Qysh nga kohërat e lashta është i njohur fakti se hëna ka ndikim në njeriun.
Kështu që, me kalimin e kohës, janë krijuar kulte në bazë të të cilave më vonë janë shkruar tregime, e disa prej tyre janë realizuar në projekte filmike, me tema të ndryshme horrori. Në këta filma, të pashmangshme kanë qenë skena me pamje të hënës së plotë.
Në këtë fazë të hënës së plotë, zakonisht shfaqeshin skena me vrasës, dhunues dhe kriminel të ndryshëm. Të gjithë këta, vërehej se ishin të ndikuar nga fuqia e Hënës.
Sipas burimeve të Nasa-së, distanca në mes të Hënës dhe Tokës lëvizë prej 356,410 km e gjer më 406,697 km. Distanca mesatare është 384,400 km.
Diametri I hënës është 3,476 km, kurse diametri I Tokës është 12,756 km.
Perimetri I hënës është 10,927 km, kurse perimetri I Tokës është 40,075 km.
Shkencëtarisht është e ditur se Hëna ndikon në baticën dhe zbaticën e oqeaneve, detërave, në botën shtazore, bimore e gjithsesi ky ndikim manifestohet edhe tek njerëzit.
Kështu, ndikimi i Hënës ka rëndësi të madhe në jetën e përditshme. P.sh. në mjekësi është i njohur fakti se gjakderdhjet (hemorragjitë) gjatë Hënës së plotë janë më të mëdha, kështu që kirurgët gjatë përgatitjeve për operacion kësaj dukurie I kushtojnë kujdes të posaçëm.
Dr. Edson J. Andrews nga Asociacioni i Mjekësisë në Florida kishte bërë një hulumtim në 1.000 persona që ishin operuar nga bajamet dhe kishte konstatuar se 82% të tyre kishin pasur gjakderdhje më të madhe pas operacionit në fazën e hënës së plotë. Sipas këtij mjeku, kjo fazë është e rrezikshme për kirurgjinë dhe këto të dhëna duhet të shpërndahen dhe të shërbejnë si bazë për planifikimin e operimeve.
Gjithashtu edhe gjakderdhja gjatë ciklit menstrual në këtë fazë është më e madhe.
Hëna e plotë në mes tjerash, ndikon e dhe në pagjumësi. Somnambulët (njerëzit që hëna ka ndikim në ta, që zgjohen gjatë gjumit dhe kryejnë veprime të ndryshme pa vetëdije) janë një dukuri e njohur, që të gjithë ose I kemi parë ose kemi dëgjuar për ta nga rrethi I ngushtë ose I gjerë.
Ndikimi I hënës vërehet edhe në disponimin e përgjithshëm të njerëzve. Me siguri se e keni vërejtur se në këtë kohë në mbrëmje jeni më të shqetësuar se zakonisht, kështu që iu pengojnë disa imtësi që zakonisht nuk I keni vërejtur.
Duke u nisur nga kjo, shumë shkencëtarë botërorë e kanë studiuar këtë fenomen dhe kanë ardhur në përfundim se hëna e plotë pashmangshëm ndikon në sjelljet e njerëzve. Natyrisht se ka pasur edhe shkencëtarë të tillë që nuk e pranojnë këtë teori, mirëpo shkencëtarët që e përfaqësojnë këtë teori, mendimin e tyre e mbështesin dhe e ilustrojnë me shumë fakte dhe statistika.
Dr. Arnold Lieber pas një studimi 15vjeçar të ndikimit të hënës së plotë në njerëzit ka ardhur në përfundim se:
Gjatë Hënës së Plotë numri i vrasjeve është më i madh, Lëndimet e trupit janë shumë të shpeshta, Aksidentet rrugore në këtë kohë janë shumë të theksuara, Vetëvrasjet më së shumti ndodhin në këtë fazë.
