Kryqi dhe simbolet e tjera kristiane
Gjatë dy shekujve të parë të Krishtërimit, kryqi ishte i rrallë në ikonografinë e krishterë, pasi përshkruan një metodë qëllimisht të dhimbshme dhe të tmerrshme të ekzekutimit publik dhe të krishterët nuk donin ta përdornin si simbol.
*Një simbol tjetër i ngjashëm me kryqin ishte Staurogrami, i cili përdorej për të shkurtuar fjalën greke për kryqin në dorëshkrimet shumë të hershme të Testamentit të Ri, si një emër i shenjtë (nomen sacrum). Adoptimi i gjerë i kryqit si një simbol ikonografik kristian ndodhi në shekullin e katërt.
*Khi- Ro, njohur gjithashtu si Krismon është një nga format më të hershme të kristogramit (kombinim shkronjash që formojnë shkurtimin e emrit të Jezus Krishtit). Khi = X dhe Ro = R, dy shkronjat e para të Krishtit në gjuhën greke XPISTOS (Kristos). Ky simbol përdorej në kohën e Kostandinit të Madh, në 312. Ekziston një legjendë ku thuhet se Kostandini, para se të shkonte në betejë, pa një kryq në qiell në mes të Diellit me fjalët greke “en toutoi nika” (latinisht: “In Hoc Signo Vinces”), që përkthehet “me këtë shenjë do fitosh”. Herët në mëngjesin e ardhshëm, Kostandini ëndërroi që një zë e urdhëroi atë që t’u thoshte ushtarëve të tij që në mburojat e tyre të shënonin shkronjën “X” me shkronjën “P” në mes (dy inicialet e Krishtit në greqisht).
*Simbol tjetër i Jezusit është shkurtimi latin IHS që thuhet se ka kuptimin Iesus Hominum Salvator (Jezusi Shpëtimtar i Njerëzimit), ose Iesus Hristo Sol (Dielli Jezu Krisht) dhe paraqitet me Diellin në sfond).
*IKTHIS (që në greqisht përkthehet “peshqit”, si shenjë horoskopi) është një akronim i formuar me inicialet e fjalisë greke “Iesus Kristo, bir i Perëndisë, Shpëtimtar”. Shkronjat shoqërohen me figurën e peshkut. Kjo ka kuptimin që astrologjikisht po fillonte epoka e Peshqve.
*INRI shkurtim i fjalisë latine ‘Iesus Nazarenus Rex Iudaeorum’, përkthehet: “Jezusi i Nazaretit Mbreti i Judenjve”.
*Një tjetër simbol i lashtë në formë kryqi është Ankh (Kryqi me dorezë) i cili mbahej nga perënditë egjiptiane. Si hieroglif ai përfaqëson jetën apo gjallërinë. Të krishterët egjiptianë (koptët) e adoptuan si simbol të kryqit. Në librin e tij ‘Adhurimi i të Vdekurit’, Colonel j. Garnier shkruan: “Kryqi me dorezë (Crux Ansata) mbahej në duart e priftërinjve egjiptianë dhe nga mbretërit klerikë si një simbol i autoritetit të tyre si priftërinj të lartë të perëndisë Diell dhe quhej ‘Shenja e Jetës’”.
Ndonëse të krishterët pranuan që kryqi ishte vendi (shtylla) në të cilin vdiq Jezusi, ata kishin nisur tashmë ta përdornin atë në shekullin e dytë si një simbol të krishterë. Gjatë tre shekujve të parë të epokës kristiane kryqi nuk ishte një simbol i rëndësishëm po ta krahasojmë me rëndësinë që iu dha më vonë. Ishte Tertulliani (160-220), një nga autorët e parë të Krishtërimit,ai që i përshkruan të krishterët si ‘besimtarët e Kryqit’, dhe ishte bërë tashmë traditë që ata të bënin vazhdimisht shenjën e kryqit në ballë. Martin Luteri në kohën e Reformimit e ruajti kryqin dhe figurën e Krishtit të kryqëzuar në Kishën Luteriane. Luter shkruan” “Vetëm kryqi është teologjia jonë”. Ai besonte se njeriu e njihte Perëndinë jo nëpërmjet veprave por nëpërmjet vuajtjes, kryqit dhe besimit.
Reforma Protestante nxiti një ringjallje të ikonoklazmit (shkatërrimit të ikonave), një valë refuzimesh të imazheve të shenjta, që në disa vende (si Anglia) përfshinin debate për përdorimin e kryqit në adhurim. Për shembull, gjatë shekullit XVI një minoritet teologësh i kishave anglikane refuzuan përdorimin e kryqit në praktikat e tyre të adhurimit, duke e konsideruar atë si një formë idhujtarie.
Kostandinopoli