londrën plotësisht.
3. Hamon ka profetizuar se një pjesë e madhe e Nju Jorkut, do të shkatërrohet nga një tërmet pa përcaktuar kohën se kur.
4. Hamon parashikon se do të bëhet një bashkim politik midis Kinës dhe Japonisë dhe se, sëbashku, do të kontrollojnë Azinë.
5. Hamon ka parashikuar një luftë të tretë botërore që do të fillojë kur Rusia, Irani, Etiopia dhe Libia do të pushtojnë Palestinën në Lindjen e Mesme duke provokuar një reagim nga vendet perëndimore. Lidhur me këtë parashikim vlen të theksojmë se deri kohët e fundit Libia dhe Etiopia nuk kanë qënë shumë afër me Rusinë kurse Irani ka qënë totalisht pro-perëndimor deri nga viti 1979 kur në fuqi erdhën fondamentalistët Islamikë.
- ZHAN DIKSON
Zhan Dikson, astrologia e famshme amerikane ka lindur më 1918 nga prindër që kishin emigruar në Amerikë nga Gjermania. Në Kaliforni, një fallxhore cigane I tha Zhanit se ajo dispononte fuqi psiqike. Zhan është një katolike e zjarrtë dhe beson se fuqitë e saj psiqike janë një dhuratë nga Zoti. Zhan Dikson ka bërë shumë parashikime, shumë nga të cilat janë realizuar (ndonëse shumë të tjera nuk janë realizuar).
Disa parashikime të realizuara
1. Ajo parashikoi me saktësi jo vetëm zgjedhjen e Kenedit si President i SHBA, por edhe vrasjen e tij. Thuhet se ajo është përpjekur disa herë për të paralajmëruar Presidentin për vrasjen.
2. Zhan Dikson ka parashikuar me saktësi vrasjen e udhëheqësit të të drejtave civile amerikane Martin Luter King dhe të udhëheqësit indian, Mahatma Gandi, si edhe vrasjen e senatorit amerikan Robert Kenedi.
3. Ajo parashikoi me saktësi datat kur do të vdisnin Sekretari i Përgjithshëm I OKB Dag Hamarskjold dhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Foster Dulles.
Disa parashikime që presin të realizohen
1. Zhan Dikson parashikon që Kisha Katolike Romake, dikur në të ardhmen, do
të persekutohet në një shkallë të paparë.
2. Ka profetizuar se një Papë do të vritet në zyrën e tij.
- URSULA SOUTHIEL (1488 - 1561)
Një pjesë e mirë e jetës së Ursula Southiel, njohur më mirë me emrin "Nëna Shipton", është e mbuluar nga misteri. Legjenda thotë se ka shumë gjëra të pazakonshme në zënien dhe lindjen e saj. Lindur në Korrik 1488, thuhej se kishte qënë jashtëzakonisht e shëmtuar. Në shkollë kishte qënë e shkëlqyer, por pamja e shëmtuar dhe talljet dhe fyerjet e shokëve bënë që ajo ta lejë shkollën. Pasi u martua me një marangoz të quajtur Tobia Shipton, ajo u vendos në Skipton pranë Jorkut. Shumë shpejt ajo do të bëhej e famshme me parashikimet e saja që përmbusheshin me një saktësi të çuditshme.
Disa parashikime të realizuara
1. Ajo parashikoi me saktësi pushtimin, në 1513, të Francës nga Mbreti Henri VIII i Anglisë.
2. Ursula parashikoi me saktësi zjarrin e madh të Londrës në 1666 dhe shkatërrimet e mëdha që shkaktoi.
3. Nëna Shipton parashikoi me saktësi rënien e Kardinalit të fuqishëm Tomas Volsey, shok i ngushtë i Mbretit Henri i VIII-të. Ajo parashikoi me saktësi edhe dështimin e planeve të Kardinalit për t'u arratisur për në qytetin e Jorkut. Volsi u arrestua gjatë rrugës për në Jork.
4. Ajo profetizoi me saktësi thyerjen nga Britanikët të Armatës Spanjolle.
- HOMER LEA (1876 - 1912)
Lindur në Cripple Creek, Kolorado, SHBA, Homer Lea vuajti qysh foshnjë prej një defekti në shtyllën kurrizore që në moshën 12 vjeç e bëri të ishte një kurrizo. Megjithëse ishte kurrizo dhe vetëm një metër e gjysëm i gjatë, Homer ëndërronte të shkonte ushtar. Përpjekjet e shqetësuara të të jatit për t'ia ftohur idenë e karrierës ushtarake dështuan. Ndërsa studjonte në një kolegj, Homer mësoi gjuhën kineze nga një guzhinjer kinez që ai njohu atje. Homer ju vu studimeve të strategjisë ushtarake për të cilën kishte prirje të mëdha. Më vonë, ndërsa studjonte në Universitetin Stanford, Homer u përfshi në një organizatë kineze që po komplotonte rrëzimin e qeverisë së at’hershme kineze me mjete ushtarake. Kaq shumë u përfshi në politikën kineze sa që ai më vonë u bashkua me lëvizjen e Dr. Sun Jat Senit, qëllimi i të cilit ishte të "çlironte Kinën ushtarakisht". Homer u bë mik me Sun Jat Senin dhe ky i fundit e zgjodhi atë Shef të Shtabit. Homer e ndoqi Sun Jat Senin dhe revolucionarët e tij deri në Kinë ku aktiviteti i tij ushtarak çoi në rrezikun real të arrestimit dhe ekzekutimit të tij. I ndjekur nga autoritetet kineze, Homer ja mbathi për në Amerikë në 1901 ku vazhdoi të mbështeste revolucionarët kinezë dhe nisi të shkruajë librin e tij të parë.
Në librin e tij të quajtur "Vlera e Injorancës", ai bëri parashikimet e mëposhtme,të cilat dolën që të gjitha:
1. SHBA dhe Japonia do të bëjnë luftë me njëra - tjetrën.
2. Në atë luftë, Japonia do të sulmonte fillimisht Filipinet dhe pastaj do të bënte një sulm të befasishëm mbi Havai duke i shkaktuar flotave amerikane humbje shumë të mëdha. Të gjithë e dinë se ç’dëme kolosale i solli amerikanëve sulmi djallëzor i japonezëve mbi Përl Harbër vite më vonë.
3. Gjermania do ta humbiste Luftën e I-rë Botërore. Homer Lea shkroi më vonë një libër të dytë profetik të cilin e quajti "Dita e Saksonit". Në këtë libër ai parashikoi me saktësi rënien e perandorisë Britanike.
Në librin e tij "Vërshimi i Sllavëve", (që ai kishte planifikuar ta botonte shumë më përpara se të vdiste më 1 Nëntor 1912) Homer bëri këto parashikime:
1. SHBA dhe Anglia do të përballohen me rrezikun e fuqisë ushtarake ruse.
2. Rusia do të pushtojnë Afganistanin dhe do të shtyhen më në jug drejt Indisë dhe Persisë (Iranit). Rusët e pushtuan Afganistanin. Na duhet të presim në do të shtyhen drejt Indisë dhe Iranit. (Në kohën e shkrimit – Shën. im.) Homer Lea besonte se interesave të SHBA-së i shërbehej më mirë në se forca e saj ushtarake do të ishte e madhe. Fjalët e tij të fundit përpara se të vdiste ishin: " Mbroni Amerikën!"