Ky shkencëtar, si mjek në Klinikën Psikiatrike në Miami kishte konstatuar korrelacionin në mes të hënës së plotë dhe pacientëve në këtë spital. Në këtë korrelacion ishte bindur edhe I tërë personeli mjekësor në këtë spital.
Prandaj që prej atëherë ky fenomen e kishte inspiruar këtë shkencëtar që të merrej edhe më tutje me këtë çështje. Rezultatet e hulumtimit kishin qenë mahnitëse. Numri më i madh i vrasjeve ishte kryer pikërisht gjatë hënës së plotë.
Pse ndikon hëna në njeriun? Kur hëna të arrijë pozitën më të lartë në relacion me planetin e tokës, ajo shkakton baticën dhe anasjelltas kur hëna është më së afërmi planetit tonë shkaktohet zbatica. Meqenëse njeriu, si edhe toka përbëhet prej 75- 80% nga materia e lëngtë dhe 20-25% nga materia e ngurtë, kur hëna është e plotë në njeriun shkaktohet një “Aksion koncentrik”. Në këtë fazë pasojat që njeriu i përjeton janë: ngushtimi I indeve, edemet (të ënjturit), eksitimet nervore, etj. Të gjitha këto ndryshime që përjeton njeriu manifestohen në oreks, gjumë, disponim, sjellje, aktivitete trupore, seksuale, etj. Në këtë fazë është vetëvrarë (ose vrarë, pl. i autorit) aktorja e famshme, Merilyn Monro, pastaj është vrarë John Lenon, legjenda e grupit “Beatles”, dhe shumë njerëz të famshëm nga bota e filmit dhe muzikës.
Dr. Lieber së bashku me kolegët e tij, nga Universiteti I Miamit pra, kishin bërë një hulumtim 15 vjeçar. Duke krahasuar numrin e vrasjeve në këtë periudhë, që kishte qenë gjithsej 1887, këta shkencëtarë ishin befasuar më shumë se që kishin pritur, me numrin e madh të vrasjeve që kishin ndodhur gjatë hënës së plotë. Sipas këtij hulumtimi, sa më shumë që afrohej hëna e plotë dukshëm rritej edhe numri I vrasjeve. Duke dëshiruar të binden për një dukuri të tillë, hulumtuesit bën një studim të njëjtë edhe në Ohajo të Clevelendit. Statistikat gjithashtu treguan se numri vrasjeve është dukshëm më I madh gjatë hënës së plotë se sa në faza të tjera të hënës. Dr. Lieber dhe kolegët e tij nuk ishin të befasuar edhe aq shumë me këto rezultate. Një raport I mëhershëm I Institutit Amerikan I mjekësisë klimatologjike pranë Departamentit Policor të Filadelfisë, I titulluar “Efektet e hënës së plotë në sjelljet e njerëzve”, kishte zbuluar gjithashtu rezultate të njëjta.
Sipas këtij raporti shenja e hënës së plotë në fazën e saj kulminante rezulton me orientime të ndryshme kriminale siç janë: vrasjet, piromanitë, vozitjet e rrezikshme dhe kleptomanitë. Sipas këtij raporti, po ashtu disa njerëz duken pak a shumë më të gjindosur (krisur) gjatë kësaj faze të hënës së plotë.
Kohët e fundit, regjioni I Sussexit në Anglinë Jug-lindore kishte shtuar numrin e policëve që patrullojnë në rrugë gjatë këtij cikli lunar, pasi që oficerët e tyre kishin konstatuar lidhjen në mes të hënës së plotë dhe krimeve të dhunës.
Hëna e plotë dhe ditët e pagave të rrogës ishin identifikuar si faktorë të rritjes së krimeve të dhunës në mesin e vizitorëve të kafeneve dhe klubeve të natës.
Me dt. 06.06.2007. zëdhënësja e policisë së Sussexit kishte deklaruar:
“Hulumtimet e bëra nga ana jonë tregojnë qartë se ekziston një lidhje e fortë në mes të hënës së plotë dhe krimeve të dhunës”, duke shtuar se, në të ardhmen shumë oficer do të patrullojnë nëpër rrugë, në këtë fazë të hënës.
Duke u bazuar në këtë, Andy Parr I kishte deklaruar Brighton Argus:
“Meqenëse grafikoni I krimeve të dhunës është më I madh në këtë fazë të hënës se sa në jashtë kësaj faze, do të dëshiroja që me këtë dukuri të merreshin shkencëtarët e niveleve më të larta. Kjo do të ishte në interesin e përgjithshëm”.
Gjithashtu edhe prof. Michael Zimecky, nga Akademia Shkencore e Polonisë, duke studiuar qindra raste, ka argumentuar se hëna e plotë, bën ndikim në aktivitete kriminale si dhe në shëndetin e njeriut.
Ndërkaq, hulumtuesi japonez Asaka Fukada, mendon se hëna e plotë ndikon sidomos te piromanët.
Në hulumtimet psikologjike 3 mujore, të bëra në mesin e 1200 të burgosurve, në burgun Armley në qytetin Leeds, në vitin 1998, ishte zbuluar një rritje e krimeve të dhunës në këtë fazë të hënës së plotë. Por, gjatë fazave të tjera të hënës, është shënuar numër më I vogël I incidenteve, kurse gjatë disa ditëve tjera nuk është shënuar asnjë incident.
Fransua Leroj, ishte një Parisien pesëdhjetëvjeçar me pamjen e një djaloshi, që miqtë dhe të gjithë të tjerët e njihnin si shumë të sjellshëm dhe të butë, me një fjalë e admironin të gjithë. Mirëpo, për fat të keq, më vonë pasi që I tërë Parisi vuante nga një neurozë kolektive, u kuptua se ky njeri I adhuruar nga të tjerët ishte një vrasës maniak sadist-mazohist, që kishte kryer shtatëmbëdhjetë krime seksuale-sadiste, ndërsa dyshohej edhe për nëntë krime tjera. Ky kriminel nuk zgjidhte viktima dhe vriste vajza prej moshës
18 vjeçare e gjer te ato 73 vjeçare. Vetëm 3 nga viktimat e tij nuk I vrau dhe pikërisht ato ndihmuan në hetimet e policisë që të zbulohet ky vrasës serik.
Ekspertët mjekësorë të cilët e kishin kontrolluar të akuzuarin dhe që e ndoqën gjendjen e tij, mundoheshin që në mënyrë objektive t’i tregonin gjyqit ndikimin misterioz të hënës në sjelljet kriminale të akuzuarit.
Testet e ndryshme treguan se Leroj sillej në mënyrë të veçantë kur hëna ishte e plotë. Në këtë kohë, te ai rritej sasia e hormoneve deri në atë shkallë sa që në gjak kishte sasi të jashtëzakonshme të adrenalinës. “Niveli I hormoneve të tij arrinte në nivele të cilat mund të jenë të barabarta me ato të dhjetë njerëzve njëkohësisht. Përveç kësaj, edhe muskujt I ndryshojnë, ato tkurren dhe forcohen, dukuri që në mjekësi janë vërejtur vetëm në disa sëmundje”, ishte shprehur para gjykatësit psikiatri, prof.
Ogist Sharije. Sipas këtij psikiatri, shkenca edhe në shkallën e sotme të zhvillimit ende nuk mund ta shpjegojë ndikimin e hënës në njeriun, apo siç quhen në Francë këta njerëz, “Homme de Lune”!
Gjithashtu edhe në Serbi, këtë vit kishte ndodhur një tragjedi e paparë në fshatin Jabukovci, afër Negotinit. Vrasësi Nikolla Radosavljeviq (39), siç shkruanin gazetat në “gjendje të tërbuar”, në mbrëmjen e 27.07.2007. (Pl. i autorit, në fazën e hënës së plotë) kishte vrarë nëntë vendas të tij, dhe kishte plagosur disa të tjerë me pushkë gjuetie. Sipas fjalëve të bashkëshortes së vrasësit Jellena, e cila ishte e plagosur me këtë rast:
“Nikolla më kishte sulmuar pa asnjë arsye dhe isha shumë e befasuar, meqenëse deri më tani nuk kam pasur asnjëherë problem me te dhe nuk më ka sulmuar asnjëherë”. Këta kishin pasur një jetë bashkëshortore shumë të lumtur dhe kishin dy fëmijë, Gordanën (12) dhe Daliborin (13). Së bashku kishin jetuar dhe punuar në Austri, prej nga kishin ardhur në pushim një ditë para krimit. Të gjithë banorët e kësaj ane ishin çuditur me këtë veprim të jashtëzakonshëm të vrasësit Nikolla Radosavljeviq, që më parë e kishin njohur si një njeri serioz, stabil, të suksesshëm dhe që jetonte dhe punonte në Austri, një jetë me një familje në lumturi të plotë! Vrasësi kishte jetuar në vendin Himberg afër Vjenës dhe sipas fjalëve të banorëve të këtij vendbanimi kishte qenë një “njeri I qetë, që nuk dallohej nga të tjerët”.
Me siguri se raste identike ka shumë më shumë se këta që u paraqitën më lartë. Këto raste në vendet më të zhvilluara të botës, pa dyshim se po hulumtohen nga aspekte të ndryshme shkencore. Në Amerikë, Angli, Francë, etj, edhe pse është konstatuar dhe argumentuar një lidhje apo ndikim në mes të hënës së plotë dhe njeriut, prapë se prapë një numër shkencëtarësh këtë lidhje e konteston! Në vendin tonë, nga aspekti shkencor një dukuri e tillë nuk është përmendur dhe trajtuar asnjëherë. është mirë që kjo dukuri, edhe tek ne, sikurse në botën e civilizuar t’i sfidojë kriminologët dhe shkencëtarët tjerë, që së paku ky fenomen të trajtohet jo si një faktor amnistues por si faktor kriminogjen.
Dihet mirëfilli se, një dukuri e tillë edhe pse nuk është trajtuar në nivele shkencore, ajo në popull është përmendur edhe shumë më herët. Të gjithë ne e kemi dëgjuar e ndoshta edhe e kemi përmendur fjalën “njeri me hënë” duke mos menduar se çka në esencë nënkupton kjo fjalë. “Njeri me Hene (i përhentë)” e ka kuptimin e njëjtë me atë anglisht “Lunatic” ose frengjisht “Homme de Lune”, d.m.th.
A shkakton vërtetë sjellje të çuditshme Hëna e plotë?
Nëpër shekuj, shumë persona kanë pëshpëritur frazën: 'Duhet të jetë Hënë e plotë atje përjashtë", në një përpjekje për të shpjeguar ngjarje të çuditshme natën. Në të vërtetë, perëndesha romake e Hënës mbante një emër që mbetet i njohur edhe sot: Luna, ose prefiksi i fjalës lunatik - i çmendur.
Filozofi grek, Aristoteli dhe historiani romak, Plakushi Plin thoshin se truri ishte organi "më i lagësht" në trupin e njeriut dhe si rrjedhim më i prekshëm nga ndikimet e Hënës, e cila shkakton dallgët.
Besimi në "efektin e çmendurisë hënore", apo "efekti i Transilvanisë" siç e quajnë ndonjëherë mbizotëroi në Europë edhe në Mesjetë, atëherë kur qeniet njerëzore mendonin shpesh për shndërrimin në njerëz-ujq apo vampirë gjatë netëve me Hënë të plotë.
Edhe sot, shumë njerëz mendojnë se fuqitë mistike të Hënës shkaktojnë çrregullime, shtrime në spitale psikiatrikë, vetëvrasje, vrasje, aksidente në trafik, përleshje, kafshime qensh dhe gjithfarësoj ngjarjesh të çuditshme
Uji ?
Duke ndjekur Aristotelin dhe Plakushin Plin, disa autorë bashkëkohorë, si psikiatri nga Majemi Arnold Lieber kanë hedhur idenë që efektet e hënës së plotë mbi sjelljen vijnë për shkak të ndikimit ndaj ujit. Në fund të fundit, trupi i njeriut është 80 përqind ujë, kështu që ndoshta Hëna vepronë me magjinë e saj, duke prishur reshtimin e molekulave të ujit në sistemin nervor.
Por ka të paktën tre arsye, përse ky shpjegim nuk qëndron.
Së pari, efektet gravitacionalë të Hënës janë shumë të vegjël për të gjeneruar efekte të dukshëm mbi aktivitetin e trurit, jo më sjelljen. Siç thotë një astrolog, një mushkonjë mbi krahun tonë ushtron më shumë tërheqje gravitacionale se sa Hëna.
Së dyti, forca gravitacionale e Hënës ndikon vetëm në trupat e hapur me ujë, si oqeane e liqene, por jo burime të mbyllur uji, si trupi i njeriut. Së treti, efekti gravitacional i hënës është i fuqishëm vetëm gjatë Hënave të reja - kur Hëna është e padukshme për ne.
Nga buron?
Nëse efekti i Hënës është thjeshtë një legjendë urbane astronomike dhe psikologjike, përse është kaq i përhapur? Ka disa arsye të mundshme. Sigurisht që mbulimi mediatik luan jnë rol. Shumë filma amerikanë i përshkruajnë netët me Hënën e plotë si skenat e ngjarjeve të tilla si therje, vrasje dhe sjellje psikotike.
Po kështu, studimet tregojnë se shumë njerëz bien pre e një fenomeni që psikologu Jean Chapman e quan "korrelacion iluziv" - perceptimi i një asosacioni që në fakt nuk ekziston.
Për shembull, shumë njerëz që kanë dhimbje të kyçeve këmbëngulin që dhimbja e tyre rritet gjatë kohës me shi, ndonëse studimet e hedhin poshtë këtë. Pak a shumë si mirazhet me ujë që ne vëzhgojmë në rrugë të lira gjatë ditëve të nxehta të verës, korrelacionet iluzivë mund të na bëjnë të perceptojmë fenomene kur këta nuk ndodhin.
Megjithatë, ky shpjegim ndonëse mund të jetë një pjesë e rëndësishme e gjëzës, nuk tregon se si nisi nocioni i Hënës së plotë. Një ide intriguese për origjinën e tij na vjen prej psikiatrit Charles Raison dhe shumë kolegëve të tij. Sipas Raison, efekti i çmendurisë hënore mund të përmbajë një pjesëz të vërtetë në kuptimin që dikur mund të ketë qenë real.
Raison mendon që përpara mbërritjes së ndriçimit të jashtëm në kohët moderne, ndriçimi i madh i Hënës së plotë nuk i lejonte njerëzit që jetonin jashtë që të flinin - duke përfshirë shumëkënd që kish çrregullime mendore.
Për arsye se mungesa e gjumit shpesh herë shkakton sjellje të çrregullta me disa kushte të caktuara psikologjikë, si çrregullimi bipolar (më parë i quajtur depresion maniak), Hëna e plotë mund të ketë qenë lidhur me një rritje të numrit të sjelljeve të çuditshme në një epokë të shkuar. Kështu që, ky efekt, në fjalët e tyre mund të jetë një "fosil kulturor".
Ne mund të mos e mësojmë asnjëherë nëse ky shpjegim është i saktë. Por të paktën në botën e sotme, efekti i çmendurisë hënore duket se i ka shumë të dobëta bazat.